Vora nis me këmbën e mbarë aventurën në Abissnet Superiore, ndërsa Dinamo City e nis kampionatin me një humbje të papritur.
Skuadra e Vorës triumfoi 1-0 në transfertë, duke marrë fitoren e parë në historinë e saj në elitën e futbollit shqiptar.
Goli i vetëm i ndeshjes u shënua që në minutën e 10-të, kur Brayan Gjyla dërgoi topin në rrjetë dhe i dha Vorës avantazhin që do të rezultonte i mjaftueshëm për tri pikët. Dinamo u përpoq të reagonte, por nuk arriti të gjente golin e barazimit. Kështu, debutimi i saj në kampionat përfundoi me humbje, ndërsa Vora festoi një moment historik: fitoren e parë në Abissnet Superiore.
Për Dinamon, kjo humbje vjen në një moment delikat të sezonit. Blutë vazhdojnë aventurën europiane dhe tashmë gjithë fokusi zhvendoset te Pafosi, në ndeshjen e kthimit të play-off-it të Conference League. Pas barazimit 1-1 në Shqipëri, Dinamo do të udhëtojë në Qipro të enjten për një nga sfidat më të rëndësishme të sezonit, ku do të kërkojë kualifikimin në fazën e grupeve.
Një humbje që dhemb për Dinamon, por që duhet lënë shpejt pas krahëve. Vora shkruan historinë, ndërsa Dinamo tani duhet të rikthehet në ritmin europian dhe të mendojë për Pafosin.






















