Suplementi Pena Shqiptare/ Valter Dauti: Letër bijës sime

 

 ( Ese prindërore)

Bijëzë e dashur! Bija ime e parë, e mençur dhe njëkohësisht edhe me gen rebelues! U bënë shumë kohë që në letërsi studiohet një letër e Franc Kafkës, drejtuar babait të vet despot. Për keqtrajtimin prindëror që është dhe do të jetë gjithmonë, sipas erërave që gërmushen në planet, fryt i dy elementeve të materies dhe frymës; rebelimit dhe rregullave familjare; të resë dhe së vjetrës; reales dhe gënjeshtrës; dëshirës dhe ëndërrës; ecjes përpara dhe rrokullimës së pashmangshme…Sa herë i kam pyetur studentët e mi, ( me pakëz tendencë) gjithmonë i kanë dhënë të drejtë së resë, rebelimit, fluturimit qoftë edhe pa krahë të sigurtë, drejt së panjohurës, drejt një ikjeje instiktive nga foleja gjysmë vezake që ndjell një ndrydhje-shtrydhje rrethake, pra, të krijon ndjesinë e rrotullimit kot kundrejt asaj që është provuar dhe të ndryn brenda me rregullat e mosdaljes. Pa u rritur plotësisht krahët! Unë jam mësues dhe gjithmonë i kam kundërshtuar. Këto ikje fluturake sjellin rrëzimin nga mospasja e fuqisë për të fluturuar gjatë; i vendosur si një Dedal kam këshilluar plot filozofi, që ecjet dhe fluturimet duhet të dinë që përballë është gjithmonë një mbret i fuqishëm, edhe pse ai mund të mos quhet Minos. Emra të tillë i përtërin pabesisht materia përherë. Ndërsa ti ike, fluturza ime e brishtë. Menjëherë sa mbarove gjimnazin si ekselente. Ike në vend të huaj, pa dëgjuar askënd, drejt një horizonti ku s’pipëtinte asnjë përkëdhelje, përveç hapësirës së pafund e mjegulluese. Përtej, në një thurje të përrallave të bukura gjithçka shkëlqente; mund të studioje lehtësisht, ishte si ikja e një zogu nga shpella e errët drejt një shkëlqimi që verbonte edhe vetveten…Iknin si ti plot moshatarë… Askush s’mund të eci jetësisht mbi një rrugë të diamanttë. Në fund të rrugës, diamantet kanë origjinën karbonin nga janë formësuar…Dhe rruga nxihet. Ne grindeshim shpesh. Madje, grindeshim për çdo gjë, mund të them. Në këtë planet gjithçka ka vendin e vet. Dhelpra jeton në shpella e shkëmbinj, ujku në pyll, lakuriqi në errësirë…Merre, thosha unë, merre një krokodil dhe hidhe në pusin e oborrit, të jetojë aty miqësisht dhe ai të çarmiqësohet. Merre një nëpërkë dhe bëji fole në dhomën e gjumit, që të falë paqësi, pa helm…Ti më quaje racist kur të thosha se një afrikan dhe një nordik janë nata me ditën. Merre, thosha unë, merre një copë të pastër akulli dhe vendose pranë një cope qymyri. Nëse do të ishte i ndezur, do të shuhej, akulli do të ndotej dhe s’do të ishte më i qelibartë…Si për inatin e arsyes sime, ti përqafoje vajzërisht një njeri të ngjyrosur nga tepricat e diellit…Ndërkohë, planeti çorientohet edhe më, duke mos e ditur as vetë, ku i ka degëdisur marrëveshjet e hershme të unitetit të materies. Ndërkohë, të tjerë vazhdojnë të ikin tutje drejt një shkëlqimi të gënjeshtërt, duke harruar se në vendin e fëmijërisë, ylberi është i butë dhe nuk t’i akullon duart. Nuk e dije se është më mirë që të vësh një plis më shumë në avllinë tënde, se sa të ngresh kështjellë për të panjohurit. Mbyllur atje nga rrethimi, pastaj do të pendohesh prej stërhumanizmit, por s’të dëgjon më askush…Transformohen shpirtrat, roniten dashuritë, bën vetëm ftohtë, shumë ftohtë. Teksa ikje, ndieja që copa shpirti më rrëzoheshin përdhe si faqe librash të grisur nga raftet plot, librat prej të cilëve ti u bëre dikush. Pyes veten shpesh: Mos ishte gabim? Mos dëshira për dinjitet ishte e nxituar? Tej, vështroj dy punëtorë që lumturisht rrëmojnë në kazanët e plehrave dhe sigurojnë të sotmen e jetesës. A është paradoksale kjo lumturi? Përfytyroj që kanë një familje, e cila i pret krahëhapur, mbushur plot dashuri. Pastaj të përfytyroj ty, atje larg, mes të panjohurish që si manekinë të akullt kërkojnë shërbim. Sigurisht për punët që nuk i preferojnë vetë. Dhe dinjiteti i përdhosur pastaj ngre krye dhe kërkon të ripërtërihet, por koha është e ashpër dhe pa shpirt. Atë që humb është e vështirë ta bësh sërish tënden…Pastaj gjej edhe vetveten time të vetmuar, pa zënka të rëndomta, hutuar prej asaj që iku dhe prej asaj që vjen drejt një zhbërjeje të dhimbshme; këtë ma shumëfishon mjerimi shpirtëror i moshatarëve të mi, që ashtu si unë treten dhe veniten prej një malli të pafund. Mall që përpëlitet si një kafshëzë e pashpresë pa arritur të prekë asgjë, andej larg, kafshëzë që s’gjen dot asnjë lloj ngushëllimi për ikjet drejt shpresës së pashpresë. Përditë vazhdojnë të ikin nënmoshatarët e tu, bija ime e humbur. Larg, sa më larg, si për të shtuar dhimbjet e braktisjeve. Lexoj sërishmi Kafkën. Jo, jo, ky s’mund të jetë faji prindërimit, s’është i sëmurë prej vetmisë vetëm një shekull, gjithçka rend drejt humbjeve, erërat fryjnë si të çmendura copëza hijesh e skutash gri duke ravijëzuar përherë sozi Sizifësh, qoshin këta, edhe mjeshtra prindërimi…

NOA