Suplementi Pena Shqiptare/ Riza Çato: Të kujtoj

Të kujtoj,s’e di dhe ti,
atë ditë gjelbërimi.
Si rreze flije në sy,
përmbi mal si perëndimi.

Më kujtohet nuk flas kot,
lëndina me lule shqerra.
Një petale,ah o Zot,
më dehu më shumë se vera.

NOA

Ajo lule më kujtohet,
varur gjoksit si një pjergull.
Pa të zor se mund të rrohet,
e gjithë jeta kthehet mjegull.

Nëpër erë pikonte vesa,
ikte nata pa sinjale.
Na përgjonte debulesa,
si fallxhorka, kur hedh falle.

Ndosha ti a ndoshta unë,
rrimë kujtojmë ëndrrën tonë.
Lëndina kujton më shumë,
e ngreh zërin si jehonë.

Të kujtoj,s’them gjë për ty,
sa herë prek një lule shqerrë.
Krejt pa pritur lind në sy,
një lëndinë me gji plot verë!

I ndryshkur kyçi i një porte

I ndryshkur kyçi i një porte,
nga vitet që s’jeton njeri.
S’i njihen nazet kësaj bote
dhe malli s’paska pas kufi.

Më ziliqarja kishte qënë,
ndërvite priste dhe përcillte.
Tani pse vetëm e kanë lënë,
këtë kala që diva rriste.

Dhe trarët kalbur s’di si mbahen,
ndoshta e kanë ndonjë sekret.
Gurët e saj gati të çahen,
nuk di se nga kush urdhër pret.

Pikojnë lotët si strehë çatie
dhe zemra dhemb në thellësi.
Jo kësaj jete nuk i dihet,
është mirë të vdesësh si njeri……….