Suplementi Pena Shqiptare/ Valter Dauti: E blertë

U rih korija! Shih fluturzat e blerta,

si përkëdhelen mbi sythat mbyllasysh,

NOA

poterë në gji, lumë erërash të eterta,

-dhe erë e paqtë, që në Parajsë të hysh!

 

U mbush korija, fryjnë det gjethet e njoma,

ndrin brenda botë e virgjër që të deh!

Mos shkel në prag! Ti nuk di gjë akoma,

ç’mister të flurtë, gjethnaja brenda fsheh!

 

U ngop korija me zëra që s’përkthehen.

-Çdo vit studime akademikësh kalb.

Këtë ma thonë dhe zogjtë kur zënë e kthehen,

thonë erërat vetë, me morsin fjalor-alb.

 

U bënë kaq vjet-jam brenda edhe jashtë,

kaq pranë më fryn, kaq larg ky erërim …

I jam korijes dashnori më i lashtë,

dhe në çdo mars, prapë ndiej veten jetim.

 

U rih korija…as sythi s’mund t’i jem:

Gjethnajë rebele që luan mbyllasysh…!

Deh me mister, çdo ëndrre i fryn jerm;

pyet veten do, a s’do, brenda të hysh…

 

E blertë gjithmonë!Dhe vjeshtën ke të blertë!

S’di nga lëshon prej gjoksit një planet.

Kështu ke qenë, fëmijë e praptë, e sertë;

yjet dhe ngjyrën, çdo stine ia vesh vet.

 

ÇAST

Gjithë ëndrrat përgjumur, e morën, përtypën krejt natën,

përpëlisur përdhe si ç’erërat, regëtinin…

E morën rob Stiksin, pëllëmbë më pëllëmbë e matën.

Ç’’njerëz iknin përtej…të tjerë, që aty s’ mund që të rrinin.

 

Gjithë ëndrrat u vdiqën… u ter pak më tej pragmëngjesi.

U bënë luleshqerra, u derdh pak nektar mbi lëndina.

Samsoni i hershëm tund krahët në krahë të një plepi,

ndër degë, copka resh, firasur si frymë jep e nxjerr Dalila…

 

Më tej, më qesh Ana si reja e zhveshur nën diell.

Më tej, lumi rrjedh, mbushur plot me zhgënjime.

Më tej, një luginë që ëngjëj dhe djaj lehtë i pjell.

Më tej… s’di nga shkon, ku humbi rruga ime…!