Suplementi Pena Shqiptare/ Visar Zhiti: Kujtesë për diktaturën komuniste

100
Sigal

Visar Zhiti (shkrimtar i përndjekur dhe i dënuar në periudhën e regjimit komunist, shkruan në burg jo me laps, por me kujtesën e tij. Libri i tij i parë me poezi, “Kujtesa e ajrit” u botua në Tiranë, në vitin 1993. Ky vëllim përmban 100 poezi të krijuara në burg, në mes të viteve 1979 -1987, të cilat kishin mbijetuar vetëm në saj të kujtesës së tij. Ai ka shkruar edhe shumë tregime të shkurtra, të mbledhura në dy vëllime. Vëllimi poetik “Rrugët e ferrit : burgologji” u botua në Tiranë, në vitin 2001. U lind në Durrës, 2 dhjetor 1952. U rrit në Lushnjë, ku përfundoi shkollën e mesme në vitin 1970. Pas përfundimit të studimeve në Institutin e Lartë Pedagogjik në Shkodër, filloi karrierën e tij të mësimdhënies në qytetin malor verior të Kukësit. Përmbledhja me poezi, “Rapsodia e jetës së trëndafilave” dorëzuar për botim në shtëpinë botuese “Naim Frashëri”, u konsiderua si një krijim me gabime të rënda ideologjike dhe që nxinte realitetin socialist. Ai u arrestua më datë 8 nëntor 1979 në Kukës dhe me një gjyq qesharak u dënua me 13- vjet burg. Kreu dënimin në burgun  famëkeq të  Spaçit. Shumë nga të burgosurit që ishin me të në burg vdiqën nga keqtrajtimet, torturat dhe kequshqyerja ose pësuan çrregullime mendore. Ai u lirua nga burgu në fillim të vitit 1987 dhe u “lejua” nga pushteti komunist për të punuar në një fabrikë të prodhimit të tullave në Lushnjë. Mbas rënies së diktaturës komuniste arriti të shkojë në Itali, ku punoi në Milano deri në 1992. U zgjodh deputet në parlamentin shqiptar. Mbas realiteteve të zymta të politikës shqiptare, ai u tërhoq nga politika. Ka botuar  vëllimet me poezi: “Kujtesa e ajrit”, “Koha e krisur”, “Hedh një kafkë te këmbët tuaja”, “Dyert e gjalla” , “Kohë e vrarë në sy”,Si shkohet në Kosovë” etj.

 

Rreshti i këpucëve të burgosura

(Spaç, 12.06.1981)

 

Flenë të burgosurit me një batanije të vjetër vegimesh,

mbulojnë trupin të lodhur.

Ja, dhe këpucët e tyre po dremitin në rresht,

me një besnikëri të përbaltur qensh.

 

Opinga –a nuk të kujtojnë plisat e arave?

Çizme të prera,

që vazhdojnë të jenë në armiqësi

me çizmet ushtarake?

Pantofla –të buta, të buta,

se si ndihen,

si mirësjellje e tepruar në burg.

Këpucë qytetare,

që keni njohur, këpucë grash nëpër takime,

 

që keni vallzuar,

që keni shkëlqyer nëpër bulevarde,

që keni hyrë nëpër drama,

tani të braktisura nga gjithçka,

jeni vetë epilogu i dramës më të madhe.

 

Ja, dhe këpucët e spiunit,

me lidhësen, që u varet si shpifja nëpër gojë.

Më mirë zbathur,

pa këmbë në fund të fundit,

jo me këto këpucë.

S’i shoh dot,

dot nuk i duroj.

 

Por ka, dhe këpucë enigmatike, krenare

(siç ka dhe të shëmtuara).

Këpucët që në shpirt,

ndoshta dhe në histori,

do të lënë gjurmë.

 

Këpucë të burgosura,

më fatkeqët në botë.

Të lodhura,

të çara,

kur jeta fut këmbët tek ju,

shkon prapa, vetëm prapa.

            Neveria

Spaç, dimër 1982.

 

Në shtetin më konservator në botë,

ku të burgosin

për një pikturë nudo.

Në burgun e këtij shteti hermetik,

WC janë pa dyer ,

të hapura.

radhë-radhë,

përballë njëra tjetrës.

 

Gjithë turp mund të shohësh padashje,

kufoma seksesh

që lëkunden si të varur.

 

…dhe më është kujtuar biruca…

Hetuesia.

Sëmundja ime…

Më patën dhënë një enë të vjetër,

për të derdhur ujët e hollë natën.

 

Aty lëkundeshin muret e trasha,

absurditeti qikllopik,

pasqyrohej dita

e mbështjellë me një rrjetë teli,

si turinjtë e qenve të policisë.

 

Shihja të më dilnin kokëposhtë udhëheqësit.

Ish ekrani televiziv,

më i pisti në botë,

ajo enë e vjetër.

 

Dhe mallkoja,

thërrisja me zë të lartë brenda vetes :

Kështu ju pafsha të përmbysur :

spiunë, redaktorë poezish, sekretarë,

kongrese, yje,

në shurrën e popujve të bërë det .

Mbytuni! Mbytuni,

copa tribunash të kuqe,

si anije të gjakosura, të shkatërruara !

 

 

Ëndrrat

Spaç, dimër 1982.

 

Ti po mbyll sytë i dërrmuar,

nga puna e tmerrshme, këtu nën tokë.

Patjetër je duke ëndërruar,

se ëndrrave pranga s’i vunë dot

 

Dhe le ta bëjnë ferr galerinë,

ti vuan që të mbetesh ëngjëll.

Mbi supe si flatra ke mirësinë,

dhe fluturon nëpër ëndërr.

 

Ku vete kështu? Ah, unë e di.

Dhe ëndrrat lodhen mes kaosit,

dhe kanë ftohtë ashtu si ti,

veç me kapotën e të burgosurit.

 

Dhe s’po të them që i vrasin ëndrrat,

që kam shëtitur ndër varret e tyre.

Ndodh që na vrasin më parë se ëndrrat

dhe qajnë ato mbi ne si vejushë.

 

Befas u zgjova, buzëqesh i  trembur .

Sapo u ktheva nga ai vend i lumtur,

balli i mbushur plot me ëndërr,

e di që bëhet më i bukur.

 

 

 

Këpucët një detaj artistik, që realizon karakteret e njerëzve nga llojet e këpucëve. Heshtja dhe dremitja e këpucëve në pritje për t’u veshur na krijon një imagjinatë të re; për mjediset e burgjeve; për fatet e njerëzve nga shtresa të ndryshme shoqërore; për karakterin e të burgosurit që dallon spiunin nga fshatari, nga intelektuali. Vargjet e poetëve të burgosur në vitet më të tmerrshme të jetës së tyre; edhe sot godasin si plumb ndaj mizorive të rregjimit komunist.