Mësova të duroj lëvizjen e etur të akrepave,
goditjen e tyre kumbuese kur bëhen njësh,
dhe heshtja thyhet në mes.
Mësova të luftoj me përbindëshin e përrallës.
Dhe çdo kuçedër që shfaqet në cep të udhës, tinëzisht,
nuk më tremb më.
Larg teje,
mësova të kuptoj,
alfabetin e syve,
gjuhën e reve dhe të shiut.
Mësova të dua këngën e lumit
dhe heshtjen e tij…,
Mësova të duroj dhimbjen e pemëve,
kur degët u këputen në fundvjeshtë,
kur zhvishen ngadalë sapo nisin dimrat e acartë!
Ato rrallë qajnë!
Dalëngadalë mësova të duroj ikjen e zogjve
dhe ankthin që lënë pas, për foletë…
Vendosa t’i mbaj në zemër gjithë cicërimat
bashkë me flatrimin e tyre të parë.
Mësova të di si t’i pres pa lotuar,
ulur mbi shkëmbin e dhimbjeve.
Mësova të kuptoj vlerën e një çasti,
që ikën e s’kthehet mbrapsht
ta mbaj fort në kujtesë.
Madje mësova, të harroj!
Sepse përtej harresës, kam kuptuar,
se edhe dhimbja vdes!




















