Suplementi Pena Shqiptare/ Ndue Dedaj: Kontemporani

70
Sigal

Kisha mbetur krejt i befasuar. Asgjë nuk kuptoja, kur e shihja atë njeri ashtu, duke folur në celular pa ia nda. Nuk kisha ndonjë njohje me të, veçse e shihja përditë në rrugë, përherë me të njëjtën pamje, telefonin që s’e hiqte asnjëherë nga veshi, mbahej me të madh dhe ecte me një krenari groteske, po aty për aty thoshja me vete, fundja sa njerëz të tillë kishte, që shkilnin përtokë, por mendjen s’e kishin aty. Bënte të njëjtin ritual përditë Kontemporani i qytetit tonë. As vetë s’e di pse m’u dha ta quaja kështu. Unë e Salvoja e pinim kafen bashkë çdo mëngjes në Bar Sahati dhe përpara kishim bulevardin e madh, kur nuk vononte e shfaqej ai me celularin në vesh. Ishte e pamundur ta shihje njëherë të vetme duke ecur pa folur. Shkonte deri te fundi i bulevardit dhe kthehej përsëri, gjithnjë me celular në vesh. Doemos që biseda nuk shkonte vaj, prandaj ai bënte grimasa, merrte poza, fytyra i bëhej sakaq serioze, ndonjëherë dhe si e ngërdheshur, as që ua kthente përshëndetjen atyre që i flisnin. Jo, jo, çështja për të cilën ai tundej e shkundej në telefon si duket ishte shumë e rëndë, që ai të mund të lëvizte kokën sadopak anash. Të krijonte përshtypjen se ishte njeri i rëndësishëm (apo kështu i pëlqente të shitej te të tjerët?), se merrej me gjëra të mëdha dhe kur nuk e kuptonin, ai përshkohej nga një zemëratë, që ia kuqlonte fytyrën. Vetëm një njeri që kishte shumë punë, po shumë ama, cfilitej ashtu në telefon, sa e mbulonin djersët. I them Salvos se ky zotëria me siguri që merret me ndonjë biznes të madh ndokund dhe se tashti duhet të ishte ora për të udhëzuar ata që kishte poshtë vetes, si të thuash menaxherët e prodhimit. Salvo mblodhi supet, si për të thënë që nuk dinte asgjë rreth tij. Mirëpo, një mëngjes, Kontemporani erdhi e zuri në tavolinën ngjitur me tonën, ashtu pa e ndëprerë bisedën me atë tjetrin: Ah, jo, nuk është aspak e lehtë t’i dallosh, ngjajnë si dy pika ujë, kërpurdha janë të dyja të shkretat, dhe ato të mirat që hahen, porçini, lepurore e të tjera, dhe ato helmueset!  …Si? Si? Ku e ditkam unë, që nuk paskësha shkelur njëherë në pyll? Po kush je ti që më jep mend mua?…” Po interneti, pse është? Google? Uikipedia? Futu aty dhe i ke të gjitha kërpurdhat! Po deshe dhe gjyshet e kastragjyshet e tyre! Aaa, don patjetër të më zësh të ngushtën? Po më thua që më mirë i njohin lopët ato helmueset sesa unë?! Dhe Kontemporani u ngrit i alarmuar, duke u shamatuar keqas për kërpurdhat, sa dëgjohej në anën tjetër të bulevardit. “Të thashë unë, ky merret me biznes kërpurdhash! Shkoi t’ia ndreqë qejfin atij që e kundërshtonte! Ndonjë magazinier kërpurdhash, mbase – fola unë. I gabuar qofsha, po se si m’u duk?…, – tha Salvoja. Edhe mëngjesin tjetër ai erdhi dhe zuri vend në tavolinën ngjitur. Prita se mos prapë do të kërciste për kërpurdhat, por kësaj here ai po fliste për luftën në Ukrainë. Jepte e merrte me atë tjetrin në celular, thua se ky sapo ishte kthyer nga Kievi….“Po si nuk e ditkam, mor zotëri? Putinin e kanë mbyllur në bunker si Hitlerin!…” Unë e Salvoja heshtëm. Nuk dinim ç’të thoshim. Mbetej vetëm të shihnim lajmet. Por askund nuk bëhej fjalë për atë “lajmin” e tij me Hitler. Shkoi një javë e nuk u pamë me Kontemporanin. Kushedi nga kishte qenë e ç’punë kishte pasur. Nga kërpurdhat helmuese te Putini, se si më dukej ai diskursi i tij, por pse ta paragjykoja. Njerëzit kishin disa ngasje në jetë, që sado pa lidhje të dukeshin, nuk e përjashtonin njëra-tjetrën. Në krye të javës, sytë më zunë përsëri atë, njeriun me celular në vesh. O Zot! Veç njëherë ta shihja pa atë veglën, si një zog i trembur në dorë. Salvoja po hiqej indiferent ndaj “komshiut”, por sa nuk brofi në këmbë, kur dëgjoi zotërinë e tij të fliste, duke parë nga qielli:- Nga i ditkam unë punët e yjeve? -Po pse si ti që nuk ke haber nga astronomia jam unë? Dhjetë e kam nxjerrë në gjimnaz. Pastaj nuk është vetëm punë shkolle, kur shkoja në Amerikë te djali, nxirrja dorën nga avioni dhe e mbushja me yje!… -Të ardhka për të qeshur, ë? Nuk qenkan yjet xixëllonja që të mbushësh duart me to? Kështu po më thua! E, pra, po ta them troç, edhe Kashtën e Kumtrit e kam zënë me këto dy duar! Salvoja më bëri shenjë që të ngriheshim, a thua se qielli ishte thyer si xham nga ndonjë grusht i papritur e sakaq do të na binte breshni mbi kokë, por s’qe nevoja të luanim ne nga vendi, pasi ishte ngritur me vrull Kontemporani, me sytë kokërr, që me siguri po shkonte t’i tregonte vendin atij tjetrit që nuk po i bindej?! As që do ta kishim kuptuar ndonjëherë atë komedi, që luhej përditë para syve tanë, nëse një mëngjes në kafe me ne nuk do të ulej një i njohur i Salvos, i cili u habit që nuk e njihkeshim këtë tipin, që tash në tavolinën ngjitur po fliste për peshkaqenët. Na tha se ai kishte pasur një shok, me të cilin debatonte rrugëve me orë të tëra, në sy të njerëzve që venin e vinin në punë të tyre. Fliste veç ky dhe sapo shoku i tij donte të përfshihej në bisedë, Kontemporani i vinte dorën si shtupë te goja, që të mos e hapte dhe vazhdonte vetë të llomotiste si kompetent për gjithçka që i shkrepte. A, se harrova t’iu them, ky nuk flet kurrë, kur rreth e rrotull nuk ka njerëz! Erdhi një çast që ai tjetri u mërzit e u shkëput prej tij, kinse i duhej të shoqëronte gruan kah liqeni artificial pas ndërhyrjes në veshka. Kurse ky tipi vazhdonte zakonin e vjetër, të grindej me të gjithë njerëzit (që nuk ishin aty!) për gjerat që nuk shkonin mirë në qiell e në tokë, në luftë e në paqe, ndër bimë e ndër kafshë, ashtu duke u gërmushur në celular, si atëherë kur në krah kishte atë shokun e tij që i iku. Salvoja, që nuk e ka për zakon t’i shijojë “surprizat” pafund, më tha se nesër do ta pinim kafen e mëngjesit te “Mështeknat”, një lokal pesë kilometra në të dalë të qytetit.

 

NOA