Suplementi Pena Shqiptare/ Petrit Ruka: Shkrinte bora me rënkime

223
Sigal

 

 – Asaj-

 

O moj çmendje e bekuar, thikë e ëmbël, pa harrim.

Nëpër borën dy pëllëmbë…në një natë të Jugut tim,

qysh i mbushe trupat tanë plot e plot me ura zjarri.

Dhe na shtrive lakuriq mbi çarçafët prej acari.

 

Si skulptor-e – turpëruar bora merrte masën tënde:

Shkrinte nëpër kofshë e ije, nëpër vithet gjysma hëne,

po për ne ajo s’qe borë, qe sheqer që hidhte zoti,

të qet’sonte përrenj gjaku të tërbuar atij moti.

 

Shkriu bora me rënkime gjersa doli toka poshtë .

Përmbi kryq të trupit tënd unë Krishti pa një gozhdë,

Krisht  i moshës njëzet vjeç, me një Bibël kuturu,

ngjisja malet e Sinait, – ata ishin gjinjtë e tu.

 

O moj çmendje e bekuar, bëhu prapë e gjallë për mua,

po bie borë prej njëzet vjetësh, më ka hyrë gjer në thua.

Më kanë mbetur ca kongjij nëpër prush të burrërisë.

Një përrua gjaku qan tek një breg i dashurisë…

 

Këngë për gruan

-Zh-

 

Grua ma ke nxirë jetën dhe jetën ta kam nxirë.

Jemi sharë në dritë dhe jemi puthur në errësirë,

Kemi vendosur të ndahemi dhe kemi thënë; e po mirë!

Dhe prapë jemi puthur ashtu si për lamtumirë.

 

Kemi gënjyer njeri-tjetrin, kemi bërtitur s’të dua.

Kemi pështyrë mbi proverbin që qënkeshim mish e thua!

Kemi mburrur kontratat që bëjnë në Amerikë.

Kemi thënë njëmijë herë; u mbush kupa dhe pikë.

 

Pastaj jemi përqafuar ; “e po unë isha në gjumë “.

Jam futur në mishin tënd, siç futet në shkretëtirë një lumë.

Jemi sëmurur dhe fshehurazi i jemi lutur qiellit,

na është holluar shpirti nga frika si fija e perit.

 

Dhe prapë jemi zënë sa janë tundur tepsitë,

Kemi ndarë dyshekun me vijë, (ah, vijë e florinjtë,)!

Po në errësirë kufirin e kemi shkelur si barbarë,

me dredhi ballkanike që as O.K.B-ja s’ka parë.

 

Grua, ma ke nxirë jetën dhe jetën ta kam nxirë.

Ma ke pirë gjithë vrerin dhe helmin ta kam pirë.

Po ja që s’bëjmë dot pa këtë helm të mallkuar,

mos pushofsh kurrë, moj luftë dhe qofsh e bekuar!