“Leao qëndron, këtë vit i duam të gjitha”, flet Ibra: Ju tregoj lojtarin që më ka befasuar më shumë

109
Sigal

Flet Ibra dhe përgatitja e skenës kërkon orë pune në studio. Kolltuku për Zlatanin, tavolina dhe paneli me sponsorët pas shpine. Përpara, me dhjetëra telekamera dhe telefona, gazetarët italianë dhe të gjitha mediave kryesore të Emirateve të Bashkuara.

Zlatan mbërrin me kostumin e Milanit dhe flokët e mbledhura, bën rregullimet e çastit dhe buzëqesh: “Çfarë tensioni, qetësohuni! Sot flet Ibra. Italisht, anglisht, edhe arabisht nëse doni”. Konceptet janë universale.

Ibrahimoviç, kur parashikoni që të riktheheni të luani?

Jam mirë dhe përmirësohem ditë pas dite, duke ndjekur protokollin që na kanë dhënë. Milanit i mungon Ibra, por është e vërtetë edhe e kundërta: Ibrës i mungon Milani. Nga jashtë nuk është e njëjta gjë. Jam pranë skuadrës në motivim, në përgjegjësi, në presione. E jeton ndeshjen me adrenalinë, por jam i mësuar të jem në fushë.

Jeni gati për Superkupën e 18 janarit apo më larg, ndoshta në formë për Ligën e Kampioneve në mes të shkurtit?

Nuk ka një kalendar fiks për rikthimin: jam ekspert i menaxhimit të dëmtimeve, por do të gaboja nëse do të fiksoja një datë fikse. Unë do të doja të isha titullar që në javën e parë të kampionatit. Por nuk arsyetoj më kështu. Kur të jem gati do të luaj. Nuk mund të shkoj në fushë vetëm sepse quhem Ibrahimoviç dhe ndoshta ta luaj ndeshjen duke ecur. Nëse jam, duhet të shkëlqej përndryshe më mirë në stol apo tribunë.

Sigurisht, nuk e kam më egon e 10 viteve më parë. Sot jam ndryshe, më i pjekur, më i përgjegjshëm, vendosem në dispozicion të të rinjve dhe trajnerit dhe ai vendosë. Respektoj çdo zgjedhje, edhe në rast se nuk do të më shkonte për shtat.

Shpirti i ri, por gjithnjë i zakonshmi Ibra. Përse nuk u tërhoqët kur ngritët trofeun e titullit?

Sepse ndiej ende adrenalinën, emocionin e publikut, aromën e fushës. Dhe sepse nuk kënaqem, dua të bëj gjithnjë më shumë. Kështu ndihem i gjallë. Zgjodha të operohem jo vetëm për të vazhduar që të luaj, por edhe për të qenë mirë. Në 6 muajt e fundit të sezonit të shkuar vuajta shumë, në heshtje. Nuk doja ta thosha për të mos i sjellë negativitet skuadrës.

Cilët janë objektivat tuaj të rinj?

Të gjithë. Jam këtu sepse besoj. Kampionat, Kupë Italie, Superkupë, Champions. I duam të gjitha. Të heqësh dorë nga një objektiv do të thotë të dorëzohesh për të gjithë. Dhe mentaliteti ynë nuk është më ky.

Vërtetë ëndërroni Champions-in? A është një ëndërr apo objektiv i mundshëm?

Nuk kam ëndrra, vetëm objektiva. Ëndrrat ua lë të tjerëve. Ne bëjmë. Gjithçka është e mundur. Futbolli ta mëson. Ndodhin gjëra që nuk i ke pritur kurrë. Shikoni Marokun në Botëror, ose jo. Zlatan kishte thënë se Maroku ishte i fortë dhe që Amrabat ishte me të vërtetë i zoti. Milani ka një kolektiv shumë të fortë.

Skuadrat e tjera dhe ndoshta e pamë kundër Çelsit, ndoshta kanë individualitet më shumë dhe sigurisht më shumë eksperiencë. Forca jonë është grupi. Besojmë dhe punojmë për këtë. Jemi më të pjekur, më të ndërgjegjshëm, kemi më shumë lojtarë që sot mund të bëjnë diferencën. Dhe kush ishte vitin e shkuar, tani e di se çfarë duhet për të fituar.

Vlen e njëjta gjë edhe për përmbysjen në kampionat?

Sigurisht. Për momentin jemi të dytët. Napoli është i fortë. Kvaratskhelia është lojtari që më ka bërë më shumë përshtypje. Por dhe Juve po rihyn dhe Interi është në garë. Por jemi edhe ne. Për më tepër kur është një kampionat shumë i veçantë me ndërprerjen dimërore prej Botërorit. Dhe nga përvoja ime pjesa e dytë e sezonit është më e rëndësishme.

Të kthehemi te pika e nisjes, a do të jetë gati Ibra për Superkupën kundër Lukakut apo në Champions për të kërkuar golin më të vjetër në historinë e turneut?

Shpresoj të jem në fushë kundër Interit, por kush e di? Lukaku? Nuk kam asgjë për t’i thënë. Shpresoj të jetë mirë dhe në fushë. Është i njëjti urim që bëj edhe unë. Për pjesën tjetër unë flas për vete jo të tjerët. Ata duhet të kenë frikë. Rekordi në Champions nuk më intereson. Më intereson të shënoj, vetëm kjo.

Një shoku juaj po bën shumë mirë. Ka kaluar te Zhiru sekreti i rinisë?

Ndoshta ai nuk do ta thotë kurrë, por unë jam idhulli i tij. Olivie është i madh, lojtar vendimtar për ne. Ishte shumë i rëndësishëm vitin e shkuar kur unë nuk isha. Është vendimtar edhe këtë vit. Dhe siç po ia del mirë me Milanin, e njëjta gjë vlen edhe për Francën. Është një njeri fantastik, serioz dhe elegant. Një profesionist i shkëlqyer. E di që është ende përcaktues dhe shkon përpara. Nëse nuk do të ishte më i bindur do të kishte bërë një hap pas.

Hapa përpara duhet të bëjë edhe Leao. E këshilloni të qëndrojë te Milani?

Absolutisht. Milani është ambienti i duhur për të. Mjafton të shohësh përmirësimin e tij. Kur erdhi ishte larg nga lojtari vendimtar që është sot. Këtu është shumë i rëndësishëm për ne, a do ishte diku tjetër po kaq? Duhet ta nisë nga zero, nuk mund të jesh i sigurt se do jesh menjëherë gati. Te Milani ka besimin, hapësirën dhe lirinë, diçka që në një klub tjetër nuk i ke të sigurta. Varet nga ty. Pastaj duket që është i lumtur. Tashmë qesh përpara se të shënojë.

Mund të mbërrijë në nivelin e Ibrës?

Është i riu që është rritur më shumë nga të gjithë. Teo është përmirësuar shumë, De Ketelare është i fortë dhe duhet durim. Por Leao është i një tjetër kalibri, mbi mesataren. I mungon një hap. Do ta bëjë vetëm kur të bindet plotësisht për kapacitetin e tij. Sot as ai nuk e di me të vërtetë sa i fortë është. Atëherë do të përhapë panik. Dhe çmimi do t’i rritet (qesh).

I thoni diçka për ta stimuluar?

Kur luan mirë e masakroj, një masakër totale. Nuk duhet të kënaqet me atë që po bën. Shumë e thjesht t’i bësh komplimente kur gjërat shkojnë mirë apo t’i thuash se nuk bën kur shkojnë keq. Me të bëj të kundërtën.

Mendoni të bëheni një ditë trajner?

Pse nuk jam trajner që tani? Duke lënë shakatë mënjanë tani nuk e mendoj. Të stërvitësh është një përgjegjësi e madhe. Dhe të jesh lojtar i madh nuk garanton automatikisht se do të bëhesh trajner i madh. Nuk ka qenë për Zidanin apo për Guardiolën dhe nuk do ishte për Ibrën. Nuk ka avantazhe, duhet studim dhe punë, hap pas hapi.