Egnatia, presidenti Demrozi do të “blindojë” ekipin, gati katër rinovime

16
Sigal

Egnatia arriti ta mbrojë trofeun e Kupës së Shqipërisë, pasi mundi 1-0 Kukësin në finalen e ditës së martë në “Air Albania”. Trofeu i dytë radhazi ky për rrogozhinasit në këtë kompeticion, jo pak për një klub që më parë nuk kishte histori në futbollin elitar shqiptar. Presidenti Agim Demrozi ka përgëzuar lojtarët dhe stafin teknik për suksesin në kupën e Shqipërisë, por ka theksuar se ekipi s’duhet të kënaqet me kaq, duke kërkuar që të japë gjithçka për të fituar edhe titullin kampion në Superiore. Ai ka premtuar premio për çdo arritje, përtej bonuseve të parashikuara në kontratën e secilit lojtar. Në anën tjetër, priten zhvillime interesante sa i takon skuadrës, rinovime me titullarë të rëndësishëm, siç janë Sherri, Fangaj, Zejnullai e Fernando, por dhe dy rikthime me peshë nga huazimi në kampionate të huaja, siç janë Memolla dhe Kasa.

RINOVIMET – Burime pranë klubit rrogozhinas bëjnë me dije se presidenti Demrozi është në diskutime për të rinovuar kontratën me disa futbollistë, të cilët kanë qenë protagonistë të sezonit. Bëhet fjalë për portierin Alen Sherri, mbrojtësin e djathtë Abdurrahman Fangaj, si dhe dy mesfushorët Arbin Zejnullai dhe Fernando Medeiros. Ofertat për këta futbollistë nuk kanë munguar, sidomos në merkaton e janarit, ndërsa klubi s’dëshiron t’i humbasë pa përfituar financiarisht prej tyre. Zejnullai dhe Fernando janë në fund të kontratës dhe deri tani s’kanë rinovuar, kështu që shanset që ata të largohen për një shifër modeste janë të mëdha. Të dy janë shprehur se ndihen mirë tek Egnatia, por duket e vështirë që ata të refuzojnë oferta që mund të vijnë nga kampionatet e tjera europiane. Kujtojmë që në janar, përveç lëvizjeve në hyrje dhe në dalje, kanë rinovuar mesfushori Albano Aleksi dhe mbrojtësi Renato Malota, duke e zgjatur kontratën e tyre deri në verën e 2025-ës.