Çiraku: Sezoni veror deri diku i mirë, mund të kishim më tepër rezultate të mira

Presidenti i Federatës Shqiptare të Notit flet pas përfundimit të Kupës së Shqipërisë: “Tetë ekipe dhe mbi 150 notarë e rrallë për një aktivitet të tillë”

GJERGJ VYSHKA

Sigal

Kupa e Shqipërisë për të rritur, e cila për dy ditë u zhvillua në kompleksin “Akuadrom” në Tiranë, shënoi fundin e aktiviteteve verore për notin shqiptar. Bëhet fjalë për veprimtaritë në pishinat 50 metërshe, ndërsa presidenti i Federatës Shqiptare të Notit, Agim Çiraku, është shprehur i kënaqur për pjesëmarrjen. Madje një numër notarësh, mbi 150, që në fakt është e rrallë për një aktivitet si Kupa e Shqipërisë. Rezultatet kanë qenë të mira, ndonëse i pari i notit shqiptar do të kishte dashur më tepër rekorde në këto aktivitete verore. E tanimë synimi janë garat dimërore, atje ku të gjitha ekipet kanë kohën e duhur në dispozicion për t’u përgatitur dhe për t’u stërvitur. Ndaj dhe të gjithë presin rekorde të reja në këto gara dimërore. Ja dhe intervista e plotë e presidentit të Federatës Shqiptare të Notit, Agim Çiraku, për gazetën “Telegraf”.

– Ka përfunduar Kupa e Shqipërisë, që shënon dhe fundin e aktiviteteve verore. Cili është vlerësimi juaj për këtë veprimtari, që vjen pas kampionatit kombëtar?

– Si rrallëherë këtë herë kemi patur një pjesëmarrje të jashtëzakonshme në Kupën e Shqipërisë. Tetë ekipe dhe mbi 150 notarë, që është diçka e rrallë për një veprimtari të tillë. Në Kupën Mbarëkombëtare, në atë aktivitet të përbashkët me Kosovën dhe Maqedoninë, kishim mbi 200 notarë. Këtu 150 dhe përgjithësisht rezultatet ishin të kënaqshme dhe aktiviteti e përmbushi qëllimin.

– Në fakt është një veprimtari që vjen pas pushimeve dhe si të thuash jo të gjithë janë gati për gara…

– Kjo është e vërtetë që thoni. Por gjithsesi, edhe në kushtet e pushimeve, skuadrat ishin përgatitur. Dhe vetë rezultatet e përmirësuara, teksa patëm dhe rekorde të thyera, tregon për përgatitjen e tyre të mirë. A mund të kishin dhe më shumë rekorde? Sigurisht që po, por mos harroni që jo të gjithë janë në gjendje për të përmirësuar rezultatet e tyre. Megjithatë unë jam i kënaqur, aq më tepër që Kupa e Shqipërisë vinte menjëherë pas pushimeve.

– Nëse do të duhet të vendosnit një notë për të gjitha aktivitetet verore, cila është?

– 8.5 – 9

– Çdo të thotë kjo?

– Ky është vlerësim i sinqertë, sepse kam pritur shumë e më shumë rezultate të përmirësuara. Por të gjithë janë munduar dhe kanë dhënë më të mirën e tyre.

– Së fundi, në prag janë garat dimërore. Cilat janë pritshmëritë?

– Për mua janë të gjitha kushtet për rezultate shumë më të mira se sa në sezonin e verës. Sepse kanë të gjithë kohën e duhur në dispozicion për t’u stërvitur dhe për t’u bërë gati për këto gara. I kemi të shumta, të parashikuara dhe në kalendarin vjetor. Mendoj se do të kemi dhe rekorde më shumë në këto gara, që do të nisin shumë shpejt.

 

JURGEN FICO: TË KËNAQUR,KEMI FITUAR PJESËN MË TËMADHE TË GARAVE TË KUPËS

Teuta ishte skuadra më e mirë e Kupës së Shqipërisë për të rritur, ndërsa Jurgen Fico, edhe në emër të të gjithë ekipit, është shprehur i kënaqur për paraqitjen e notarëve durrsak. “Ne – thotë Fico – kemi arritur të dominojmë pjesën më të madhe të garave. Të paktën mbi 80-90 përqind të tyre janë fituar nga notarët tanë. Jo vetëm kaq, por kemi dhe sportistin më të mirë, që diskutohej mes Xhoi Lavdanitit dhe Dalvi Elezit. Por në përgjithësi të gjithë notarët dhanë maksimumin e tyre”. Një përgatitjet në kushtet e pushimit. “Sigurisht që ka qenë e vështirë, por Teuta është munduar që brenda mundësive të veta të përgatitet dhe të marrë më të mirën e saj. Dhe unë jam i bindur se kemi marrë më të mirën nga ky aktivitet”. Por Teuta tanimë ka hedhur vështrimin në garat e dimrit. “Ne jemi kampion dhe kampion do të vijojmë të mbetemi. Kjo është e qartë për të gjithë. Do të vijojmë stërvitjet intensive për të qenë kampion të padiskutueshëm edhe në dimër, sepse ne jemi Teuta”, ka përfunduar Fico

 

VIVIAN XHEMOLLARI: JAM BRENDA REZULTATEVE TË MIA, JAM E KËNAQUR

Ndër sportistet femra të spikatura në Kupën e Shqipërisë ishte dhe Vivian Xhemollari, e cila arriti të ishte ndërs notaret më të mira të aktivitet. “Unë besoj – thotë Xhemollari për gazetën “Telegraf” – se jam brenda pritshmërive të mira. Dhe vetë jam e habitur se si, sepse kam qenë fituese në disa gara, por gjithsesi jam mirë. Është e vështirë të vish pas pushimeve dhe të garosh. Por gjithsesi unë ia arrita qëllimit dhe mendoj se në garat dimërore do të jem dhe më mirë duke përmirësuar rezultatet e mia në pishinat 25 metërshe”.

 

XHOI LAVDANITI: UNË DHE TEUTA E KEMI MERITUAR SUKSESIN

Për Teutën, sportisti më i mirë ishte Xhoi Lavdaniti, i cili tregon dhe përgatitjet e skuadrës durrsake. “Ndihem mirë me çfarë kam bërë në këtë Kupë të Shqipërisë. Teuta ishte përgatitur mirë gjatë gjithë kësaj kohe dhe kjo u pa dhe në rezultatet që dhanë notarët e tjerë. Unë jam ndjerë mirë me arritjet e mia”, ka nënvizuar Lavdaniti për gazetën “Telegraf”. Tanimë Lavdaniti do të përqëndrohet për garat dimërore. “Unë besoj se në garat dimërore do të jem përsëri brenda pritshmërive të mia dhe me kohë të përmirësuara”.

 

REZULTATET TEKNIKE TË KUPËS SË SHQIPËRISË

FEMRA

50 m stil i lirë                 Julia Xhako (Tirana)               29”66

100 m stil i lirë               Julia Xhako (Tirana)               1’06”56

200 m stil i lirë               Sara Dande (Stela)                            2’21”53

400 m stil i lirë               Sara Dande (Stela)                            4’47”58

800 m stil i lirë               Sara Dande (Stela)                            9’50”12

1500 m stil i lirë             Sara Dande (Stela)                            19’01”28

50 m bretkosë                Telma Harshova (Tirana)                  38”22

100 m bretkosë              Vivian Xhemollari (Stela)        1’23”91

200 m bretkosë              Julka Gjilo (Tirana)                 3’25”41

50 m shpinë                             Elisa Kaçurri (Stela)                34”31

100 m shpinë                 Jona Thomai (Partizani)          1’16”06

200 m shpinë                 Vivian Xhemollari (Stela)        2’32”25

50 m delfin                     Julia Xhako (Tirana)               31”78

100 m delfin                            Kestrina Dande (Stela)            1’14”38

200 m delfin                            Ami Fetishaj (Tirana)              3’05”15

200 m katërnotim          Vivian Xhemollari (Stela)        2’34”06

400 m katërnotim          Vivian Xhemollari (Stela)        5’27”18

SI EKIP: STELA 242 PIKË

NOTARJA MË E MIRË: SARA DANDE (STELA) 1110 PIKË FINA

 

MESHKUJ

50 m stil i lirë                 Dalvi Elezi (Teuta)                  24”91

100 m stil i lirë               Paolo Priska (Stela)                 53”75

200 m stil i lirë               Sofian Sarrag (Teuta)              2’05”37

400 m stil i lirë               Sofian Sarrag (Teuta)              4’25”16

800 m stil i lirë               Sofian Sarrag (Teuta)              9’04”00

1500 m stil i lirë             Sofian Sarrag (Teuta)              17’47”00

50 m bretkosë                Toni Groshi (Teuta)                31”03

100 m bretkosë              Paolo Priska (Stela)                 1’10”18

200 m bretkosë              Toni Groshi (Teuta)                2’42”12

50 m shpinë                             Xhoi Lavdaniti (Teuta)            27”89

100 m shpinë                 Xhoi Lavdaniti (Teuta)            1’00”10

200 m shpinë                 Xhoi Lavdaniti (Teuta)            2’14”69

50 m delfin                     Dalvi Elezi (Teuta)                  27”25

100 m delfin                            Ronaldo Serjani (Butrinti)       59”53

200 m delfin                            Ronaldo Serjani (Butrinti)       2’16”25

200 m katërnotim          Xhoi Lavdaniti (Teuta)            2’12”78

400 m katërnotim          Bjorn Barameta (Teuta)          5’17”60

SI EKIP: TEUTA 284 PIKË

SPORTISTI MË I MIRË: XHOI LAVDANITI (TEUTA) 1279 PIKË FINA

 

TEUTA DHE STELA FITUESIT E KUPËS

Sara Dande dhe Xhoi Lavdaniti sportistët më të mirë të aktivitetit. Gjashtë rekorde të reja kombëtare, që sjellin përmirësime rezultatesh në pishina të hapura

Kupa e Shqipërisë ka sjellë 8 ekipe në kompleksin Akuadrom në Tiranë. Teuta, Stela, Tirana, Vllaznia, Butrinti, Partizani, Vlora Not dhe Tradita, edhe pse në një aktivitet që vinte menjëherë pas pushimesh, kanë hedhur në pishinën e kryeqytetit një numër rekord notarësh. Dy seanca garash në ditë, paradite dhe pasdite, e të premten pasdite, Kupa e Shqipërisë pati fituesit e vet. Për meshkuj ishte Teuta me 284 pikë, e cila pati diferencë të madhe pikësh me Stelën (183 pikë) dhe Tiranën (140 pikë). Për femra u dallua Stela, si gjithnjë në garat e të rriturve, teksa e mori vendin e parë me 242 pikë. Në vendin e dytë Tirana me 168 pikë dhe në vendin e tretë Teuta me 23 pikë. Për sportisten më të mirë ka patur një luftë sportive mes Vivian Xhemollari dhe Sara Dandes, secila me nga pesë gara fituese. Por në fund, edhe mbi bazën e pikëve të FINA-s, ishte Dande fituese, ndërsa Stela mori dy kupat e saj, por dhe një mori medaljesh të tjera. Po kështu garë e fortë për sportistin më të mirë dhe për meshkuj, kjo mes dy notarëve të Teutës, Xhoi Lavdaniti dhe Dalvi Elezi. E në fund i takoi Lavdanitit, që do të ishte dhe rekordmen kombëtar në dy disiplina. Në përgjithësi prindër e fëmijë mbetën të gjithë të gëzuar, kurse tashmë vështrimi do të jetë për garat në pishinat e mbyllura.

GJASHTË REKORDE KOMBËTARE

Kupa e Shqipërisë për të rritur ka dhuruar gjashtë rekorde kombëtare. I pari ka ardhur në 50 metra shpinë nga Xhoi Lavdaniti me kohën e re 27”89. Më pas, për fëmijë të moshës 13-14 vjeç, Julia Xhako e Tiranës në 50 metra delfin do të jepte kohën e re 31”18. Po për fëmijë, tanimë për grupmoshën 11-12 vjeç, Liana Muka e Stelës në 800 metra stil i lirë do të fiksonte kohën 10’10”30. E njëjta notare, po për të njëjtën grupmoshë, tanimë në 1500 metra stil i lirë do të fiksonte kohën e re 19’45”00. Rikthehet tek rekordet Xhoi Lavdaniti, në 100 metra shpinë për të rritur do të jepte kohën e re 1’00”10. Dhe në fund rekordi tjetër i ri do të vinte në stafetën 4×200 metra stil i lirë, kjo nga Teuta, me kohën e re 8’18”15. Kështu me gjashtë rekorde të reja kombëtare, Kupa e Shqipërisë në not për të rritur ka ulur siparin.