Anketa gjermane / Investimet e huaja ia mbathin nga Shqipëria, 38% e biznese parashikojnë largimin, shkak korrupsioni dhe fuqia punëtore

22
Sigal

Alarmi më i zymtë i anketës së bizneseve në 6 vite

 38% e bizneseve gjermane presin rënie të xhiros, parashikojnë shkurtime investimesh

Ndër faktorët që bizneset gjermane vlerësojnë më negativisht në Shqipëri janë transparenca e tenderëve publikë; lufta kundër kriminalitetit dhe korrupsionit, parashikueshmëria e politikave ekonomike dhe siguria ligjore.

 Bizneset gjermane nuk janë optimiste sa i takon pritshmërisë për të ardhurat e tyre përgjatë këtij vitit. Në anketimin e bërë nga Shoqata Gjermane Industrisë dhe Tregtisë në Shqipëri,  rezulton se 38 % e sipërmarrjeve anëtare mendojnë se xhiro e tyre do të bjerë në 2024-ën.

Në raport me vitin 2023, numri i bizneseve që i shohin të ardhurat në rënie është rritur me 20%. Ajo që vihet re është se duke marrë në krahasim anketimet e bëra në 6 vite lidhur me pritshmëritë që kanë sipërmarrjet për të ardhurat e tyre, kjo është shifra më e lartë e regjistruar e kompanive që e shikojnë situatën të zymtë në këtë drejtim.

Nga ana tjetër ka rënë ndjeshëm numri i sipërmarrjeve që mendojnë se të ardhurat e tyre do të rriten, shifër që regjistrohet në 32 % nga 50% që ishte vitin e kaluar, duke u regjistruar si niveli më i ulët i sipërmarrjeve që kanë këtë perceptim, në 6 vite. Ndërkohë që 30% mendojnë se ato do të qëndrojnë të pandryshuara.

Sa i takon zhvillimit të parashikueshëm të numrit të punonjësve, është rritur numri i ndërrrajeve në raport me një vit më parë që planifikojnë të shkurtojnë staf, regjistruar në 22% e të anketuarve, 54 % mendojnë se do ta mbajnë të pandryshuar stafin e tyre dhe 24 për qind mendojnë të rrisin numrin e punonjësve.

Perceptim negativ bizneset kanë sa i takon edhe ecurisë së investimeve kapitale, ku një numër më i lartë se vjet mendojnë se investimet do të bien, apo 24 % e tyre nga 18 për qind, 49 % mendojnë që do vijonë në të njëjtin ritëm dhe 27 % perceptojnë rritje.

Bizneset e huaja ; korrupsioni shqetësim

Mungesa e fuqisë punëtore, kostot e punës si dhe luhatjet e kursit të këmbimit vijojnë në mbeten shqetësimet kryesore për bizneset gjermane në vend si dhe faktorët më me rrezik për zhvillimin e kompanive të tyre. Për ne është e qartë, sipërmarrja dhe investimet mund të begatojnë vetëm atje ku krahas çmimeve të volitshme ka edhe një kuadër të mirë ligjor dhe një administratë transparente dhe me integritet. Mbështesim hapat e Shqipërisë në drejtim të konsolidimit ligjor dhe luftës kundër korrupsionit. Ndër faktorët që bizneset gjermane vlerësojnë më negativisht në Shqipëri janë transparenca e tenderëve publikë; lufta kundër kriminalitetit dhe korrupsionit, parashikueshmëria e politikave ekonomike dhe siguria ligjore.