Eurot marrin pamje të re, Banka Qëndrore Europiane prezanton 10 modelet e reja, qytetarët do të zgjedhin dizajnin fitues

Banka Qendrore Europiane ka prezantuar modelet e reja të kartëmonedhave euro, të parat që do të ridizenjohen që nga hedhja në qarkullim e monedhës së përbashkët në vitin 2002.

Qytetarët e vendeve të Europës do të kenë mundësinë të votojnë për dizajnin e preferuar, ndërsa kartëmonedhat e reja do të hyjnë në përdorim vetëm pas disa vitesh.

NOA

Banka Qendrore Europiane ka publikuar dhjetë propozime për serinë e ardhshme të kartëmonedhave euro, të ndara në dy tema kryesore “Kultura Europiane” dhe “Lumenjtë dhe Zogjtë”.

Në variantin e parë shfaqen figura të njohura si Ludëig van Beethoven, Leonardo da Vinci, Maria Callas, Marie Curie, Miguel de Cervantes dhe Bertha von Suttner, ndërsa në tjetrin dominojnë peizazhet natyrore dhe shpendët karakteristikë të Europës.

BQE ka hapur një konsultim publik deri më 21 shtator, ku qytetarët mund të japin mendimin e tyre për modelet e propozuara. Vendimi përfundimtar mbi dizajnin fitues pritet të merret në fund të vitit 2026.

Kartëmonedhat e reja do të pajisen me elemente më të avancuara sigurie për të luftuar falsifikimin, dhe do të jenë më të lehta për t’u përdorur nga personat me dëmtime në shikim dhe do të prodhohen me materiale më miqësore me mjedisin.

Megjithatë, ato nuk do të hyjnë menjëherë në qarkullim, pasi procesi i prodhimit dhe testimit do të zgjasë disa vite. Kartëmonedhat aktuale do të vazhdojnë të jenë të vlefshme dhe do të qarkullojnë paralelisht me serinë e re.