BSH miraton rregulloren e re, mbi inventarizimin e vlerave monetare dhe materiale

796
Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë miraton rregulloren e re mbi inventarizimin e vlerave monetare dhe materiale në Bankën e Shqipërisë. Kjo rregullore sipas BSH sjell në një version të përmirësuar, tërësinë e rregullave të organizimit dhe mënyrës së kryerjes së inventarizimit fizik të vlerave monetare dhe aktiveve materiale në Bankën e Shqipërisë, duke pasqyruar elementë më të sigurtë për rritjen e cilësisë së kryerjes së inventarizimeve dhe minimizimin e rrezikut.
Rregullorja e re parashikon:
–Zgjerimin e kompetencave për inicimin e inventarizimeve fizike, duke i dhënë këtë të drejtë edhe Inspektorit të Përgjithshëm.
–Kryerjen e inventarizimeve të plota ose të pjesshme, pa u kufizuar në numër.
Rishikimin e objekteve që mund të inventarizohen, duke u pasuruar me elementë të rinj.
Rritjen e periodicitetit për kryerjen e inventarizimit të aktiveve materiale nga tre vjet në një vit.
–Mundësinë e pjesëmarrjes së punonjësit/ve të Departamentit të Kontrollit dhe/ose specialistëve të jashtëm në procesin e inventarizimit.
–Rritjen e cilësisë së kandidatëve që janë pjesë e komisioneve të inventarizimit, duke përcaktuar numrin minimal të anëtarëve që duhet të kenë arsim të lartë dhe numrin minimal të anëtarëve me profesion ekonomist.
–Pasurimin me elemente cilësorë dhe sasiorë të procesit të inventarizimit të arkave në mënyrë që ky proces të jetë sa më gjithëpërfshirës dhe me rezultate sa më të sakta. Për këtë qëllim, është përcaktuar një metodologji orientuese për mënyrën e përzgjedhjes së sasisë që do të kontrollohet si dhe është parashikuar verifikimi i elementeve të ambalazhimit dhe zhvendosja e kolive gjatë inventarizimit.
–Deri tani, proçesi i inventarizimit të vlerave materiale e monetare në Bankën e Shqipërisë është kryer në përputhje me rregulloren përkatëse të miratuar nga Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë në vitin 2006.

Po kështu Këshilli miratoi rregulloren “Për strukturën, kodifikimin dhe amortizimin e aktiveve të qëndrueshme në Bankën e Shqipërisë”. “Rregullorja e re është në përputhje me rekomandimet e auditit të brendshëm dhe të Kontrollit të Lartë të Shtetit. Qëllimi i saj është plotësimi dhe përditësimi i listës së llojeve të aktiveve në Bankën e Shqipërisë. Ajo përafron normat e amortizimit të aktiveve me ato përgjithësisht të aplikueshme në Shqipëri, duke mbajtur parasysh veçoritë e Bankës së Shqipërisë” thekson BSH.

Në përcaktimin e normave të amortizimit rregullorja është mbështetur edhe në Standardet Ndërkombëtare të Kontabilitetit, për sa i përket evidentimit veçmas të pjesëve të rëndësishme të çdo zëri të aktiveve të qëndrueshme, e cila ndikon në llogaritjen. Gjithashtu, është bërë një përjashtim nga llogaritja e amortizimit për vlera unike origjinale të ruajtura që prej ndërtimit të Bankës së Shqipërisë dhe të konsideruara antike e me vlera historike.

Ndryshimet e bëra çojnë në ulje të normave të amortizimit të aktiveve të qëndrueshme në Bankën e Shqipërisë, të cilat shoqërohen edhe me efekte financiare, duke sjellë ulje të shpenzimeve të institucionit në zërat e shpenzimeve të këtij lloji. Në përfundim, Këshilli Mbikëqyrës u njoh dhe me informacione të lidhura me aktivitetin e përditshëm funksional dhe operacional të Bankës së Shqipërisë.
Sigal