Niko Balli: Dardha Turistike e Korçës

167
Sigal

Niko Balli, kryetar i shoqatës dardhare “Shpresa”:
Dardha turistike e Korçës magjia e bukurisë mahnitëse
Jemi në pritje të vizitorëve

Nga Vepror Hasani

16 gushti dita e themelimit të fshatit turistik të Dardhës po afrohet me shpejtësi, – nis të na tregojë z. Niko Balli, kryetar i shoqatës dardhare “Shpresa”, tashmë  nuk ka mbetur edhe shumë kohë kur vendas dhe të huaj nga shumë vende të botës do të mbërrijnë në fshatin më të bukur turistik të kësaj zone dhe më gjerë. Këtë vit do të festohet 400-vjetori i themelimit të tij. Deri më sot është bërë shumë për këtë fshat të bukur me njerëz të mençur dhe punëtorë, të cilët që nga zanafilla e deri më sot kanë mbetur dhe do të vijojnë të mbeten mikëpritës, patriotë dhe njerëz të dashur. Dera e shtëpisë së tyre është e hapur në çdo kohë. Dardha u themelua më 16 gusht të vitit 1624, – tregon kryetari i Shoqërisë dardhare “Shpresa” Niko Balli, – aktualisht mbush 400 vjet nga dita e themelimit. Dardha ndodhet 20 km në juglindje të Korçës, në lartësinë 1,344 metra mbi nivelin e detit, mes kodrave të Shën Pjetrit, Shkëmbit të Vjeshtës dhe disa kodrave të tjera. Klima është ideale, ajëri i pastër dhe i pasur me oksigjen, bukuria madhështore të mahnit. Gjatë dimrit mund të ushtrohesh në sportin e skive, ndërsa në verë mund të soditësh bukuri përrallore. Mikpritja e dardharëve është dinjitoze.

Festimi i ditëlindjes së Dardhës

Festa e Dardhës do të jetë e madhe, e bukur dhe e pafund. Historia e saj do të shpaloset tërësisht. Pjesë të historisë së saj do të lënë të mahnitur gjithkënd. Shumëkush do të mësojë gjëra të reja të cilat deri më sot nuk i kanë ditur. Dardha vijon të mbetet për Korçën një fshat mikpritës me histori të madhe, jeta e saj gjjithnjë priret drejt arsimit dhe dijes. Veç sa më sipër, kryetari i shoqatës dardhare “Shpresa”, Niko Balli, do të ketë edhe ndihmën e Bashkisë Korçë me qëllim që festes së madhe të mos i mungojë asgjë. 400-vjetori i themelimit të Dardhës do të mbetet i paharrueshëm, brezat e rinj do të mësojnë mbi vlerat e njerëzve të këtij fshati, mbi dijet dhe përkushtimin e tyre. Pikërisht aty ajo shfaqet magjiplotë në çdo kohë: dimri e mbulon me borë, pranvera me blerim, vjeshta me ngjyra të larmishme, puhizat me freski, ylberi me bukuri, dielli me shkëlqim, bukuria e saj i ngjason një margaritari, njihet dhe çmohet nga gjithë banorët e Shqipërisë të cilët vijnë aty nga të gjitha anët. Tashmë fshati mbush 400 vjet, ai u themelua prej të ikurve, prej njerëzve që përndiqeshin nga qeveria osmane sepse nuk donin të ndryshonin fenë. Ata, rebelët dardharë, e donin fuqishëm vendlindjen e tyre, truallin ku u rritën.

Dardha me shkollë që nga viti 1768

Në vitin 1768 në Dardhë u çel shkolla e parë, në vitin 1800 nisi të përmendej për përpunimin e drurit, shajakut dhe kostumeve të bukura, veçanërisht spikati përgjatë viteve 1913-1916; në këtë kohë Dardha numëronte 500 shtëpi, kishte 3 kisha: të Shën Thanasit, të Shën Gjergjit dhe të Shën Pjetrit. Në ditëfestat e Shën Marisë dhe Shën Pjetrit në Dardhë vijnë mysafirë nga ana e anës; Shën Maria festohet më 16 gusht, kurse e Shën Pjetri në kishën e Shën Pjetrit, e cila ngrihet mbi një shkëmb, mes një pylli të bukur. Aty ndizet vallja tradicionale, dardharët me kostumet e tyre tradicionale kuq e zi dhe brez argjendi i japin një tjetër hijeshi festës dhe e bëjnë atë të paharrueshme. Ushqimet dhe gatesat janë të shumëllojshme, nuk mungojnë turshitë, rakia e kumbullës së egër me shije të veçantë e zjerë dy herë.

Dardha me shtëpi karakteristike

Gjithashtu në Dardhë gjen shtëpi karakteristike të bukura, mbuluar me plloça guri të hirta, portat zbukuruar me motive artistike, oborret me lule dhe rrugët me kalldrem. Sot nuk mungojnë as hotelet bashkëkohore, as muzeu ku shpaloset historia e këtij fshati të dëgjuar në mbarë vendin dhe më gjërë dhe as shtëpitë e reja. Të preferuara gjatë stinës së dimrit mbeten edhe pistat e skive, mikpritja e banorëve është e veçantë, e rrallë, mbresëlënëse. Shtëpitë e bukura dardhare me kushte mjaft të mira tërheqin vizitorë të shumtë, nuk mungojnë as restorantet; ekziston edhe shtëpia e dikurshme e pushimit, tashmë si hotel dhe restorant. Në Dardhë gjen edhe ty komplekse të mëdha turistike moderne me kapacitete të mjaftueshme akomoduese; njeri prej tyre ndodhet në hyrje të luginës ose në hyrje të fshatit, ndërsa tjetri në qendër të Dardhës. Por hoteli që tërheq vëmendje është Hotel Alpin Dardha, ndërtuar sipas strukturës alpine. Dikur në këtë fshat numëroheshin 100 burime, banorët i kishin shndërruar në çezma që udhëtarët e lodhur nga rruga të gjenin freski, të shuanin etjen dhe të çlodheshin pranë tyre. Banorët e Dardhës merrnin bekime prej tyre.

Kuzhina dardhare dhe skipista

Nëse mbërrin në Dardhë mund të akomodohesh në shtëpinë që të pëlqen më shumë, sepse të gjitha janë të bukura, me kushte komode dhe me mundësi përzgjedhjeje. Gatimet janë të shumëllojshme si: kërnackat, oshmaret, mishi i pjekur, produktet e zgarës etj, kurse gjatë stinës së dimrit të apasionuarit pas skive mund të përmbushin kënaqësitë e tyre sportive. Skipista e Dardhës është 1.5 km e gjatë, 70 m e gjerë dhe funksionim të plotë. Vijon të mbetet një ndër aspektet më tërheqëse të Dardhës. Për të gjitha këto ka vizitore që vijnë në Dardhë edhe dy herë në vit, sepse Dardha është e bukur në çdo stinë. Ay mund të përjetosh shushurimën e pyllit, këngën e zogjve, freskinë e pranverës, ansamblin e luleve të pranverës, ngjyrat ekzaltuese të Gurit të Vjeshtës, geshtenjat e pjekura etj, etj.

Respekti për të vdekurit, siguri për të gjallët

Një histori tjetër e veçantë për fshatin Dardhë vjen prej vitit 1913 nga koloneli Lodeëijk Thomson (1869-1914), i cili bashkë me një oficer tjetër të lartë, të përzgjedhur nga Mbretëria e Hollandës për një mision 3-vjeçar në Shqipëri, zbritën në Vlorë më 10 nëntor 1913, dhe ditë më pas, ndërsa ishin duke kaluar përmes fshatit Dardhë bashkë me 17 ushtarë për të përcaktuar kufijtë e shtetit të atëhershëm shqiptar, ndaluan tek “Çezma e Vishnjës”. Në këtë çast i pari i tyre nisi t’i vështronte i habitur varrezat e fshatit; ato kishin një rregullsi dhe bukuri mbresëlënëse në sistemin e tyre; një prej vartësve të tij iu afrua dhe i tha: “Zotëri, po afron mbrëmja dhe rrugët janë jo të sigurta, duhet të arrijmë Korçën, dhe na duhen 3 orë”. Koloneli Thomson e pa vartësin e tij dhe i bëri shenjë drejt varrezave: “Këta njerëz që respektojnë kaq shumë të vdekurit e tyre, do të dinë të na respektojnë dhe ne të gjallëve. Sonte do të kalojmë natën këtu”. Varrezat e hershme të fshatit ndodheshin pranë kishës së Shën Gjergjit që nga viti 1624. Transferimi i tyre në një vend tjetër ndodhi në vitin 1938, por te vorreza e parë mbetën shumë prej eshtrave të të parëve të dardharëve.

 Do të ngremë një përmendore

Tashmë vorreza lë shumë për të dëshiruar: një portë hekuri mezi mbahet në këmbë; muret rrethuese mungojnë, kafshët hyjnë në vorrezë, shenjat e varreve nuk dallohen më, nuk ka asgjë të shkruar ku të thuhet: “Këtu prehen të parët tanë që prej 400-vjetësh”. Sigurisht, kjo është pjesë e Kishës sonë, – shpjegon Niko Balli, – dhe në bashkëpunim edhe me ta do të përpiqemi të bëjmë të mundur sistemimin e këtij vendi ashtu siç u ka hije dardharëve”, sepse tashmë pas 111 vitesh në atë varrezë nuk ka mbetur asnjë shenjë që të tregojë se aty prehen përjetësisht dardharët që krijuan fshatin më 1624, ndaj ne, si shoqëri dardhare, kemi menduar të bëjmë sistemimin e vendit, pastrimin nga shkuret, rrethimin me mure dhe ngritjen e një përmendoreje ku të shkruhet: “Këtu prehen banorët e Dardhës që prej krijimit të saj më 1624”. Në krye të përmendores do të vendosim flamurin kuq e zi”.


Veshja e grave dardhare, unikale

 Gratë dardhare çdo të kremte mbanin xibunin, veshjen tradicionale të fshatit (edhe në pajë merrnin një të tillë), kurse ditën e martesës visheshin me fustan të bardhë, gjithashtu kishin edhe rrobat që ua sillnin nga mërgimi, por xibuni ishte veshja e preferuar e tyre. Xibuni qepej në Dardhë, përdorej nga pak edhe në fshatrat Sinicë dhe Qytezë. Sipas Sotir Laços dhe Sotir Panit koleksionistë të vjetër, xibuni kishte nisur të preferohej që prej shekullit XIX. Ishte veshja e mirënjohur e vendit. Vallja dardhare nuk mund të kërcehej prej grave pa u veshur me xibun, kurse burrat parapëlqenin veshjen europiane. Gratë dardhare me xibun u fotografuan nga Thimi Raci me një kujdes tepër të veçantë artistik. Për herë të parë në vitin 1931 u fotografuan 10 çifte. Ata që u fotografuan erdhën enkas nga Amerika, të cilët ishin fotografuar edhe në studio prestigjioze. Për realizimin e fotografimit ishte bërë prerja (caktimi) i ditës, përzgjedhja e vendit caktimi i orës, por caktimi i veshjes ishte më i vështiri sepse “ata të Amerikës”, parapëlqenin kostumet europiane, kurse fshati i tyre kishte një veshje të tijën karakteristike për meshkujt, që quhej “mandio”. edhe vallet kërceheshin nga valltaret e veshura me xibun, veshjen tradicionale të fshatit (dhe në pajë e mernin nga një të tillë), ndonëse ditën e martesës e ndërronin me fustanin e bardhë.

Eja në Dardhë!
Uji i dardhës me vlera kurative

Ndaj ejani në Dardhë, gjendet fare lehtë, ndodhet 20 km në juglindje të Korçës, 1344 metra mbi nivelin e detit, mes kodrës së Shën Pjetrit dhe Shkëmbit të Vjeshtës, rrethuar edhe me kodra të tjera. Klima është ideale, ajri i pastër dhe i pasur me oksigjen, preferohet prej gjithkujt dhe në çdo stinë të vitit. Gjatë dimrit gjen aty dëborën e shtruar, pistat natyrore për sportin e skive Nuk mund të lëmë pa përmendur ujin me aromë karakteristike të Dardhës, burimin me vlera kurative për stomakun dhe veshkat. Uji i Dardhës është përdorur që herët për vlerat e tij kurative, aroma dhe shija e tij janë të rënda si pasojë e përmbajtjes së lartë të squfurit, por ka veti kuruese ndaj anemisë, stomakut, mëlçisë së zezë, veshkave e shumë të tjera. Ejani në Dardhë më 16 gusht, ju presim të festojmë së bashku. Këtë vit, këtë festë të bukur e paralajmëruam me herët në krahasim me vitet e tjera, sepse do te jetë një festim i paharrueshëm për çdo pjesëmarrës.

“Hotel Dardha” me 4 yje
Në Hotelin “Dardha” me 4 yje, me 24 dhoma, me bar, me gatime tradicionale, me të gjitha komoditetet e nevojshme, me cilësinë e hotelit grand, me internet, me kontrata të lidhura me gjermënët, me francezët dhe me Izraelitët, ku mysafirëve nuk do t’u mungojë asgjë. Dardha ka qenë është dhe do të vijojë të mbetet fshati më turistik dhe më i kërkuari nga turistët në mbarë vendin. Me ndihmën e Bashkisë Korçë, synojmë rregullimin e godinës së Pleqësisë, rregullimin e rrugës “Sheshi i valleve” që shkon deri në qendër, rreth 2 kilometra, dhe rregullimin e kalldremeve të amortizuar, – përfundoi rrëfimin e tij kryetari i shoqatës Dardhare, Niko Balli.