Bayern Munich vë në shënjestër “diamantin” e Interit

260
Sigal

Merita e madhe e Antonio Kontes në këto dy sezone në drejtimin e Interit nuk ka qenë vetëm puna taktike dhe fizike në skuadër, por edhe vlerësimi i shumë lojtarëve që deri dje mendoheshin se kishin cilësi, por jo që të ishin kampionë absolutë siç po tregojnë sivjet.

Dhe nuk po flasim vetëm për Lukakun, Lautaron, Barelën etj., por mbi të gjitha për më të riun e titullarëve, Alesandro Bastoni. Nëse skepticizmi ndaj tij ishte i madh kur Interi e pagoi 31 milionë euro për t’ia marrë Veronës, asgjë nuk krahasohej me zhurmën që u bë, kur Konte vendosi t’i jepte bluzën e titullarit me shumë besim dhe në fund kishte të drejtë trajneri i milanezëve.

Madje, sot, Bastoni jo vetëm që po e shpërblen Konten, por më shumë se këdo tjetër veten, duke qenë se Interi ka bërë gati kontratën e re për mbrojtësin, duke i dyfishuar rrogën në 2.5 milionë euro neto, plus 1 milion në formë bonusesh.

Por, ndoshta kjo shifër mund të rishikohet edhe një herë nga Interi, duke parë se nga Gjermania vijnë sinjale të frikshme: Bajerni i Mynihut është futur në garë për Bastonin dhe është gati që ta bëjë atë së bashku me Upamekanon mbrojtësin e së ardhmes.

Talenti italian shihet si pasardhësi i denjë i Boatengut, por edhe i Alabës, të cilët do të largohen në fund të sezonit. Ndaj, zikaltrit bëjnë mirë që të kenë kujdes për “diamantin” e tyre, pasi kur bavarezët futen në lojë…