Sigal

Pas 10 fitoresh radhazi në po kaq ndeshje mes kampionatit dhe Ligës së Kampionëve, Juventusi u ndal dje për herë të parë në sfidën e zhvilluar në “Allianz Stadium”, përballë kuqebluve të Genoas.

Skuadra e Allegrit gjeti e para avantazhin në 45-minutëshin e parë të ndeshjes, me anë të yllit portugez Cristiano Ronaldo, i cili shënoi golin e 5-të personal për bardhezinjtë, por vendosi edhe një tjetër rekord në futboll.

Kështu CR7 u bë i pari lojtar në botë, që prek shifrën e 400 golave të shënuar, në 5 ligat më të forta të Europës, ku llogariten golat që ka shënuar me fanellën e Manchester Unitedit dhe me atë të Realit të Madridit.

Objektivi i radhës i portugezit, është që tashmë të shënojë për Juventusin në Ligën e Kampionëve, duke filluar që nga sfida e të martës ndaj ish skuadrës së tij, Manchester Unitedit të Jose Mourinhos.