Fitim Çaushi: Akademia e Shkencave kundër Aklademisë së Shkencave

40
  • -Akademia e Shkencave e vlerëson lart Çabejn por nga ana tjetër e fyen për folklorin në lidhje me Isopolifoninë
  • Akademia e Shkencave në vitin 1997 ka botuar librin: “Çështje të Folklorit Shqiptar” nr. 5.
  • Në të është përfshirë kumtesa e prof. Beniamin Krutës për vendin e Polifonisë shqiptare në polifoninë e Ballkanit”.
  • – Si mund të injorojë Akademia e Shkencave, vet Akademinë e Shkencave,që ka botuar këtë studim dhe ta tjetërsojë Polifoninë shqiptare?
Sigal

Ka shumë akademikë me një vepër apo me vepra shterpë që nuk janë evidentuar kurrë.

Prej Prof. Eqrem Çabejt, veç kulturës së tij të thellë, kemi mësuar të ndjehemi krenarë për kulturën e popullit tonë. Personaliteti i prof. E. Çabejt, si një nga përfaqësuesit më të shquar të shkencës dhe të kulturës shqiptare, përveç fushës së gjuhësisë, është evidentuar edhe në fushën e historisë së letërsisë, kur kjo degë e albanistikës ishte në fillimet e saj.

Prof. Çabej do të ndërmerrte dy prej studimeve të tij më themelore për letërsinë, hartimin e tekstit “Elemente të gjuhësisë e të literaturës shqipe”, botuar më 1936, dhe të studimit sintetik “për gjenezën e literaturës shqipe”, përfunduar në vitin 1939. Interesat e tij shkencore si filolog, e çuan në studimin e letërsisë së vjetër shqiptare, me monumentet e hershme të shkrimit të shqipes dhe me letërsinë e arbëreshëve, e cila duke pasqyruar një fazë të caktuar të zhvillimit të shqipes, i dha atij lëndë për studimet e veta. Gjithë kjo punë, e rreshton prof. Çabejn si një nga korifejt e shkencës sonë kombëtare, misioni i së cilës ishte të nxirrte në dritën e së vërtetës vlerat historike kulturore të kombit, t’i vërë ato në shërbim të përpjekjeve për afirmimin dhe mbojtjen e identitetit kombëtar të popullit të vet.

Njohja e rolit të faktorëve historikë e shoqëror në zhvillimin e letërsisë, duke përfshirë në to traditat dhe mjedisin në kuptimin e gjerë të fjalës, i krijuan Prof.Çabejt bindjen, se kultura shpirtërore “rron jetën e saj organike, shkon pas frymës së kohës dhe ndrron bashkë me të”. Nga kjo premisë buron mendimi i tij se rrethanat historike kanë gdhendur fytyrën e veçantë të popullit tonë, shprehur në poezinë e tij artistike. Ndikimin e rrethanave të veçanta të jetës historike të shqiptarëve në letërsinë e tyre prof. Çabej e sheh në përmbajtejn e saj atdhetare, në faktin se për krijuesit e kësaj kulture është karakteristik tipi i këngëtarit luftëtar, bartës e përhapës i idesë nacionale… të shprehur në historinë, në gjuhën, zakonet, kostumet, në folklor dhe në mbarë kulturën e tij materiale dhe shpirtërore, si rezultante historike: në formimin e etnosit e të kombit shqiptar, të gjuhës e të kulturës së tij. Është theksuar nga studiues seriozë, se në studimin e tij “Për gjenezën e literaturës shqipe”, prof Çabej ka bërë një hap përpara, krahasuar me M. Lambercin.

 

Duke shkruar për literaturën shqipe, prof. Çabej ka theksuar:

“Trajtat e përbashkëta që na shfaqen te kjo nuk janë nga asgjëja: Është shtresa e lashtë shqiptare, e mbetur kaq kohë latente, ajo që shpërthen më në fund në një jetë të re. Njësia letrare ka qenë e gjallë që në fillim, ajo rronte në personalitetin dhe në temperamentin  e shqiptarëve.”

“Kjo shtresë e qëndrueshme, – ka theksuar Prof. Jorgo Bulo, – para së gjithash, në bazën e saj ka jetën dhe botën shqiptare të pasqyruar në kulturën shpirtërore të popullit tonë, ka atë “tradicion sedentar dhe të paprerë që nga koha e vjetër” që i jep kulturës shqiptare fizionominë e saj të veçantë. Në këtë trashëgim me rrënjë të lashta bën pjesë edhe krijimtaria popullore, folklori me pasurinë dhe freskinë e tij të përjetshme, që rrjedh si një rrymë e nëndheshme në damarët e kulturës  e të letërsisë shqiptare, duke vepruar si një traditë e gjallë dhe si një forcë njësuese. Vetëm në këtë kontekst mund të kuptohet interesi i gjallë dhe i pandërprerë shkencor, që tregoi prof. Çabej për folklorin, për rolin e tij në ngjizjen e letërsisë shqiptare dhe në zhvillimin e saj artistik.”.

Prof. Çabej nuk iu kthye problemeve historiko-letrare dhe nuk mund të ndiqte rrjedhat bashkëkohore të letërsisë shqiptare, sepse ishte i preokupuar nga një problematikë shkencore, siç qe gjuhësia historike, së cilës i kushtoi jetën. Por gjithmonë prof. Çabej, ka evidentuar vendin e veçantë që zë folklori në jetën dhe në kulturën shpirtërore të popullit shqiptar.

E mirëkuptojmë dhe e aprovojmë shqetësimin e profesorëve të Peticionit për gjuhën shqipe, por nuk e kuptojmë indiferencën e tyre për kulturën shpirtërore të studiuar prej prof. Çabejt, veçanërisht për folklorin. Si mund të firmos, luftën kundër sharlatanëve, një pseudoakademik si Vasil Tole, i cili e ka tjetërsuar Polifoninë Shqiptare deri në UNESCO?

Akademia e Shkencave në vitin 1997 ka botuar librin:

“Çështje të Folklorit Shqiptar” nr. 5. Në të është përfshirë kumtesa e prof. Beniamin Krutës për vendin e Polifonisë shqiptare në polifoninë e Ballkanit”: “Polifonia shqiptare, mbulon një territor të gjerë, që shtrihet që nga hapësirat veri-lindore përreth Strugës, krahut lindor të liqeneve të Ohrit dhe Prespës, rrethinave të Kosturit dhe krejt Jugun e Shqipërisë, deri në thellësi të Çamërisë.”(Çështje të Folklorit shqiptar, Tiranë 1997, f. 179-191)

Si mund të injorojë Akademia e Shkencave, vet Akademinë e Shkencave,që ka botuar këtë studim dhe ta tjetërsojë Polifoninë shqiptare, duke propaganduar “iso-polifoninë” e sirenave greke si djepin e polifonisë shqiptare?! Përse Akademia Shqiptare mban qëndrim të diferencuar, duke mbrojtur prof. Çabejn në aspektin gjuhësor dhe e injoron atë në aspektin e kulturës shpirtërore? Si mund të mbrohet prof. Çabej dhe të injorohen profesorët e Institutit të Kulturës Popullore: Ramadan Sokoli, Beniamin Kruta e të tjerë studiues të Polifonisë Shqiptare, rezultatet shkencore të të cilëve u asgjësuan, sepse u tjetërsuan në UNESCO si “iso-polifoni” e sirenave greke?! Ata e kanë studiuar krijimtarinë shpirtërore të popullit shqiptar, si Polifoni Popullore Shqiptare të krijuar në Shqipëri nga ky popull, të shpallur qysh në Konferencën e parë të Albanologjisë në vitin 1962, ndërsa akademiku Vasil Tole e ka falsifikuar si “iso-polifoni” me origjinë nga sirenat greke!

Asgjësimin e Polifonisë shqiptare, akademiku Vasil Tole e ka shpallur botërisht në UNESCO:

“Polifonia do të mbetet  gjithnjë një këngë magjike e sirenave.( Faqja zyrtare e UNESCO-s,: videofilmi në linkun: “archives/multimedia/document-610”) shih titrat në  minutazhin 1.41-1.53 të videofilmit! Linku- “albanian-folk-iso-polyphony-00155”)

Si mund ta pranojnë këtë devijim antikombëtar, firmëtarët e shqetësuar për gjuhën shqipe dhe u janë zënë sytë të shikojnë sesi akadamiku Tole ia ka faturuar përjetësisht këngën polifonike shqiptare sirenave greke?! A mund të lejohet përbaltja e popullit shqiptar që e ka krijuar nëpër shekuj këtë Polifoni, si dhe e studiuesve shqiptarë që e kanë studiuar atë nëpër fshatra dhe stane nga Jugu në Veri, duke e grumbulluar në arkivin e Akademisë së Shkencave? Përse nuk konsiderohet edhe Polifonia, një çështje kombëtare shumë serioze dhe një problem që përcakton, krahas gjuhës, identitetin kombëtar, sikurse edhe gjuha?!

Në dy botimet e akademikut Tole, përveç sirenave dhe kuajve, mbizotëron mbretëria e vdekjes, Hadi dhe Lumi i Vdekjes, Akeroni, tek të cilat përpiqet ta lokalizojë territorin ku formohet shtrati muzikor i “isopolifonisë”: “Pavarësisht se, vajtimi për të vdekurit ndjek kudo të njëjtat ligje, nuk do të lihet pa përmendur fakti, se Lumi i Vdekjes – Akeronti – dhe Hadesi- mbretësia e vdekjes, lokalizohen si të tilla në rajonin e maleve të Sulit”.(V. S. Tolie, Pse qajnë kuajt …vep. e cit. f. 53)

Sikundër shihet, akademikut Vasil Tole, i intereson territori i Çamërisë si territor i Greqisë politike!“Ashtu siç formohet Akeronti prej bashkimit të lumenjve më të vegjël…në të njëjtën mënyrë edhe zërat e ndryshëm të iso-polifonisë vajtimtare, krijojnë një shtrat muzikor të ngjajshëm me këtë lumë, i cili kur i vdekuri është ende mbi tokë,  qëndron aty për të bërë lidhjen e këtyre dy botëve…”(Përse qajnë kuajt e Akilit…f.46)

Kjo është çmenduria e radhës e akademikut Tole, e cila buron nga metodologji metafizike. Ai i pasaportizon sirenat në Epir: “Ne i përmbahemi idesë, se vendndodhjen e sirenave mund ta lokalizojmë pranë brigjeve të sotme shqiptarePranë brigjeve të sotme shqiptare, pra në Çamëri! Si e aprovojnë firmëtarët e peticionit këtë diversion të akademikut Vasil Tole?! Është Çamëria, vendbanimi i sirenave greke?!

Profesor Çabej ka shkruar: “Lokalizimi i mitit të Odiseut në Itakë do të thotë se Odiseu është më tepër një hero i Greqisë veriore, pra i një vendi që ka qenë në kontakt të përhershëm me fiset Iliro-Shqiptare. Paul Kretschmeri në veprën e tij “Hyrje në historinë e gjuhës greke”, është i mendimit se ata që shpunë emrin e Odiseut  në Itali kanë qenë fiset Ilire… Odiseu kishte një orakël te Eyrytanët që nuk ishin grekë; mbi lidhjet e ngushta me Thesprotët dhe mbi rolin e rëndësishëm që duhet të ketë luajtur, rolin i tij në Epir të brendshëm… Lufta midis origjinës së errët të mitit të Odiseut, është ndezur rishtazi në polemikë të ashpër midis Siegmund Feistit dhe Rudolf Much. I pari e deklaron Odiseun një hero Ilir, i dyti lufton për origjinën helene. Ne theksojmë vetëm këtë se, teoria e Feistit nuk na duket absurde, po të marrim parasysh zotësinë e madhe të frymës greke në të përkulur, të përvetësuar, të helenizuar të kulteve të huaja. Sidoqoftë një lidhje e afërt e kësaj figure me fiset ilire të Epirit nuk mohohet. Një provë janë edhe paralelet që besojmë se zbuluam midis Odiseut dhe Kostandin – Ymer Agos”.( Eqrem  Çabej, Studime gjuhësore, Prishtinë 1975, f. 99-100)

Dhe më poshtë prof. Çabej vazhdon: “Në artikullin e tij “Gjendja e sotme e studimeve ilire”, Karl Keren, shënon se prehistoriani gjerman Carl Schuchardt shikon te Odiseu “Ilirinë e vërtetë”, sepse ky mbretëron mbi ishuj që janë të sferës ilire dhe dallohet “me urtësinë dhe me gjakun e ftohtë të tij” prej heronjve të tjerë të Iliadës: Gjithçka te Odiseu është detari, gjithçka lot në Mesdheun perëndimor, gjithçka është mënyrë jetese dhe legjendë ilire”. (Eqrem Çabej, Studime gjuhësore, Prishtinë 1975, f. 100)

Në përfundim, prof. Çabej konkludon: “Dijetarë të disiplinave të ndryshme e kanë marrë në sy origjinën ilire të heroit të Homerit. Na vjen mirë të shënojmë, se edhe poezia popullore shqiptare mund të kontribuojë në zgjidhjen e disa problemeve homerike”. (Eqrem Çabej, Studime gjuhësore, Prishtinë, Rilindja, 1975, f. 100) Prof. Çabej i referohet territorit të Greqisë etnike, jo Greqisë Politike, të përcaktuar prej Fuqive të Mëdha pas Konferencës së Ambasadorëve të vitit 1913 në Londër.

Në studimet e tij prof. Çabej ka konstatuar: “Edhe grekët e Epirit këndojnë me melodi labe disi të ndryshuara. Pjesa dhënëse këtu janë shqiptarët, sepse arumunët, grekët, që nuk rrojnë pranë shqiptarëve, nuk i njohin këto melodi”. (Eqrem Çabej , Studime Gjuhësore… f.131)

Sikurse shihet, prof. Çabej konkludon, se në Epir, grekët këndojnë melodi labe, sepse grekët që rrojnë larg shqiptarëve nuk e njohin polifoninë labe dhe çame. Pjesa dhënëse janë shqiptarët, sepse shqiptarët janë autoktonë në Epir, jo grekët. Si mundet të heshtin profesorët firmëtarë, kur akademiku Vasil Tole e poshtëron prof. Çabejn, duke e konsideruar polifoninë e Epirit si “iso-polifoni” të sirenave greke?! Si mund të shkelë akademiku Tole brutalisht mbi studimet folklorike të prof. Çabejt?!

Prof. Çabej ka theksuar:

“Është interesante që kënga e Çamëve të fundit jugor të Shqipërisë u përgjajnë këngëve tëToskëve… për të cilat fletHolger Pederson, të cilit iu paraqitën masa çame, psh: “Se çtarç nga porta/ Dolla nga divani” Shohim kështu se si këngët popullore janë në gjendje të lëshojnë dritë dhe në historinë e fiseve tona.”(E. Çabej, Studime gjuhësore, Prishtinë 1975, f. 101)

Profesor Çabej ka shkruar për këngën shqiptare në Epirin shqiptar, ndërsa akademiku Tole ka shkruar për këngën “iso-polifonike” të sirenave në Epirin grek?! Përse firmëtarët e peticionit nuk e marrin në mbrojtje prof. Eqrem Çabejn edhe në këtë kontribut të tij kombëtar, por lejojnë një sharlatan si Vasil Tole, ta injorojë dhe ta konsiderojë Epirin grek dhe Polifoninë Shqiptare “iso-polifoni” të sirenave greke?!

Ish sekretari i Akademisë së Shkencave të Republikës Franceze, Akademiku Moris Drynon, ka pohuar: “Shqiptarët u përkasin atyre popujve që janë më të vjetër se sa vetë historia. Stërgjyshërit e tyre kanë marrë pjesë në Luftën e Trojës. Ata kanë pasur udhëheqës Akilin dhe mbretin Pirro”. (Spektër 1999, nr 7) Sikurse shihet akadmiku i madh francez e konsideron Epirin si territor shqiptar.

Për Epirin si etnitet Ilir, ka shkruar edhe prof. Shaban Demiraj: “Mendimi i disa dijetarëve, sidomos grekë, që ata flisnin një dialekt të greqishtes nuk del i mbështetur. Përndryshe do të duhej pranuar që  stëgjyshërit e banorëve shqipfolës të kësaj zone, kanë zëvendësuar një popullsi të mëparshme greqisht folëse, çka nuk mbështetet as historikisht dhe as nga rrethanat e njohura. Mund të pohohet, se gjuha amtare në të  ashtuquajturin Epir gjatë shekujve, duke përfshirë edhe periudhën e lashtësisë, nuk ka qenë e ndryshme nga ajo e stërgjyshërve shqiptarëve në përgjithësi.” (Shaban Demiraj, Epiri-Perllazgët, Tiranë 2008, F. 93-94

Përse akademiku Tole të ketë preferenca për Epirin grek, me vendbanim të sirenave?!

Në botimin “Odiseja dhe sirenat grishje drejt viseve iso-polifonike të Epirit”, duket qartë, sharlatanizmi i akademikut Vasil Tole, i cili i paraqet sirenat, jo qenie imagjinare, por qenie frymore që bëjnë përpjetë Epirit! Në ç’vise kanë banuar sirenat para se të grishnin drejt viseve të Epirit? Ç’duan sirenat drejt viseve të Epirit, përse nuk kanë qëndruar në viset e tyre atje në Greqi, po kanë vërshuar drejt viseve të Epirit?! Ku e pa akademiku Vasil Tole, vrapin e sirenave drejt Epirit, kur nuk ka asgjëkundi sirena?! Epir dhe sirena janë dy etnitete të ndryshme! Ti vendosësh sirenat imagjinare greke në Epir, në kohën e antikitetit, do të thotë ta trajtosh territorin e Epirit si territor grek, sepse janë dy të kundërta: ose Epiri do jetë i Ilirisë, ose Epiri do të jetë i sirenave, të cilat prej akademikut Tole, konsiderohen qënie mitologjike greke. Ç’duan qeniet mitologjike greke në territorin Ilir? Si e vërteton Akademia e Shkencave, se Polifonia Popullore Shqiptare e ka prejardhjen prej “iso-polifonisë” së sirenave greke?! Nëse nuk e vërteton dot këtë çmenduri të akademikut Tole, përse nuk e korrigjon?