Parizieni Luan Rama: Mira Kuçuku qeramistja më e mirë shqiptare që pikturon alkiminë dhe magjinë në tym

45
Sigal

Ajo pikturon në botën e tymit kur argjili i nxehtë është ftohur, pikturon pas kalimit të afshit të zjarrit, ajo, e përhitura që shpesh flokët e saj digjen e përzhiten tek përkulet mbi krijimet e saj brenda në furrë në temperaturën e 950° C. Ka duar të rreshkura, por një shpirt të ëmbël, pasionant dhe të gëzuar. Eshtë Mira Kuçuku, qeramistja më e mirë shqiptare, me një eksperiencë prej afro pesë dekadash, gjithnjë me duart në argjil, duke pjekur terrakotat dekorative. Kuçuku bën alkimi, e krijon të bukurën nga zjarri, balta dhe tymi, për ta ftohur pastaj krijesën e saj me ujë ku hiret tashmë janë ngjizur. Të ngjan se ka sakrifiuar duart për t’i dhënë frymë skulpturës. Në afishen e ekspozitës në « Maison de l’Albanie » në Paris na shfaqet « Pranvera » e realizuar pikërisht në pranverë dhe unë e pyes nëse një ditë mund të shohim dhe Verën, Vjeshtën, Dimrin. Asaj i pëlqen të dëgjojë « Katër stinët » e Vivaldit dhe ky cikël do të ishte vërtet interesant ta shihnim shoqëruar nga kompozitori i madh italian. « Sigurisht që këtë cikël do duhet ta realizoj», thotë ajo. Katër vajza për të mishëruar natyrën, evolucionin dhe botën që na rrethon. Pasi lamë ekspozitën e përgatitur për një « vernissage », u ulëm në një kafene pranë, ku turma njerëzore, veçanërisht turistët, rrjedh e zhurmëshme dhe e gëzuar, edhe pse aty përballë janë katakombet me koleksionet e kafkave dhe eshtrave njerëzore mbetur këtu që në sheukujt XVII-XVIII. Mira ka një vështrim disi ëndërrues tek flasim për « katër stinët » dhe unë në telefon vendos të dëgjojmë në sfond një « adaggio » të Albinonit. « Kjo do ishte bukur për personazhin e Vjeshtës »,- thotë ajo. Vështroj sërish “Pranverën” e zgjedhur për afishen e kësaj ekspozite dhe pikas lulet plot ngjyra dhe gjethet mbi portretin e saj, pikturuar me të kuqe, okër, të bardhë dhe argjend. Në dimensione të mëdha, kjo vepër, me koloritin e pasur, freskinë, elegancën dhe sensualitetin e trupit, e vetëm me një sy si tek disa tablo të Pikasos, të imponon ta shohësh gjatë. “Motivin popullor unë e stilizoj – thotë ajo, – i jap një formë moderne!” Krijimet e saj në raku janë të jashtëzakonshme. Poçarët japonezë të shekullit XVI do të ndjeheshin të lumtur të shihnin artin e kësaj shqiptareje me krijimet e saj: për më tepër që kjo teknikë kaq e vjetër dhe moderne sot, është vënë në shërbim të tradicionit shqiptar të krijimeve popullore, miteve, legjendave, çka i jep artit të saj identitet dhe origjinalitet. Të shohësh Rozafën e legjendës shqiptare ashtu të shtrirë në prag të vetsakrifikimit (çka më bën të imagjinoj Rozafën e Urës së Artës) është ti përgjërohesh dashurisë dhe mëmësisë, zjarrit dhe shpirtit, është të sjellësh tregimet pagane dhe t’i shkruash mbi argjil si tekste të shenjta ku figurat e tyre ngjizen përjetësisht mbi argjil.

Po, Mira Kuçuku pikturon alkiminë dhe magjinë në tym ku mbi të zezën e figurës së dalë nga furra ajo nis të pikturojë, të vendosë botën e ngjyrave turkino, të bardhë, të kuqe, portokalle, okër bakër e argjend, ngjyrat e saj të parapëlqyera. Dhe David Roberts, mjeshtri i madh në Toskanë ku ajo mori mësimet e para të rakusë do të krenohej sot me krijimet e qeramistes shqiptare, ku dhe nudot e saj kanë hire të veçanta, vajza me gjinj të bukur, burri dhe gruaja gjithnjë pranë, referencë e Adamit dhe Evës, hire trupore ku duhen orë të palodhura për t’i nxjerrë në dritë, siç e shohim dhe në dy figura interesante që ajo i quan « Familja e peshkatarit » ku peshkatari ka një peshk të bukur si kravatë, ndërsa gruaja e tij, aty pranë, veçmas tij, ka fustanin plot peshq të bukur, sikur këtë ta kishin gjetur tani vonë arkeologët në Pompein e përmbytur dikur nën hirin e vullkanit. Gjithçka e pikturuar bukur në glazura plot elegancë dhe ngjyra që rrijnë bukur në sfondin e të zezës. Siç shihet në terrakotat e mëparshme dhe rakutë tashmë që prej 25 vjetësh, gruaja është preferenca e saj. Jo më kot ajo ka shkruar : « Qeramika është Grua… sepse ka frymën e ngrohtë të tokës. Në përkëdheljet me zjarrin përvëlues, ajo forcohet dhe të befason me të papriturat e saj si një grua tekanjoze që kthehet më e bukur dhe vezulluese pas një luftë dashurie me zjarrin. Qeramika është grua. » Këtu është thënë gjithçka: gruaja, sensualiteti, seksi, pjella, ngjizja e trupave dhe hiret që shpalosen pa asnjë pengesë. Eshtë akti sublim mbi të cilin ngrihet dhe ndërtohet bota ku ne marrim frymë dhe përvijojnë gjeneratat! Po, rakuja është befasuese sepse artisti nuk e di se ç’do të dalë nga procesi i pjekjes. Dimensionet e mëdha rrezikojnë më shumë « Qeramika është tekanjoze veçanërisht me zjarrin »,- thotë ajo. Ja pra zjarri në një dashuri. Rakija si duket e do atë ngadalë. Dhe Mira ka të drejtë. Qeramika është grua dhe këtë ta thonë jo vetëm figurat e krijuara, por dhe duart e saj. Duar puntore, të vrara, që modelojnë gjithnjë baltën.

Ia shoh gishtërinjtë, ia prek. Gishti i madh është shtrëmbëruar disi nga sforcimi i madh gjatë krijimit të figurave, vazove, bashkimit të blloqeve për të krijuar një strukturë të vetme. Po kështu dhe gishti tregues dhe ai ngjitur atij. Abedin Dino që i pikturonte aq bukur duart, do të bënte padyshim diçka të mrekullueshme. Gishtërinj të stërmunduar gjatë pesëdhjetë vjetëve. Gishtërinj krijues e ndërkohë më vijnë në mëndje poçarët e vjetër, madje dhe ata të kohës antike, ku vazot, shtambat, herë-herë kanë formën e një gruaje: një grua që përmes “gojës” së saj të ofron ujë. “70% e qeramistëve në botë janë femra”, më thotë ajo. “Më trego pak për këto mjeshtre që ti i adhuron, – i them kureshtar. Dhe ajo më flet për Melanie Ferguson. “Eshtë një qeramiste e mrekullueshme që qeramikën e trajton bukur nga ana figurative.” Pastaj më tregon për një tjetër artiste të madhe, Magdalena Odundo, nga Kenia, e cila tashmë është në Oksford, me një talent të jashtezakonshëm. Një vazo e saj është shitur në ankand 450 mijë euro.” Eshtë arti i rakusë në tym, janë vazot dhe figurinat që ajo i pjek në mënyrë primitive siç bënin gjyshërit e saj në Kenia. Qeramikat sapo janë vendosur në ekspozitë. Eshtë tradicioni shqiptar i shkruar mbi tymin e rakusë. Aty do të pikëtakoni Virgjëreshën Mari, frymëzuar nga ikona e famshme e Nikolla Onufrit, e shekullit XVI (I578) dhe që kemi parë në kishën e Vllahernës. Eshtë një frymëzim nga skena e Fjetjes së Shën Marisë dhe rituali kristian që e gjejmë kudo në kishat, në portalet, afresket apo sipër ikonostaseve. Ikonat mesjetare na rivijnë këtu në qëndër të Parisit për të na folur mbi një artiste që i është përkushtuar artit edhe pse duart e saj janë djegur shumë herë në furrat e terrakotave dhe të rakusë e që megjithatë guxojnë ende të shkojnë drejt zjarrit si të ishte në botën antike !

Virgjëreshën Mari ajo e kishte menduar gjatë këtë pranverë dhe vetëm në vjeshtë e realizoi me baltën e rakusë. Përmes duarve të saj, në materien frymore të baltës, ajo mori formë. « Nuk doja të kopjoja Onufrin. Doja te krijoja përfytyrimin tim por portreti dhe coha plot ngjyra që mbulohej Maria më tërhoqi menjëherë. Portreti i shenjtes dhe duart e imagjinuara nga Onufri janë realizuar me baltën e rakusë dhe pjesa tjetër është terrakotë e pikturuar në glazurë. Edhe sytë janë në stilin e Onufrit. Kisha menduar se kur kjo artiste punonte, dëgjonte muzikë klasike, por jo, muzikën e kërkon më pas. « Kur punoj dua të jem vetëm me vetveten ». Sa bukur, mendoj, të dëgjosh vetveten siç ndodh nganjëherë me poetët kur krijojnë në vetmi dhe murmurisin vargje. Kështu ajo dëgjon vetveten dhe i flet figurave si të ishin pjellat e saj. “Krijimet janë si fëmijët e mi ! » – thotë ajo si për të mbështetur idenë se qeramika është një grua. Një grua që ajo e krijon natën, që i jep formë, e zbukuron, i gufon gjinjtë në ekstazë apo në mëmësi. « Unë i vizatoj natën dhe ditën punoj për t’i realizuar ». Por realizmi është padyshim një lodhje dhe një ankth më vete pasi në raku shpesh ndodhin krisje. Glazurat janë kristale e madje plasaritjet e mëdha bëjnë të krisë dhe balta e pjekur poshtë, vetë terrakota. « Sigurisht trishtohem kur më ndodh kjo, por menjëherë i them vetes se do ta bëj dhe njëherë. Rakuja kërkon gjithashtu të jesh një piktore koloriste, nuk është thjeshtë teknologji, teknikë…”

Në vitet e pandemisë, e larguar nga qyteti në kodrinat e Ibës, jo larg Tiranës, ku ka një shtëpizë dhe furrën për të pjekur baltën italiane “semira-bianca » (ajo përdor dhe baltën e kuqe shqiptare, baltën okër që gjendet në jug), Mira krijoi një numur të madh figurash, vazosh, kompozimesh, vepra që tashmë nuk i ka më pasi punët e saj kërkohen gjithnjë. Shumë prej tyre vazo, pjatanca, frutore, figura njerëzore, blihen veç shqiptarëve dhe nga diplomatët që janë në Tiranë e përfaqësues të institucioneve ndërkombëtare, nga Banka Botërore apo koleksionistë, nga personalitete në Itali, Francë, Amerikë e gjetkë. Janë hiret e vetë artistes. Vite më parë kisha parë një amforë moderne në raku në formën e një gruaje. Isha habitur fillimthi që koka e kësaj gruaje ishte vendosur anash, e ç’vendosur nga trupi i saj e njëkohesisht e pashqitur me të (kujtoni ikonat dhe afreskët e vjetër kishtare Gjon Pagëzorin me kokën e tij në duar). Ishte diçka e guximshme, sa reale dhe ireale siç bënin dikur surealistët. Arti është një konvencion dhe si i tillë ka shumë vlerë. Eshtë e vërtetë kur ajo thotë: “Kam rënë në dashuri me rakunë!” Një dashuri shqiptare…