Kryesisht në profilet shkenca ekonomike juridike, kimi, veterinari apo gjeodezi…qeveria do të punësojë 1 mijë e 183 vetë në muajt në vijim nga rreth 500 që planifikonte në fund të vitit të shkuar. Në Fletoren Zyrtare është publikuar vendimi i cili e çon në 86 mijë e 457 numrin total të punonjësve në administratën publike qendrore.
Sipas vendimit të Këshillit të Ministrave, pjesa më e madhe e atyre që do të punësohen do të jenë nëpunës të thjeshtë, ndjekur nga drejtuesit e kategorisë së ulët dhe ata të mesëm. Kjo në një kohë që pas digjitalizimit, qeveria ka shpallur si objektiv përfshirjen e Inteligjencës Artificiale në ofrimin e shërbimeve publike.
Në total, me gjithë bashkitë, administrata publike shqiptare përbëhet nga mbi 184 mijë punonjës. Këtë vit, shpenzimet për të paguar rrogat e tyre janë planifikuar në masën 119.7 miliardë lekë. Kjo shifër është sa 5 për qind e gjithë Prodhimit të brendshëm bruto të Shqipërisë në një vit.