Ilir J. Hoxha: Andrea Kureta aq sa “Mjeshtër i Punës” aq edhe “Mjeshtër i Futbollit” kuçovar

31
Sigal

Nga Ilir J. Hoxha

Në memorien e qytetarisë kuçovare emri i Andrea Kuretës kujtohet jo vetëm si një specialist i mekanikës, por kaq mbresa ka lënë edhe si një futbollistë që me disiplinën dhe paraqitjet e tij ishte shembull i breznive të futbollit kuçovar, por jo vetëm . Arsimin e detyruar e filloi dhe mbaroi nga viti 1987-1975 në shkollën “Gaqi Karakashi”, në vendlindje. Më tej nga viti 1975-1979 fillon dhe mbaron Shkollën e mesme Mekanike, po në Kuçovë. Jeta e Andreas është e ndërthurur me atë të “Mjeshtrit të Mekanikës” dhe me atë të “Mjeshtrit të Futbollit”. Për 45 vjet mjeshtri ka punuar si mekanik, por njëherazi ju ka mësuar zanatin e mekanikut, brezit të ri. Përkushtimi dhe profesionalizmi e ka shpërblyer Andrean me titullin “Mjeshtër i Punës”

Pasioni për futbollin ka qenë i hershëm. Futbolli për mbrojtësin e Naftëtarit ka qenë vetë “jeta” e tij. Fati e deshi që në vitin 1971, atëherë kur në Kuçovë të hapet klasa e parë sportive Andrea të fillonte klasën e 5 të duke qenë një nga themeluesit e kësaj risie. Nën drejtimin e trajnerit të mirënjohur Ibrahim Hoxha, 22 nxënësit e parë do të ishin “spartanët” e parë të ngritjes së futbollit kuçovarë. Ka qenë një nga klasat sportive që ka nxjerrë futbollistë nga më të talentuarit në Kuçovë, ishin ata që do t’i jepnin emër futbollit të Naftëtarit dhe kjo falë një trajneri të palodhur si Ibrahim Hoxha. Këta futbollista njihen si “braçista” në futbollin kuçovarë, falë trajnerit të tyre Ashtu sikur edhe bashkëmoshatarët e tij Agim Meta, Dashnor Dume, Vladimir Skuro etj nën drejtimin e trajnerëve  Robert Vasili dhe Bashkim Xheka për  4 vjet do të bënte qëndërmbrojtësin e të rinjve të Naftëtarit. Paraqitja ekselente jo vetëm e tij, por edhe kolegëve të tij tek të rinjtë do të sillte një brezni që do t’i jepte emër futbollit “naftëtaras”. Në vitin 1979 atëherë kur Naftëtari luante në kategorinë e dytë, trajneri i kohës Agim Mukaveli do ta rreshtonte në ekipin kuçovarë krahas personaliteteve të futbollit si Fatmir Ismailit, Ramadan Gegës, Mikel Koreshit, Enver Hafizit, Bashkim Sulejmanit, Agim Priftit, Vladimir Skuros, Aleksandër Koçit etj etj. Andrea dallohej për karakterin e fortë dhe luftën e pakompromise sportive. Falë disiplinimit në stërvitje kishte një pregatitje fizike dhe atletike nga më të mirët e ekipit. Në memorien e tij mbrojtësi kuçovar kujton takimin e parë atë që ka luajtur kundër Tomorrit në vitin 1979.  Vetëm një vit më pas Naftëtari do të kalonte në kategorinë e parë të asaj kohe dhe futbolli i Naftëtarit do të niste të shkruante historinë e sukseseve dhe të spektakleve të futbollit të tij.

Në përgjithësi ndeshjet  derbi kanë qenë të luftuar dhe me nerv, por nuk besoj se gjendet ndonjë derb si ai i asaj kohe midis Naftëtarit dhe Tomorrit. Ndeshjet me Tomorrin kanë qenë ngahera nga më të fortat dhe më të bukurat. Përtej afërsisë, rivaliteti me beratasit ka qenë “agresiv”, por tejet sporivë. Në ditën e derbit nuk kishte vende në stadiumet respektive. Pothuaj e gjithë Kuçova zbarkonte në Berat dhe anasjelltas. Ishin ndeshje që nuk harrohen me plot emocion.

Po tani…?

Natyrisht nuk më vjen mirë që Naftëtari të katandiset këtu. Naftëtari ka shkruar historinë me paraqitjet e tij në futbollin shqiptar, ndërsa tani… Futbolli kërkon pasion dhe vullnet. Fanella e Naftëtarit është e rëndë dhe nuk e ka vendin në kategorinë e tretë. Ne kur dilnim në fushë kalonim në botë tjetër, vetëm për të dhënë maksimumin. Përtej parave, ajo që nuk motivon është  dëshira dhe mungesa e disiplinës në stërvitje, por jo vetëm. Nuk e di por do të desha ta shikoja edhe njëher naftëtarin në superligë, sepse talented I ka por kërkojnë menaxhim nga instancat përgjegjëse, që mesa shikoj futbollin e kane terciar”- do të shprehej në një prononcim mbrojtësi që për 13 vite do të blindonte  krahun e djathtë “naftëtarase”

Pyetje se cili ka qenë ekipi më i mirë ndër vite, mbrojtësi do t’i përgjigjej. -Çdo brezni me aq sa ka patur mundësi ka lënë gjurmë në futbollin tonë, por mendoj se ai i viteve 1980-1981 ka qenë më i kompletuari

Andrea është një qytetar që gëzon respektin e një qyteti, por duke qenë shëmbull i një familjari korekt dhe dinjitoz. Gjithnjë në mbështetje të futbollit ai asnjëherë nuk i ndahet Naftëtarit edhe pse rezervat i ka të mëdha, njëhera ai është  një nga anëtarët më aktiv të shoqatës “Tomorri”.