Kryesia e PD vendos për fillimin e analizës së brendshme, të premten mblidhet Këshilli Kombëtar

41
Sigal

Kryesia e Partisë Demokratike ka vendosur në mbledhjen e sotme për fillimin e procesit të analizës së brendshme të partisë, pas zgjedhjeve lokale të 14 Majit.

Lajmi është bërë me dije nga zyra e shtypit të PD-së. Gjithashtu, bëhet me dije se janë miratuar edhe drejtimet dhe modalitetet që do të ndiqen për analizën e brendshme.

Kryesia e PD-së ka marrë gjkithashtu vendim të thërrasë ditën e premte në orën 19.00 mbledhjen e Këshillit Kombëtar për miratimin e dokumenteve përkatëse.

Kreu i PD-së, Sali Berisha mblodhi ditën e sotme Kryesinë p[ër të diskutuar në lidhje me zgjedhjet e 14 majit dhe dosjen që ata kanë hartuar për atë që e cilësojnë si dokument i vjedhjes së votës. Vetëm fjala e liderit demokrat ishte e hapur për publikun, ndërsa më pas diskutimet vijuan me dyer të mbyllura.

Gjatë fjalës së tij, Berisha deklaroi se pas denoncimeve për manipulimin e zgjedhjeve, do të kalojnë në një fazë të re të një analize të thellë, të plotë dhe të gjithëanshme të PD mbi funksionalitetin e saj gjatë fushatës elektorale, paraelektorale, gjatë procesit zgjedhor të 14 Majit.

Berisha bëri me dije dhe se raporti me mbi 600 faqe për “farsën zgjedhore të 14 Majit”, siç e quajti ai, është dërguar dhe në institucione ndërkombëtare dhe do t’iu dorëzohet të gjitha kancelarive perëndimore.

“Koha është pa ndjenja, pa mëshirë, ndaj dhe nuk njeh as halle, as vakanca asgjë, ajo ecën, ecën dhe vetëm ecën. Kështu që, mblidhemi për t’i qendruar asaj në ballë, në detyrën tonë. Ndaj edhe, e thirrëm këtë mbledhje për të kaluar tani, për të mbyllur një fazë jashtëzakonisht të rëndësishme që ne e kemi cilësuar mbrojtjen e votës dhe për të kaluar në një fazë të re të një analize të thellë, të plotë dhe të gjithëanshme të PD mbi funksionalitetin e saj gjatë fushatës elektorale, paraelektorale, gjatë procesit zgjedhor.

Grupi i punës i ngarkuar për hartimin e raportit të procesit zgjedhor me në krye z.Bylykbashi, znj.Albana Vokshi, Ivi Kaso, Gent Strazimiri, Ervin Minarolli, dhe të tjerë mund të them se kanë bërë një punë jashtëzakonisht serioze. Ata në mbi 600 faqe, dhe ky është raporti. Në mbi 600 faqe kanë dokumentuar me fakte, me dokumente të gjithë farsën zgjedhore të 14 majit. Ky ishte detyrim madhor i yni. Forca jonë politike i detyrohej çdo qytetari shqiptar që beson në zgjedhje të lira, çdo demokrati dhe demokrateje që investoi në këtë proces zgjedhor. Ky raport i cili tashmë është dërguar dhe në institucione ndërkombëtare, do t’iu dorëzohet të gjitha kancelarive perëndimore, do t’i dorëzohet të gjitha mediave në Shqipëri dhe në botë, të gjitha institucioneve ndërkombëtare. Është raporti i dramës së një kombi që i kanë mohuar të drejtën e votimit, ose ia kanë shndërruar në fiktive të drejtën e votimit. Është raporti që akuzon një shtet të inkriminuar nga baza, deri në keun e tij Edi Ramën, që asgjëson Kushtetutën dhe Kodin Zgjedhor për karrigen e tij. Është raporti që fakton se si Edi Rama, pasi shpalli kodin zgjedhor kinezëri, kushtetutën e procesit zgjedhor që në tërësinë e tij mishëron parimet më kryesore të Kushtetutës së vendit, të Kodit të Venecias, Kartës së Kopenhagenit për zgjedhjet e lira dhe dokumenteve të tjera ndërkombëtare. Pasi i ra kryq dhe tha se ky është një kinezëri, ai u angazhua me përkushtimin më të madh në farsën më të shëmtuar zgjedhore në historinë e vendit, në procesin zgjedhor më të pabarabartë që Shqipëria kishte parë ndonjëherë nga viti 1990 deri më sot.” – deklaroi Berisha.

Mbetet për t’u parë nëse a do të ketë ndryshime tek drejtimi i institucioneve të PD-së apo tek drejtuesit politik të qarqeve, pas analizës së brendshme që do të zhvillojë PD.