I humbi portofoli në plazh me një sasi të konsiderueshme parash, policët në Shëngjin e gjejnë gjatë patrullimit

52
Sigal

Shëngjin, Lezhë

Qytetares i humbi portofoli me një sasi të konsiderueshme parash, 2 punonjës policie e gjejnë portofolin gjatë patrullimit me biçikleta dhe ia dorëzojnë qytetares.

Sot, në plazhin e Shëngjinit, 2 punonjës policie Elson Rasha dhe Fabjola Tula, gjatë patrullimit me biçikleta në Shëngjin, kanë gjetur në tokë një portofol me një shumë të konsiderueshme lekësh dhe euro.

Menjëherë, ata kanë njoftuar sallën operative, e cila iu ka bërë me dije që në sallën operative nuk kishte mbërritur asnjë telefonatë për një portofol të humbur. Të ndodhur në këto kushte, punonjësit e Policisë kanë hapur portofolin brenda të cilit kanë gjetur një dokument identifikimi të një shtetaseje dhe kanë filluar kërkimet për gjetjen e shtetases që i përkiste portofoli.

Pas disa orësh kërkime nga punonjësit e Policisë, u bë e mundur gjetja e kësaj shtetaseje dhe iu dorëzua portofoli që ajo kishte humbur.

E zonja e portofolit ka falënderuar punonjësit e Policisë për korrektësinë dhe për gjestin e tyre, që tregon vërtet misionin që ka Policia, shërbimin ndaj qytetarëve.