KOMENT/ Dy miqësoret me humbje me skuadra inferiore, zhgënjim që në startin e trajnerit italian
Dy miqësore dhe dy humbje, kjo ka qënë nisja më e keqe që trajneri i ri i Kombëtares sonë të futbollit Rolando Maran, nuk do ta kishte menduar të tillë. Shqipëria nuk ja doli që, jo vetëm të fitonte apo të barazonte në një nga këto ndeshje në harkun e 180 minutave lojë, por as edhe të shënonte një gol nderi në këto dy sfida, të cilat teorikisht u tha se i shërbejnë më shumë njohjes nga trajneri i ri, apo edhe kolaudimit për ndeshjet e Ligës së Kombëtave për muajin shtator 2026. Shumë mirë me synimin, po nisur nga rezultati që tregoi edhe forcën e mundësitë e skuadrës në fushën e lojës, çfarë njohje do kemi me lojtarët që shëtisnin fanelën në fushë, me të vjetër e të rinj që nuk u akorduan për një gol të vetëm?! Në këtë situatë, vetëm një detaj do të mbetet si pozitiv në histori dhe në kujesë, sepse sfida ndaj Luksemburgut ishte ndeshja numër 100 e mbrojtësit Elseid Hysaj me Kombëtaren shqiptare. Kthehemi te ndeshjet miqësore. Patjetër që një humbje në shtëpi me një ekip si Luksemburgu, i kuotuar shumë më poshtë se ne, është zhgënjim. Këtu kemi bërë hapa mbrapa në krahasim me kualifikueset e Botërorit. Ndoshta nuk është e lehtë që skuadra të mbajë ritmin e ndeshjeve kualifikuese për Botërorin, dhe nuk duhet të kthemi ta fillojmë punën aty ku u la Silvinjo, me të cilin Kombëtarja erdhi deri këtu. Pyetjet vijnë radhazi, por edhe pikpyetjet të tilla duken. Sepse mendohej që në dy miqësoret e humbura, me Izraelin dhe me Luksemburgun, trajneri i ri, një apo dy lojtarë të rëndësishëm të talentuar mund të përfshinte te ky grup, në mënyrë që të na jepnin diçka më tepër që na mungonte për të shkuar në Botëror. Por siç u pa në 180 minutat miqësore, gjithçka duhet të nisë nga e para. Nuk do jetë kollaj të mbajmë atë ritëm, atë performancë dhe atë lojë, ndaj pas këtij studimi që trajneri Maran i bëri gjëndjes së futbollistëve dhe harmonizimit të vlerave të tyre në fushë, i del shumë punë përpara. Përfundimisht, si një trajner debutues me kombëtaret, Maran duhet që mos të mbetet vetëm te konstatimi i problemit. Brënda profesionalitetit të tij, trajneri të kuptojë se Kombëtarja është një ndërtesë e ngritur që ka nevojë vetëm për meremetime, nuk ka nevojë që të ribëhet nga fillimi. Ndryshe, pas Ligës së Kombeve në Grupin C1, mund ti drejtohemi Grupit D!
Dy humbje, dy zbritje në renditjen e FIFA-s
Pas humbjes me skuadrën që mban vendin e 98-të në renditjen e FIFA-s, me Luksemburgun, Kombëtares sonë i janë zbritur -6,45 pikë. Por duke duke i shtuar edhe humbjen me Izraelin, pikët e humbura për këto dy ndeshje shkojnë në -12,03. Kështu, Shqipëria ka rrëshqitur me një pozicion pas secilës prej ndeshjeve, duke e parë tashmë veten në vendin e 66-të në klasifikimin e FIFA-s, 2 më poshtë në krahasim me muajin e kaluar në renditjen që do të zyrtarizohet më 10 qershor.

BILANCET NEGATIVE TË MIQËSOREVE
BILANCI ME IZRAELIN BILANCI ME LUKSEMBURGUN
Nd 7, F 1, B 0, H 6, G 2:13 Nd 8, F 3, B 1, H 4, Golat 8:8
LIGA E KOMBEVE 2026
GRUPI C1
Skuadrat Nd P
1.Shqipëria 0 0
2.Biellorusia 0 0
3.San Marino 0 0
4.Finlanda 0 0
Ndeshjet e Shqipërisë
Datë 26 shtator 2026
Shqipëri-Biellorusi 20:45
Datë 29 shtator 2026
San Marino-Shqipëri 20:45
Datë 3 tetor 2026
Finlandë-Shqipëri 15:00
Datë 6 tetor 2026
Shqipëri-San Marino 20:45
Datë 12 nëntor 2026
Shqipëri-Finlandë 20:45
Datë 17 nëntor 2026
Biellorusi-Shqipëri 18:00
Fakti/ Nga pesë trajnerë italianë në 24 vite, njëri i suksesshëm

Nëse i referohemi periudhës së drejtimit të FSHF-së nga Armand Duka si President (nga shkurti 2002 e deri më sot, 24 vite), Kombëtaren shqiptare të futbollit e kanë drejtuar 5 trajnerë italinë: Xhuzepe Dosena, Xhani De Biazi, Kristian Panuçi, Edi Reja e së fundmi Rolando Maran. Me katër të parët bëhet një bilanc, ndoshta për të nxjerrë përfundimin (të saktë ose jo), se sa vlera trajningu kanë dhënë këta teknikë te Kombëtarja jonë. Nisja me Bepe Dosenën ishte shkurtër, por emri i madh si lojtar u duk i pa arritshëm edhe si trajner. De Biazi u shqiptarizua me futbollin tonë, duke arritur për herë të parë në histori që Shqipëria të luante në finalet e një Kampionati Europian. Panuçi doli më i dështuari nga trajningu italian, ndërsa me Edi Rejën u mbajt stabiliteti i De Biazit. Me Rolando Maran, situatë gri duket në nisje.





















