Ristani letër Metës: Balla nuk mund të drejtojë më seancën me Berishën

309
Sigal

Kërkesën që e bëri publikisht në mbledhjen e komisionit për përjashtimin e deputetit socialist Taulant Balla nga drejtimi i seancës dëgjimore me ish-kryeministrin Berisha, për çështjen hetimore të CEZ, demokrati Arben Ristani ia ka dërguar zyrtarisht edhe kreut të Kuvendit Ilir Meta.

Në letrën zyrtare, Ristani sqaron se pse Taulant Balla nuk mund të drejtojë mbledhjen e seancës dëgjimore me ish-kryeministrin, duke përmendur këtu një dënim me gjobë që sipas tij është i formës së prerë.

“Është fakt i njohur publik se kryetari i Komisionit Hetimor z.Balla është dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë për shpifje ndaj djalit të ish-kryeministrit Berisha dhe njëkohësisht është debitor ndaj tij në vlerën e 1 000 000 (një milion) lekë. Konkretisht, me vendimin nr.1419, datë 09.06.2015 të Gjykatës së Apelit Tiranë, është vendosur: ‘Lënia në fuqi e vendimit nr. 5245, datë 13.05.2013 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, me ndryshimin; detyrimin e palës së paditur Taulant Balla të dëmshpërblejë paditësin Shkëlzen Berisha me vlerën e 1 000 000 lekë për dënim jashtëkontraktor të shkaktuar”, thuhet në letrën e Ristanit.

Ky fakt publik-vijon nënkryetari i komisionit hetimor- provon se midis z.Balla dhe ish-kryeministrit z.Berisha dhe të afërmve të tij ekziston një mosmarrëveshje.

Kjo mosmarrëveshjes sipas deputetit demokrat, përbën shkak serioz dhe të rëndësishëm për njëanshmëri, çka e bën të detyrueshëm përjashtimin e zt.Balla nga drejtimi i seancës dëgjimore.