Të dielën zyrtarisht Kryetari i bashkisë së Tiranës Erion Veliaj përmbylli vizitën disa ditore në Japoni me një takim që ai pati me komunitetin shqiptar në Tokio. Ishte vetë kreu i bashkisë së Tiranës ai që publikoi dhe ndau momente nga ky takim. Veliaj nënvizoi rolin kyç që ka komuniteti shqiptar në Japoni në forcimin e lidhjes mes dy vendeve. “Në mbyllje të vizitës së shkurtër ne Tokio, një përqafim me komunitetin ne Japoni, modest në numra, por kyç për forcimin e lidhjeve! Shumë mirënjohje Ambasadores dhe misionit tonë të Ambasadës në Japoni për punën e palodhur e të përkushtuar prej vitesh”, -tha përmes një reagimi Veliaj. Gjatë vizitës në Japoni, Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj promovoi Zonën e Lirë Ekonomike “TEDA Tirana”, për kompanitë japoneze në fushën e teknologjisë gjatë samitit të Teknologjisë në Tokio, ndërkohë që është takuar me përfaqësues të shtetit si kryetarja e Bashkisë së Tokios, Yuriko Koike duke theksuar se marrëdhëniet e mira që janë do të fuqizohen edhe më tej. Më herët ai pati takim edhe me kreun e Komitetit të Miqësisë shqiptaro-japoneze Minoru Kiuchi. “Është gjithmonë kënaqësi të takoj mikun e mirë, Minoru Kiuchi, kryetari i Komitetit të Miqësisë Shqiptaro-Japoneze! Mezi pres më shumë bashkëpunime midis Tokios dhe Tiranës në biznes, turizëm dhe politikë”,- shkruan Veliaj. Më herët, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj u prit dhe nga kryetarja e Bashkisë së Tokios, Yuriko Koike. Veliaj zhvilloi një vizitë në Tokio të Japonisë, ku përfaqësoi edhe rrjetin e qyteteve anëtare të B40-ës, Presidencën e së cilës këtë vit e mban Tirana.