Kryetari i Prezencės sė OSBE-së në Shqipëri, ambasadori Vincenzo Del Monaco, paraqiti, në Këshillin e Përhershëm të OSBE-së, në Vjenë, raportin vjetor të punës së Prezencës në Shqipëri. Por janë përfaqësuesit e Britanisë së Madhe dhe ai i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Këshillin e Përhershëm të OSBE-së: ata që në mënyrë indirekte ka zbuluar thelbin e përmbajtjes së raportit të zyrës së OSBE-së në Tiranë. Të dy e falenderojnë ambasadorin Del Monaco për pasqyrimin që ka bërë për situatën e medias dhe atë të korrupsionit e krimit të organizuar, çka tregon shqetësimet që ka ngritur ambasadori i OSBE-së për këto dy fusha të rëndësishme, që kanë të bëjnë me situatën në Shqipëri. Më konkretisht, zëvendësambasadori britanik, Deirdre Broën në ndërhyrjen e tij e ka përqendruar fjalimin e tij në reformën zgjedhore, lirinë e medias, anti-korrupsionin dhe luftën kundër krimit të rëndë të organizuar dhe trafikimit. Sa i përket lirisë së medias, duke iu referuar pikërisht konstatimeve të bëra nga Del Monaco, ai thotë se “siç vë në dukje raporti juaj, Indeksi i Lirisë së Medias, i publikuar nga Reporterët pa Kufij në maj 2022, e renditi Shqipërinë në vendin e 103-të, duke rënë me 20 vende në krahasim me vitin 2021”. Më tej ai thekson se “gazetarët duhet të jenë në gjendje të raportojnë në mënyrë të lirë dhe të saktë për t’i kërkuar llogari atyre që janë në pushtet, të ekspozojnë korrupsionin dhe informojnë qytetarët”. Shqetësimin mbi gjendjen e medias në vendin tonë që trajton raporti e konfirmon edhe përfaqësuesi amerikan, i cili në fjalën e tij thotë se “ne përgëzojmë punën tuaj për të promovuar lirinë e medias dhe lirinë e shprehjes në Shqipëri”. Jo vetëm kaq por në fjalën e tij ai i ka bërë thirrje Shqipërisë që të sigurojë lirinë e shprehjes dhe medias. “Ne vazhdojmë t’i bëjmë thirrje Shqipërisë të mbrojë sigurinë e gazetarëve dhe të mbështesë më tej lirinë e medias”, -shprehet diplomati amerikan në ndërhyrjen që ka bërë gjatë diskutimit të raportit të OSBE-së. Këto shqetësime vijnë në një kohë kur në mediat në Shqipëri kanë denoncuar ndërhyrjet dhe sjelljen e kryeministrit Edi Rama ndaj mediave dhe në mënyrë të veçantë ndaj gazetarëve.