Suplementi Pena Shqiptare/ Fatmir Minguli: Një “rikthim i dyzuar” i shkrimtarit Bashkim Hoxha

65
Sigal

(Rreth disa mendimeve  për subjektin e romanit”Rikthimi” të Bashkim Hoxhës. Josef, 2025, Durrës)

Jeta është e çuditshme, vimë me asgjë

dhe luftojmë për gjithçka,

dhe në fund lemë gjithçka,

dhe shkojmë me asgjë.
Jill Schmidt

Fill mbas botimit të librit gadi çudibërës “Postscriptum”, hamendësimet për daljen nga shtypi të këtij libri  ishin të shumta, ku midis tyre tingëllonin me intonacione të larta fjali të  gjata për një fund të shkrimeve si romancier të Baç Hoxhës. Hamendësimet e tjera, që kishin aromën e kripës së detit durrsak ishin dhe ato se “një fillim e ka një fund”, apo se “me  këtë libër ai shkrimtar e mbylli me nder”, apo edhe se “si gazetar ai është më mirë se shkrimtar…!”

Hamendësimet janë pronë e zëdhënësit të tyre dhe ato herë mbetën të mbytura nga zhurma e rrugëvë dhe buritë e makinave e herë dëgjohen disi me zë  më të lartë se zërat e  klientët e kafenesë “Imazh…!” në periferi të veriut të Durrësit. Ndoshta dhe në ndonjë bar “Patrioti” në jug të Durrësit.

Një zot e di!

Një ditë të bukur pranvere unë kisha në dorë një libër të ri të Bashkim Hoxhës me titullin “Rikthimi”; bukur! Po ky libër nga doli? Po ata hamendësuesit i paskan hapur dritën e rrumbullakët jeshile të semaforit të botimit të librave!!

Po hamendësimet! Po ata që hamendësojnë!?

Libri i ri i epokës pas “Postscritum” i Bashkim Hoxhës vjen  si një rrufe në qiell të kaltër, sepse ështe një roman jo vetëm “suigeneris”, por është në hullinë narrative të shkrimtarit dhe jo gazetarit Bashkim Hoxha. Kjo hulli narrative fillon e dredhohet dhe merr forma të ndryshme, rrugë kalime e pasuorde të fshehta në stil në subjekt duke na sjellë një vepër dinjitoze në letërsinë shqipe.

Romani “Rikthimi” në embrion të subjektit ka “zhdukjen “ fizike dhe rikthimin në qytet të heroit të luftës së fundit në Ballkan. Ai bashkë me shokët dhe të dashurën e tij luftuan me pathos për atdheun e pushtuar nga të huajt dhe ia arritën të fitojnë e ta sjellin lirinë në shtëpitë e tyre.

Heroi, për të cilin mendohej se ishte vrarë nga një predhë armike, ishte gjallë. Dyfish i gjallë. Një statujë e madhe qe ngritur në qytetin e tij të lindjes dhe njëkohësisht ai ishte pjesë e një grupi cirku që vepronte po në atë qytet. Statuja dhe vetë heroi në cirk kishin një ngjashmëri të veçantë, por forca e besimit se ishte vrarë ishte më e fortë se psikoanaliza për ngjashmërinë.

Po! Ishte rikthyer.

E bashkë me të, andralla, projekte që planifikonin vrasjen e re të heroit, luftë për t’i marrë të dashurën. Po ai ishte rikthyer! I plotë, i fuqishëm, tërë jetë e dëshirë për të jetuar, po ata hamendësuesit e vranë me revolver të mbështetur në trungun e një peme dhe në këmishën e bardhë pranë zemrës shfaqej një njollë e fortë e kuqe, gjaku.

Kush e vrau? Në këto stade romani kalon në sistemin e kërkimit të vrasësit mes shokëve të cirkut e diku më tej deri dhe në idenë e një vetvrasje. Skena që më kujtojnë librin e Agata Kristit, “Një vrasje në trenin Orient-ekspres” apo skena nga filmi francez “Maria Oktobër…”

Ky është rikthimi i Bashkim Hoxhës si shkrimtar. Një rikthim nëpërmes rikthimit të heroit të romanit “Rikthimi” me statujë në qendër të qytetit.

Pasazhet narrative në faqet e romanit, si Askushi, Antinori, Penelopa, Eurimaku janë tejet sugjestionuese, plot me mendime që sa të thjeshta duken si shprehje, po aq të komplikuara bëhen në një analizë më të thellë. Pjesët ku flitet për urrejtjen apo dhe për kategori të tjera jetësore, janë postulate për ditët e sotme. Tek lexon këto përcaktime mendja e lexuesit shkon shpesh te ajo njolla e gjakut në këmishën e heroit Uliks që u rikthye. dhe nuk ishte thjeshtë njollë gjaku… ndoshta…

Ky roman, i ndërtuar me parime të reja narrative është me të vërtetë një rikthim, jo vetëm me veprat e Bashkim Hoxhës, por një rikthim në botën e romanit shqiptar të ditëve tona ku shpesh ndeshemi me emra shkrimtarësh të dëgjuar të metropolit se romanin e konsiderojnë si një mjet shkallë ngjitës drejt një piedestali të lënë bosh.

Bashkim Hoxha transmeton dije dhe kulturë, qetësi dhe ftesë për rikthim jo vetëm në romane, por në botëkuptime të kohës, në dobi të njerëzve nga më të thjeshtët e deri te VIP -at e ndershëm. Jo më kot ai në këtë roman bie paralelet me emrat e personazheve të “Odisesë” të Homerit, emra që mësuesi i heshtur Valdrin ua rekomandon djemve të gjimnazit si pseudonime  kur ata dolën malit për liri.