Parlamenti kapitullon para Partisë-shtet

499
Sigal

Ministrat Leshi dhe Manastirliu shpërfillin komisionet parlamentare se nuk duan të japin llogari, ndërsa Shahini e brektis, pasi mendon që posti i qeveritarit është mbi parlamentin. Për ministrat socialistë; ligji, morali, rregulli është vetëm lideri i partisë 

Ministrat socialistë shpërfillin komisionet parlamentare, nuk duan të japin llogari

Parlamenti kapitullon para Partisë – shtet

Jakup B. GJOÇA

Ministrat socialistë shpërfillim komisionet parlamentare, nuk shkojnë për të dhënë llogari. Edhe në ndonjë rast, që shkojnë, me arrogancë e braktisin komisionin parlamentar, thua se ministrat janë mbi parlamentin, për këta deputetë, që shpërfillin komisionet parlamentare nuk kanë më vlerë ligjet, Kushtetuta, derisa ministrat e vënë vetveten edhe mbi Parlamentin. Për këta ministra që nuk shkojnë në komisionet parlamentare, ose i braktisin komisionet parlamentare, kur vjen çasti që ata duhet të japin llogari, rëndësi ka vetëm, përulja, servilizmi, “respekti” vetëm ndaj shefit të tyre, kryeministrit.

Ministri i Brendshëm Lleshi nuk denjon të shkojë në Komisionin Parlamentar të Medias

Pra disa ditësh, Komisioni Parlamentar i Medias kishte ftuar për dëgjesë ministrin e Brendshëm Lleshi, për ta dëgjuar për dhunën që policia e Shtetit përdori në mjediset universitare kundër studentëve protestues. Ministri Lleshi, as denjoi të shkonte, as denjoi që të jepte ndonjë shpjegim të arsyeshëm të mungesës së tij. Jo vetëm kaq. Munguan nga kjo dëgjesë edhe deputetët socialistë, anëtarët e Komisionit Parlamentar të Medias, duke dëshmuar se mungesa e ministrit është konspiracion politik kundër Parlamentit.

Ministrja e Shëndetësisë Manastirliu nuk shkon në Komisionin Parlamentar të Shëndetësisë

Komisioni Parlamentar i Shëndetësisë dje diskutoi vendimin e Asamblesë Kombëtare të Urdhrit të Stomatologut “Për miratimin e listës së çmimeve dysheme për shërbimin stomatologjik”. Ishte e ftuar edhe ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu, por edhe ministrja nuk u paraqit në Komisionin Parlamentar të Shëndetësisë. Nëpunësit e saj, në këtë komision parlamentar thanë se ministrja është me shërbim jashtë shtetit, thua se për ministren socialiste Komisioni Parlamentar është një …kafene e Tiranës dhe ajo nuk e ndjej detyrim ligjor që të shkojë e të japë llogari. Pardje sistemi digjital i Fondit të Kujdesit Shëndetësor u bllokua dhe të sëmurët nuk mundën të marrin ilaçet e rimbursuara. Ministrja e Shëndetësisë nuk ndjeu përgjegjësi, pse të sëmurët nuk morën dot ilaçet e rimbursuara. Vallë, ngaqë nuk kanë fonde? Po ku gjenden fondet e udhëtimeve jashtë shtetit për ministren e Shëndetësisë, kur nuk ka fonde për të rimbursuar ilaçet?

Ministrja e re e Arsimit Besa Shahini braktis Komisionin Parlamentar të Medias

Studentët vazhdojnë protestën, pedagogët i kanë dërguar apel qeverisë, që nëse nuk anulon ligjin për Arsimin e Lartë, atëherë do të bojkotojnë pa afat mësimin. Mirëpo, ministrja e re e Arsimit Besa Shahini, jo vetëm që nuk ka ndjeshmëri, nuk ndjen përgjegjësi, por deklaron në Komisionin Parlamentar të Medias, se ligji për Arsimin e Lartë nuk do të ndryshojë, sepse Pakti për Universitetin, i ka adresuar këto kërkesat e studentëve dhe nuk kemi nevojë të bëjmë ndryshime ligjore. Më vonë ministrja Shahini e braktis Komisionin Parlamentar, sepse akoma nuk e ka mësuar detyrimin ligjor që ka ministri, i cili duhet të japë llogari në Parlament përpara, por mendon se posti i ministrit është mbi parlamentin, sepse për ministren e Arsimit Parlamenti ka kapitulluar dhe për ministrat e qeverisë së Rilindjes, Kuvendi, Ligji, Morali, Rregulli është vetëm kryeministri Rama.