Bumçi: Kërkojmë largimin e Bushatit, sepse mohoi ofertën e partnerëve ndërkombëtarë

468
Sigal

Opozita në Komisionin e Jashtëm Parlamentar e cilësoi turp dhe skandal  të ministrit të Jashtëm, refuzimin e komitetit të OSBE-së

Opozita thirri në interpelancë në Komisionin e Jashtëm Parlamentar ministrin e Jashtëm Ditmir Bushati, për vendimin që mori  për të mos pranuar drejtimin e Komitetit të Çështjeve Ekonomike të OSBE-së. Ministri  Bushati u mundua të shfajësohet  në Komisionin e Jashtëm se komiteti Ekonomik i OSBE-së, nuk ishte i rëndësishëm, ndërsa për opozitën, ky refuzim përbën një skandal. Ministri Bushati tha se për qeverinë dhe për diplomacinë tonë nuk përbën prioritet politika mjedisore e OSBE-së, ndaj e anuloi ofertën që i bënë partnerët ndërkombëtarë Shqipërisë që të kryesonte komitetin Ekonomik të OSBE-së. Veç të tjerash, ministri Bushati, duke cilësuar jo prioritet politikën mjedisore, ka hedhur në koshin e plehrave edhe qindra miliona euro që institucionet ndërkombëtare do të subvenciononin në Shqipëri për mjedisin dhe këto, jo në kuadrin e huave. Sipas ministrit Bushati, ky komitet  Ekonomik i OSBES-së, bëhet fjalë për një komitet ndihmës, që nuk gjeneron as punësim dhe as influencë.

Aldo Bumçi, ish ministër i Jashtëm: “ Bushati të largohet, nuk mbrojti interesat e shqiptarëve!”

Çështja që thirrëm këtu ministrin përbën një skandal të vërtetë, nuk është e thënë nga ne, por nga partnerët tanë, të cilët kanë mbetur të shokuar nga vendimmarrja e ministrit të Jashtëm. Kjo ngjarje na është referuar jo vetëm neve, deputetëve të opozitës, por edhe deputetëve të shumicës, nga zyrtarë të lartë ndërkombëtarë në Shqipëri, por edhe jashtë Shqipërisë për këtë vendimmarrje skandaloze të ministrit Bushati. Ministri Bushati u mundua në 2 mënyra ta zhvlerësonte këtë, duke zhvlerësuar një nga 3 komitetet e OSBE-së, pasi OSBE-ja organizon punën e saj me 3 komitete, ku njëri prej tyre do të drejtohej nga Shqipëria. Propozimi që Shqipëria të drejtojë këtë komitet ka ardhur në fund të muajit maj 2014, në mënyrë informale, nga OSBE-ja dhe nga partnerët tanë. Kjo u bë për 2 arsye. Nuk e kërkuam ne, nuk u vunë në lëvizje burimet tona diplomatike për të marrë përfaqësinë, por janë ata që kanë ardhur te ne. Pse erdhën ata të Shqipëria? Kjo u bë sepse Serbia ka presidencën e OSBE-së dhe një nga 3 komitetet do drejtohej nga Shqipëria, pasi 3 komitetet e OSBE-së ulen bashkë me kryesinë e radhës. Ishte një mënyrë për të marrë disibilitet në një kohë shumë të rëndësishme, jo vetëm presidencës serbe në interes të Shqipërisë, Kosovës dhe për shqiptarët, por edhe në një kohë të një krize të madhe, që ndodh në Ukrainë. Pas kësaj oferte informale në fund të majit, që ata të nisnin punën, duhet të kishin një përgjigje nga pala shqiptare. Dhe pala shqiptare është përgjigjur “PO!”, në mënyrë informale, me një komunikim të qartë që ne do ta marrim komitetin e OSBE-së. Në shtator 2014 ka ardhur zyrtarisht letra e OSBE-së që Shqipëria të marrë kryesinë e komitetit të OSBE-së. Ra dakord edhe vetë Serbia që Shqipëria të merrte këtë komision të OSBE-së. Pas shtatorit fillon hezitimi i ministrisë së Jashtme. Zyrtarisht, kjo ministri ka thënë që ne nuk kemi burime njerëzore dhe në lobimin që ka bërë OSBE-ja për të bindur ministrin Bushati, kanë ndërhyrë përfaqësues të lartë gjerman të OSBE-së në Tiranë, të presidencës zvicerane dhe vetë sekretari i përgjithshëm i OSBE-së, Zanjieri, është lidhur me ministrin Bushati, ku i ka thënë, që do të të mbështesim ne me burime njerëzore. Dhe ministri Bushati ka refuzuar edhe këtë ndihmesë. Kur kanë filluar ta kundërshtojnë komitetin e dytë, kanë thënë që duan komitetin e tretë, atë të të drejtave. Komitetin e tretë të OSBE-së e drejton Norvegjia, e cila që vjet ka marrë drejtimin e komitetit të të drejtave të Njeriut për 2 vite, dhe dihet që nuk do t’i ndërpritej Norvegjisë mandati në mes për ta marrë ne. Kjo u bë nga ministri Bushati, thjesht për të refuzuar marrjen e komitetin të dytë të OSBE-së. Për komitetin e parë të Sigurisë, nuk ka pasur asnjë kërkesë nga ne për të drejtuar këtë komitet. Ka edhe arsye reale që ne nuk mund ta marrim komitetin e Sigurisë të OSBE-së, sepse ne nuk jemi pjesë në 2 traktate të rëndësishme të OSBE-së në fushën e Sigurisë. Është nder kur të afrojnë të drejtosh një ndër 3 komitetet që organizojnë gjithë punën e OSBE-së. Shqipëria nuk ka luksin që t’i thotë “JO”, drejtimit të një komiteti të OSBE-së, për më tepër kur ta afrojnë këtë nder partnerët tanë dhe kjo është shumë e rëndësishme, sepse ata kanë thënë: “Duam ta shikojmë Shqipërinë këtu!”. Është prestigj, që në 57 shtetet anëtare të OSBE-së, që ka konkurrim, të përzgjidhej Shqipëria të kryesonte një komitet të saj. Përveç Shqipërisë, ishin edhe 2 vende të tjera që ishin të interesuara ta merrnin kryesinë e komitetit të Ekonomisë të OSBE-së. Partnerët tanë ndërkombëtarë na propozuan, që të balanconim presidencën serbe. Kur themi që Shqipëria të rritë rolin e saj në arenën ndërkombëtare e diplomatike, kjo shprehet në pjesëmarrjen dhe kryesimin prej saj edhe të institucioneve ndërkombëtare dhe OSBE-ja sot është një ndër institucionet më të rëndësishme të saj. Çfarë tjetër mund të bëjë një ministër i Jashtëm? Ministri Bushati duhet të promovojë Shqipërinë, interesat e saj kombëtare dhe ky ishte një moment i artë. Ja çfarë ka thënë një ambasador shumë i rëndësishëm në Tiranë: “Me këtë qëndrim të mbajtur, Shqipëria tregon që e konsideron ta parëndësishme politikën e Jashtme”. Nuk ka asnjë shpjegim tjetër. Të investojë OSBE-ja, sekretari i saj i përgjithshëm, të bisedojnë me ministrin e Jashtëm, të vijë ambasadori gjerman, presidenca  zvicerane, zyrtarë të lartë të OSBE-së në Tiranë, dhe ministri Bushati prapë të refuzojë, si e justifikon këtë qëndrim antikombëtar kundër interesit të vendit të tij? Të fshihesh pas një drejtorie (se ajo e këshilloi të mos pranojë) të ministrisë është e turpshme. Ti i ke ushtruar presion kësaj drejtorie, pasi në shkresën e parë të ka thënë “PO” dhe ti u ke bërë presion që të të shkruanin “JO”. Ti, ministër, e di që unë e di, dhe këtë nuk e kundërshton dot! Kjo është e vërteta! E ke vënë Shqipërinë në një pozitë të pakuptueshme. Nuk e kuptojnë dot partnerët tanë ndërkombëtarë, që pasi ata na bëjnë nder të kryesojmë një institucion ndërkombëtar, dhe ne të refuzojmë?! Kjo është skandaloze dhe ky është një akt që ju ministër, të të largojnë  nga ajo ministri! Sepse gjë tjetër nuk mund të pritet nga Ministria e Jashtme. Një nga arsyet që ministri Bushati refuzoi të drejtojë Shqipëria një komitet të OSBE-së, është se do të largojë ambasadorin tonë në OSBE. Kaq njeri i vogël dëftohet. Që përpara interesit të Shqipërisë, ky ministër vendos interesat e tij. Një ambasador karriere, prej 22 vitesh atje, me vlerësimet më të larta të ambasadorit amerikan, sekretari i përgjithshëm i OSBE-së për ambasadorin tonë në OSBE, në mbledhjen e fundit në muajin shtator që është diskutuar çështja e Shqipërisë. Dhe ky ministër nuk donte ambasadorin tonë në OSBE që të drejtonte punën. Ministri Bushati në fillim të këtij viti propozon largimin e ambasadorit tonë në OSBE dhe propozon dikë që është tërësisht jashtë sistemit, që nuk njeh abc-në e OSBE-së. E bën këtë kur Serbia merr presidencën e OSBE-së. Pse ky ngut? Mund të kishte pritur përfundimin e presidencës serbe. Por ministri Bushati e largon ambasadorin tonë nga OSBE-ja, kur ambasadori ynë dhe ai amerikan kërkojnë pranimin e Kosovës në OSBE. Ky është “serioziteti”, që e drejton punën ministri Bushati.

Kastriot Islami: Arsyetimi i Bushatit është bazuar mbi interesa të vogla

Ka pasur një arsyetim nga partnerët tanë ndërkombëtarë që Shqipëria të merrte kryesimin e një komiteti të OSBE-së dhe sa e vështirë është të japë OSBE-ja një ofertë të tillë, kur duhet të japin konsensus edhe vendet që nuk do donin. Në këto kushte, kjo ofertë është refuzuar. Kam përshtypjen që arsyetimi i ministrit është bazuar në interesa shumë të vogla. Nëse ky refuzim lidhet vetëm me largimin e një ambasadori tonë nga OSBE-ja, kjo do të ishte tmerrësisht e rëndë për Shqipërinë.

Eduard Selami: “Jemi si dy zogj që zihemi para makinës, e në fund vdesim të dy”

Bashkohem me shqetësimin e Bumçit që ky problem është shumë i rëndësishëm, për të qenë shqetësues. Bashkohem me ju, zoti ministër (Bushati) që tani nuk është më periudha postkomuniste e Shqipërisë, ku çdo komision që mund të jepet atje, ne duhet të rendim, por mendimi im është që Shqipëria nuk përfaqësohet sa ç’duhet në institucionet ndërkombëtare dhe fatkeqësisht që një nga arsyet të jeni edhe ju, zoti ministër. Sepse në të gjithë atë parashtrimin tuaj, që bëtë këtu, edhe për mundësinë që Shqipëria në 2017-n të marrë bashkëkryesinë me Gjermaninë e Austrinë, u fokusuat në arsyet përse nuk duhet ta marrë Shqipëria. Dhe nëse mendoni që Shqipëria nuk mundet, ju keni të drejtë. Unë s’jam dakord më këtë dhe unë këtu e shikoj shqetësimin. Është mentaliteti që përcillet. Shqipëria ka potenciale shumë të mëdha. Dhe angazhimi në strukturat ndërkombëtare duhet të jetë një nga prioritetet tona. Ne duhet të mendojmë sesi ta bëjmë Shqipërinë qendër! Edhe për këtë komitet të OSBE-së, modest siç thatë, ju harxhuat energjinë më të madhe për të ulur peshën e këtij komiteti të OSBE-së. Ne nuk kemi komitet tjetër. Do marrim atë çka na japin ndërkombëtarët. Unë jam pjesë e delegacionit të OSBE-së dhe ky është shqetësimi që unë ngre! Dua edhe ndihmën dhe mirëkuptimin tuaj. Duhet të ndërrojmë mënyrën e të menduarit. Në këto 2 vjet që jam në Shqipëri, bindem edhe më shumë që ne (maxhorancë dhe opozitë) i ngjajmë atyre dy zogjve që zihen para makinës dhe në fund, humbin jetën të dy. Shpenzojmë shumë kohë duke u zënë me njëri-tjetrin. Po të jetë arsyeja e largimit të ambasadorit tonë nga OSBE-ja, do të më vijë shumë keq. Nuk arrita të marr një shpjegim nga ju. Përse nuk u arrit të merrej nga Shqipëria kryesia e këtij komiteti të OSBE-së?