EURALIUS nuk ka legjitimitet të japë opinion për Dvoranin

683
Sigal

Forumi në “Telegraf”/KLGJ shpërfill Kushtetutën. Flasin Prof. Jordan Daci, Prof. Elmaz Sherifi, Av. Ledio Braho, Av Zaçe Islami

EURALIUS nuk ka legjitimitet të japë opinion çështjet kushtetuese të vendit tonë

Jakup B. GJOÇA

Këshilli i Lartë Gjyqësor (KLGJ) vendosi dje t’i kërkojë mendim ‘partnerëve ndërkombëtare’ për çështjen e mbarimit ose jo të gjyqtarit të Gjykatës së Lartë, Ardian Dvorani, pa specifikuar se cilët janë këta partner dhe mbi çfarë bazë KLGJ e kërkon këtë mendim. Vendimi i KLGJ-së për ta deleguar, praktikisht, këtë çështje kaq të rëndësishme për sistemin gjyqësor shqiptar tek organizma jashtë sistemit të drejtësisë është vendim i paligjshëm që, gjithashtu, dëmton rëndë legjitimitetin e KLGJ-së. Kushtetuta parashikon se anëtari i ri i Gjykatës së Lartë zëvendëson anëtarin të cilit i ka mbaruar mandati. Neni 139 i Kushtetutës përcakton se mbarimi i mandatit të bëhet me vendim të Gjykatës së Lartë. Gjyqtarit Dvorani i ka mbaruar mandati shumë më herët se të gjtihë anëtarët e tjerë të Gjykatës së Lartë të cilët dhanë dorëheqjen apo u shkarkuan nga vetingu. Në përputhje me përcaktime dhe frymën kushtetuese, që thotë se zëvendësimi i vendeve në Gjykatën e Lartë bëhet sipas rradhës së mbarimit të mandatit, vendi i Dvoranit duhet të ishte i pari për t’u zëvendësuar dhe ai duhet të largohej që në momentin e emërimit të anëtarit të parë të ri të Gjykatës së Lartë. Kushtetuta dhe Ligji për Statusin, ja njeh të drejtën të vendosë për mandatin e anëtarëve të saj, vetë Gjykatës së Lartë. Për këtë arsye, KLGJ duhet t’ja kishte deleguar Gjykatës së Lartë çështjen e mandatit të Dvoranit. Por KLGJ vendosi ta marrë ajo këtë kompetencë në mënyrë të paligjshme. Pas këtij uzurpimi, KLGJ vendosi se nuk është e aftë të marrë një vendim për këtë çështje vetë. Por edhe pasi konstatoi paaftësinë e saj pasi nuk është në gjendje të intepretojë Kushtetutën dhe rrethanat konkrete, në vend që KLGJ t’i drejtohej Gjykatës Kushtetuese, ose madje Komisionit të Venecias, ajo ka zgjedhur të marrë mendim jashtë sistemit të drejtësisë dhe jashtë institucioneve kushtetuese shqiptare.

Pa asnjë justifikim ligjor, KLGJ vendosi t’ja besonte këtë çështje të rëndësishme “partnerëve ndërkombëtarë” të papërcaktuar. Kushtetuta përcakton se vetëm Gjykata Kushtetuese mund të bëjë interpretime të saj.  Nëse KLGJ kërkon një interpretim kushtetues mund të dërgojë një kërkesë në Gjykatën Kushtetuese. Flasin për “Telegraf Gazeta “Telegraf” në forumin e vet “Çështja Dvorani dhe vendimi i KGJL” u drejtoi dy pyetje Prof. Asoc. Dr. Jordan Daci, Prof. Dr. Elmaz Sherifi, ish kryetar i Komisionit të Ligjeve, Av. Ledio Braho dhe Av. Zaçe Islami.

1. A ka integritet KLGJ si institucion i pavarur i Drejtësisë, derisa për çështjen e Dvoranit i kërkon opinion EURALIUS, i cili tashmë është një OJF, meqë BE i ka ndërprerë financimin dhe nuk është më institucion i BE-së?

2. Pse KLGJ, derisa ka paqartësi kushtetuese për çështjen e Dvoranit, pse nuk i drejtohet Gjykatës Kushtetuese, derisa Gjykata Kushtetuese funksionin, ose Komisionit të Venecias?

Prof. Asoc. Dr. Jordan DACI

Prof. Asoc. Dr. Jordan DACI: EURALIUS nuk ka legjitimitet të japë opinion çështjet kushtetuese të vendit tonë

1. EURALIUS është fajtor dhe duhet të mbajë përgjegjësi për dështimet dhe bllokimet e reformës në drejtësi Për ta sqaruar, tani po zbatohet EURALIUS V, i cili është një projekt i zbatuar nga një konsorcium i përbërë nga Fondacioni Gjerman për Bashkëpunim Ligjor Ndërkombëtar si Partner Drejtues, i mandatuar nga Ministria Federale e Drejtësisë dhe Mbrojtjes së Konsumatorit. Partner të tjerë janë Qendra Holandeze për Bashkëpunim Ligjor Ndërkombëtar, Agjencia Austria për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik dhe Këshilli i Lartë Italian për Gjyqësorin. Euralius nuk ka dhe nuk mund të ketë asnjëherë legjitimitet të vihet në lëvizje dhe të japë mendime mbi çështjet e rëndësishme kushtetuese të vendit tonë. Madje në mendimet e dhëna së fundmi sikurse ai mbi delegimin e gjyqtarëve të Apelit në Gjykatën e Lartë dhe në disa raste të tjera, tregoi paaftësi dhe mungesë të dukshme njohurish mbi të sistemin Kushtetues dhe Ligjor Shqiptar, por mbi të gjitha tregoi mungesë serioze respekti dhe etike profesionale në lidhje me respektimin e parimeve themelore të së drejtës në përgjithësi dhe ato kushtetuese në veçantë të cilat janë universale për të gjithë botën demokratike, pavarësisht formulimeve të teksteve të kushtetutave dhe ligjeve të vendeve. Praktikisht përfshirja e Euralius edhe në reformën në drejtësi ishte jo profesionale dhe praktikisht Euralius është një nga fajtorët dhe duhet të mbajë përgjegjësi për dështimet dhe bllokimet e deritanishme të reformës në drejtësi, por edhe për lejimin e kapjes së sistemi të drejtësisë nga shumica qeverisë aktuale, duke përfshirë edhe zgjedhjen antikushtetuese të Prokurores së Përgjithshme të Përkohshme znj. Marku. Pra ky mision ka delegjitimuar tërësisht veten e vet nga përfshirja e mëtejshme në çështjet me rëndësi ligjore të vendit tonë dhe është përgjegjës edhe për njollosjen e rolit të BE-së në këto çështje. Në gjykimin tim, KLGJ si institucion kushtetues i pavarur mund të marr mendim vetëm nga Gjykata Kushtetuese dhe e ka të ndaluar të marrë mendim tek çdo institucion ose organizëm tjetër pasi kjo do të ishte ndërhyrje në pavarësinë e tij. Për më tepër që në lidhje me çështjen në fjalë dhe në çështje të tjera, përsëri nuk shoh arsye për të marrë mendim pasi çështjet janë lehtësisht të qarta dhe të zgjidhshme për një njohës mbimesatar të doktrinës kushtetuese të vendit tonë. Pra kjo më le të kuptojë se ose KLGJ nuk është e aftë të bëjë detyrën pasi përbëhen nga njerëz të paaftë profesionalisht dhe këto duhet të zëvendësohen urgjentisht, ose janë njerëz të trembur për të bërë detyrën e tyre dhe duan që të marrin vendimet duke qenë të justifikuar me këto lloj mendimesh krejtësisht anonime dhe të dhënë nga njerëz me formim krejtësisht të zakonshëm. Se çfarë e tremb KLGJ, kjo duhet sqaruar nga vetë KLGJ. Ndërkohë, një variant tjetër i mundshëm, është që KLGJ nuk dëshiron që kjo çështje të zgjidhet dhe kërkon ta zvarrisë duke zgjatur në këtë mënyrë situatën aktuale dhe mënyra më e mirë është kërkimi i një mendimi të tillë. Ndërkohë, nëse lajmi që BE i ka ndërprerë financimin është i vërtet, atëherë ky institucion nuk mund të quhet më as mision i mbështetur nga BE dhe humbet çdo lloj legjitimiteti për të qenë i përfshirë në çështjet e drejtësisë në Shqipëri dhe aq më pak për të dhënë mendime pasi shndërrohet në një OFJ si qindra të tjera që janë në Shqipëri.

2. Në KLGJ janë anëtarë ushtarët e Partisë Dyshoj që qëllimi i një pjesë të anëtarëve të KLGJ të cilët janë emëruar me mbështetjen e shumicës aktuale qeverisëse dhe që kontrollohen nga ato, nuk dëshiron vërtet që kjo çështje të marr zgjidhje dhe kërkon ta zvarris në këtë mënyrë. Ndërkohë, që kjo është një praktikë e zhvilluar tashmë e KLGJ, e cila edhe në rastin e kualifikimit tim nga gara për Gjykatën e Lartë, skualifikim i motivuar tërësisht politikisht, mori mendim nga një institucion i administratës publike si Komisioneri i Shërbimit Civil dhe e përdori atë mendim për të “larë” duar e tij edhe pse një gjë e tillë ishte në shkelje të hapur të statusit të tij kushtetues dhe në kundërshtim të hapur me vetë kushtetutën tonë. Duhet thënë që vetë ligji dhe kushtetuta i japin të drejtë shprehimisht KLGJ të vëri në lëvizje Gjykatën Kushtetuese, por siç duket ata nuk duan gjykatën kushtetuese, por duan të pyesin shoqata apo ekspertë anonim për të zgjidhur një çështje e cila prek interesat thelbësore të Shqipërisë. Nga ana tjetër, do të ishte një zgjedhje e pakritikueshme dhe shumë e mirë që t’i kërkonte mendim Komisionit të Venecias, i cili është organ i specializuar, me integritet dhe që nëse ne krahasojmë Euraliusin dhe ekspertët e tij me Komisionin e Venecias dhe anëtarët e tij, Euralius dhe ekspertët e tij, do të ngjajnë si një grup të sapodiplomuarish që janë në kërkim të punës së radhës. Gjithsesi, unë gjykoj që KLGJ me paaftësinë dhe mungesën e integritetit të disa prej anëtarëve të tij, nuk do të bëjë asnjëherë atë që duhet për gjyqësorin dhe atë që duhet për Shqipërinë derisa këto ushtarë partiak e të paaftë të shkarkohen e zëvendësohen.

Prof. Dr. Elmaz Sherifi

Prof. Dr. Elmaz Sherifi: Vendimi dërguar Euralius V, është procedurë anti kushtetutese e anti ligjore

1 Eksperimenti i Reformës në Drejtësi ka dështuar me sukses Këshilli i Lartë Gjyqësor veprimtarinë e tij e kryen në përputhje normat juridike kushtetutese dhe ligjin Nr. 115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”. Presidenti i Republikës së Shqipërisë që në majin e vitit 2019, i ka kërkuar Këshillit të Lartë Gjyqësor miratimin e akteve nënligjore normative që mundësonin plotësimin e Gjykatës së Lartë me anëtarët e saj peër ta bërë funksionale. Por ky institucion shumë i rëndeësishëm, duket se nuk ka aftësitë profesionale për ushtrimin e kompetencave kushtetuese e ligjore dhe cenoi afatet ligjore, duke vonuar plotësimin e Gjykatës së Lartë dhe në mënyrë të pakuptimtë i kërkonte ndihmë Euralius V, ashtu si po vepron edhe tani për t’i dhënë përgjigje kërkesës së Kryetarit të Shtetit, në lidhje me zëvendësimin e anëtarit të Gjykatës së Lartë Dvoranit, mandati ligjor i të cilit ka përfunduar vite më parë. Vendimi i marrë për t’ia dërguar interpretimin e kërkesës përsëri Euralius V, është procedure anti kushtetutese e anti ligjore dhe po tregon në mënyrën më të qartë se eksperimenti i Reformës në Drejtësi ka dështuar me sukses. Këshilli i Lartë Gjyqësor vendim me ngjyrim politik Këshilli i Lartë Gjyqësor, nëse do të ishte organ që do të krijonte modelin si qeveriset pushteti gjyqësor pas Reformës në Drejtësi, nuk duhej të priste kërkesë nga Kryetari i Shtetit për të deklaruar përfundimin e mandatit të Dvoranit, pasi ai de juro ka vite që ka përfunduar, por, duke respektuar normat ligjore të neneve 65, 83, 85, e 86 te ligjit Nr. 115/2016, do e deklaruar përfundimin e mandatit dhe do i propozonte Presidentit kandidatin e ri. Me shumë dhimbje konstatoj paaftësi të dukshme profesionale, nëse vendimi i marrë, nuk ka ngjyrime politike. Por, edhe nëse nuk ka ndikim politik, ai portretizohet para shqiptareve si institucion që nuk krijon besim për të realizuar drejtësinë si paanshmëri. Fakti që vendimi për t’iu dështuar Euralius V është marrë me 7 vota pro e 4 kundër, tregon se jo e gjithë trupa është e ndikuar dhe e paaftë. Situata bëhet edhe më shqetësuese, pasi kërkesa për interpretimin e rastit, nuk ka asnjë bazë ligjore, por, po injorohen edhe institucionet e shtetit, e në këtë rast Gjykata Kushtetutese. Pyetjes retorike, se nuk ka Gjykatë Kushtetuese, i përgjigjet precedenti absurd që e ka krijuar Kuvendi i Shqipërisë, të cilin e kam emërtuar Kuvendi i Sajuar. Në konfliktin institucional me Kryetarin e Shtetit për disa ligje, Kuvendi i është drejtuar Komisionit te Venecias, e ne rastin më justifikues te paaftësisë, edhe Keshilli i Lartë Gjyqësor, duhej t’i drejtohej të njëjtit institucion. Dështimi i Reformës në Drejtësi është parashikuar nga shumë njohës të kësaj fushe. Vendimi i marrë po bind edhe ata që nuk e kanë kulturën juridike kushtetutese.

Av.Ledio Braho

Av. Ledio Braho: Pazaret politike të KLGJ dhe EURALIUS

1. Reforma në Drejtësi është “ Mbreti doli lakuriq” Me vendimmarrjen e KLGj për të mos marrë vendim mund të themi se “Mbreti doli lakuriq”. Reforma në Drejtësi, që mund të konsiderohet si “pëlhura magjike” e organeve të reja të drejtësisë, nëpërmjet vendimmarrjes absurde të KLGj, nxorri në pah që është vetëm një lavazh truri për shqiptarët se drejtësia e re është drejtësia e pakapur apo e pakorruptuar. Ndërkohë që Këshilli i Lartë Gjyqësor është një organ kolegjial kushtetues që duhet të sigurojë pavarësinë, përgjegjshmërinë dhe mbarëvajtjen e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë dhe Euralius është vetëm një projekt i Bashkimit Europian, kësaj të fundit iu kërkua që të japë një opinion në lidhje me mandatin e ish gjyqtarit të Gjykatës së Lartë dhe të një nga hartuesve të “pëlhurës magjike” të drejtësisë së sotme. Anëtarët e KLGj nuk arritën dot të ngrihen në lartësinë e detyrës dhe të konstatonin që vakanca e krijuar nga mbarimi i mandatit të ish gjyqtarit Dvorani tashmë është plotësuar me emërimin e tre gjyqtarëve të rinj në këtë gjykatë që vijnë nga radhët e juristëve të spikatur. E vetmja vakancë që është ende sot e lirë edhe pse e shpallur, është ajo që është krijuar nga ndërprerja e mandatit të ish gjyqtarit Zaganjori, vakancë që është shpallur më vonë në kohë pikërisht se mandati i tij ishte ende kushtetues në momentin e shkarkimit nga organet e vetingut. Kërkimi i një opinioni për një çështje kaq elementare që ka nevojë vetëm për analizë datash, është shmangie e pastër nga detyra që Kushtetuta i ngarkon KLGj-së. KLGJ shpërfilli Kushtetutën, për t’i shërbyer qëllimeve të mazhorancës Është e vërtetë që kjo çështje është ndër ato që janë nën juridiksionin e Gjykatës Kushtetuese dhe që KLGj është një ndër ato organe që mund t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese, por duke qenë se kjo e fundit është aktualisht jofunksionale, çdo kërkesë do të mbetej në pritje deri në emërimin e gjyqtarëve të tjerë të kësaj gjykate dhe po ashtu Dvorani do të ishte në konflikt të pastër interesi si kryetar i KED në procedurën që ndjek ky organ për renditjen e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese dhe për më tepër që nuk dihet ende përbërja e shumicës së Gjykatës Kushtetuese që të garantojë qoftë dhe pas disa kohësh një vendim pro Dvoranit. Vendimmarrja e kësaj Gjykate që do të konstatonte për herë të dytë mbarimin e mandatit të Dvoranit si Gjyqtar i Gjykatës së Lartë e po ashtu edhe plotësimin e vakancës së mandatit të tij që nga marsi i vitit 2020 do të sillte pasoja për të gjitha vendimmarrjet e tij pas kësaj date si në Gjykatë të Lartë, por po ashtu edhe në KED. Në këto kushte, mosndjekja e kësaj procedure kushtetuese, nxjerr në pah dy elementë të rëndësishëm, së pari KLGj me shumë mundësi është në dijeni paraprakisht të ndonjë opinioni pro Dvorani të Euralius e në këtë mënyrë shmang dhe pasojat që do të sillte një vendim i Gjykatës Kushtetuese në disfavor të tij dhe së dyti Dvorani vijon qetësisht detyrën si anëtar i Gjykatës së Lartë dhe si Kryetar i KED-së. Vendimmarrja e KLGj për opinion nga Euralius është e tillë që ka njëkohësisht me vete bekimin e mazhorancës qoftë dhe të fshehur, bekimin e partnerëve ndërkombëtarë si dhe justifikimin ndaj qytetarëve shqiptarë për çdo vendimmarrje të tyren se ishte e bazuar në opinionin e servirur nga partnerët ndërkombëtarë – por patjetër që ka me vete dhe shkeljen e Kushtetutës.

Av.Zaçe Islami

Av. Zaçe Islami: KLGJ shmangu Gjykatën Kushtetuese, sepse EURALIUS do mbajë Dvoranin

Unë e kam thënë që në 2015 që Reforma në Drejtësi e trumbetuar me të madhe nga Partia Socialiste është një mashtrim. Koha më vërtetoi katërcipërisht dhe sot kemi ardhur në një situatë tipike komuniste ku drejtësinë “e bën partia. Unë nuk jam profet as Nostradamus por e di shumë mirë se si funksionon drejtësia dhe mbi të gjitha njoh në qelizë metodat komuniste për të mbajtur kontrollin absolut mbi Drejtësinë. Aktualisht drejtësia ka pushuar çdo funksion të saj si në Gjykata dhe në Prokurori. Pushteti aktual qëllimisht e filloi të ashtuquajturën reformë nga lart poshtë , me objektiv të mirëpërcaktuar që sot të mos kemi dy Gjykatat themelore të shtetit pra as Gjykatë të Lartë as Gjykatë Kushtetuese që do të thotë se ka mbi dy vjet që sistemi gjyqësor është i paralizuar. Ky konkluzion vjen edhe nisur nga kërkesa qesharake mashtruese për opinionin dhe e turpshme që KLGJ, për të mbajtur me çdo kusht në punë Dvoranin shkon dhe kërkon ndihmën e EURALIUS, një organizëm që prktikisht sot është një OJQ. KLG, në këtë rast me qënëse ” ka paqartësi” nuk ka pse t’i drejtohet asnjë institucioni të huaj pasi zyrtarisht edhe pse e cunguar Gjykata Kushtetuese FUNKSIONON. Por KLGJ qëllimisht i drejtohet EURALIUS pasi e di që Gjkykata Kushtetuese do ta rrëzojë qëndrimin e mëtutjeshëm të Dvoranit në sistemin e drejtësisë pasi është tërësisht jashtë çdo ligji kushtetues në atë funksion. Duke qënë të sigurt se nga EURALIUS do marrin një OK ata do vazhdojnë ta mbajnë Dvoranin si një kamzhik të bindur në duart e tyre për të mbuluar ashtu si deri më sot të gjitha aferat korruptive dhje vjedhjet marramëndëse të pasurive kombëtare.