Flet Prof. Dr. Lush Susaj: Korrupsioni në Ministrinë e Bujqësisë arriti të mashtrojë e vjedhë taksapaguesit dhe institucionet e BE

61

Flet Prof. Dr. Lush Susaj / Korrupsioni çoi fondet e BE në duart dhe xhepat e klaneve nepotike e hajdutërore të qeverisjeve orientale të këtyre tre dekadave. Situata dëshmon që pjesa më e madhe e këtyre parave, fatkeqësisht janë shndërruar në vila. Teksa fermerët dhe qytetarët vuajnë një situatë të trishtë, mbushur me papunësi, shpopullim, konfliktualitet dhe varfëri deri në përmasat e mizerjes ekonomike e sociale

Sigal


Ky reagim vjen nga korrupsioni dhe investimet, që nuk shkuan kurrë tek prodhimi bujqësorë

– Fondet e BE përfunduan në duart dhe xhepat e klaneve nepotike e hajdutërore të qeverisjeve orientale të këtyre tre dekadave.

-. Situata në terren dëshmon që pjesa më e madhe e këtyre fondeve, fatkeqësisht kanë përfunduar të vjedhura e të shndërruara në vila.

– Një pjesë e madhe e këtyre fondeve dhe investimeve të vjedhura ka përfunduar edhe në biznese ndërtimi, në banesa luksi apo edhe në blloqe pallatesh jashtë Shqipërisë.

– Një situatë e trishtë e mbushur me papunësi, shpopullim, konfliktualitet dhe varfëri deri në përmasat e mizerjes ekonomike e sociale.

Drejtimet ku është vjedhur tregohen përmes demagogjisë dhe malit të dosjeve fiktive.

– Prokuroria e Tiranës i ka dhënë BIRN një përgjigje me shkrim të bazuar mbi aktet e shpalljes së moskompetencës nga SPAK.

Qeveria vjedh ndërsa pasojat e masave do të përkeqësojnë situatën e financimit, të punësimit dhe të prodhimit bujqësor

Intervistoi: Albert Z. ZHOLI

Fondet e dhëna nga Bashkimi Evropian për bujqësinë në Shqipëri gjatë viteve 2014-2020 janë bërë objekt hetimesh nga Zyra Evropiane kundër Mashtrimit. Delegacioni i Bashkimit Evropian në Tiranë njoftoi se si masë parandaluese, ka vendosur ndërprerjen e përkohshme të fondeve për zbatimin e programit IPARD II. Në një reagim zyrtar, Ministria e Bujqësisë pranon se kanë nisur hetimet, por i konsideron si procedurë normale, ndërsa kërkon që kjo çështje mos të përdoret politikisht. “Komisioni Evropian ka informuar qeverinë shqiptare se ka marrë masa paraprake bazuar në informacionin fillestar të dhënë nga Zyra Evropiane kundër Mashtrimit [OLAF], pas një hetimi mbi akuzat për korrupsion në lidhje me zbatimin e programit IPARD II. Si masë parandaluese për mbrojtjen e interesave financiare të Bashkimit Europian, Komisioni Europian ka ndërprerë përkohësisht rimbursimet ndaj autoriteteve shqiptare për shpenzimet e kryera në kuadër të programit IPARD II’- thuhet në reagim. Në deklaratë, theksohet se hetimi i Zyrës Evropiane kundër Mashtrimit, OLAF, është në vazhdim. Zyra e BE në Tiranë, thekson se pasi të dorëzohet raporti përfundimtar, Komisioni Evropian do të informojë autoritetet shqiptare dhe, bazuar në gjetjet e hetimit, do të marrë çdo masë të mëtejshme të nevojshme për të mbrojtur interesat financiare të Bashkimit Evropian. Programi IPARD është mbështetja financiare për bujqësinë dhe zhvillimin rural nga fondet e BE-së, në masën 75% dhe qeverisë shqiptare në masën 25%. Zbatimi i programit është përgjegjësi e Ministrisë së Bujqësisë dhe Agjencia e Zhvillimit Bujqësor dhe Rural, AZHBR. Programi Ipard II, ka një fond total prej 94 milionë eurosh të ndarë sipas viteve nga 2014 deri në vitin 2020.

Financimet në masën 71 milionë euro nga BE, dhe 23 milionë euro nga shteti shqiptar, janë dhënë për investime në asetet fizike në fermat bujqësore, investime në asetet fizike për përpunimin dhe tregtimin e produkteve bujqësore dhe peshkimit, diversifikimin e fermës dhe zhvillimi biznesit dhe asistencë teknike në këto sektorë.

Komisioni Europian ka ndërprerë përkohësisht rimbursimet ndaj autoriteteve shqiptare për shpenzimet e kryera në kuadër të programit IPARD II’. Pse vjen ky reagim?

Ky reagim vjen nga korrupsioni dhe investimet, që nuk shkuan kurrë tek prodhimi bujqësor. Ka mbi 25 vjet që shkruajmë e që flasim hapur mbi pasojat dhe shqetësimet, që burojnë nga korrupsioni dhe fiktiviteti me investimet dhe fondet e bujqësisë dhe blegtorisë, e ku pavarësisht nga propaganda dhe sofistika e ekzagjeruar me filmime, fjalime dhe dosje fiktive, ato nuk arritën kurrë tek fermerët e as tek blegtorët. Përkundrazi përfunduan në duart dhe xhepat e klaneve nepotike e hajdutërore të qeverisjeve orientale të këtyre tre dekadave, e ku nga njëra anë është shkaktuar një situate e trishtë në lidhje me punësimin, prodhimin, mirëqënien dhe demografinë. Ndërsa nga ana tjetër, thithlopat më të trasha e më të fryra janë ato që kanë thithë e tharë investimet dhe fondet e bujqësisë.

Si gjithmonë, nën shëmbullin më të keq të mundshëm, pas largimit dhe zevendësimit të specialistëve të meritës me patronazhistët dhe shokët e ngushtë të klanit nepotikë e hajdutërorë të partisë, kudo ka vazhduar mashtrimi dhe vjedhja e hapur e fondeve të dhëna nga ana e qeverive të SHBA dhe vendeve të BE për zhvillimin e bujqësisë. Situata në terren dëshmon që pjesa më e madhe e këtyre fondeve, fatkeqësisht kanë përfunduar të vjedhura e të shndërruara në vila, në toka e troje të zaptuara me “ligj”, në investime “strategjike” përrësore e fshatra turistike. Një pjesë e madhe e këtyre fondeve dhe investimeve të vjedhura ka përfunduar edhe në biznese ndërtimi, në banesa luksi apo edhe në blloqe pallatesh jashtë Shqipërisë. Gjithnjë duke lënë pas një situatë të trishtë e të mbushur me papunësi, shpopullim, konfliktualitet dhe varfëri deri në përmasat e mizerjes ekonomike e sociale. Ne nuk kemi heshtur e as nuk kemi bërë kurrë kompromis me rriqnat (sikurse i quante F Noli) e as me thithlopat e kohëve moderne të korrupsionit. Përkundrazi kemi shkruar e denoncuar përmes kësaj gazete (Telegrafit) dhe mediave të tjera, për këtë kemi paguar një kosto shumë të rëndë në punë e në karrierë. Ama ndihemi të lirë e të pavarur, në këtë mënyrë duhet që ia kemi shlyer sado pak borxhin shtetit dhe kombit tonë, e ku koha na dha të drejtë. Me të drejtë ndihemi mjaft mirë që fjala dhe zëri ynë nuk ra në vesh të shurdhër, por u lexua dhe dëgjua nga bota demokratike, e ku duhet të falenderojmë Zotin për këto institucione dhe lidhjet jetike të Shqipërisë me Brukselin dhe Uashingtonin.

-Cilat janë drejtimet kryesore, të cilat janë vjedhur pa qeder këto fonde që do rrisninin bujqësinë shqiptare?

Drejtimet ku është vjedhur tregohen përmes demagogjisë dhe malit të dosjeve fiktive.

Për ta bërë pakëz më të lehtë e më të qartë problemin, që po trajtojmë, po kujtojmë faktin që duke filluar që nga viti 1993, e sidomos në vitet 2013-2023, SHBA, BE, Banka Botërore, FMN, por edhe buxheti i shtetit shqiptar ka akorduar miljarda euro e dollarë për kullimin dhe ujitjen, e ku të gjitha janë vjedhur e abuzuar. E ku për pasojë fermeri shqiptar nuk ka patur as edhe një ditë ujin e ujitjes në krye të parcelës së mbjellur, e as kanalin kullues funksional për të mundësuar e garantuar kulturat bujqësore të vjeshtës, të dimrit e të pranverës së hershme. Një tjetër aspekt korruptiv dhe hajdutëror është edhe shkatërrimi, fragmentarizimi dhe lënia djerrë e tokës bujqësore dhe i fondit pyjor e lagunor. Kjo ka ndodhur përmes ligjeve që favorizuan dhe pasuruan zyrtarë e hajdutë të kakopolitikës me tokat në periferi të qyteteve, buzë rrugëve nacionale, në bregdet e kudo ku ka patur ndërtime ushtarake, turistike e industriale. E ku sikurse dihet nga të gjithë, përmes këtyre proceseve korruptive mori tokën ai që nuk ka patur tokë, ndërsa morën ca thërrime pronarët e vërtetë, e asgjë nuk morën specialistët e mirëfilltë të prodhimit dhe menaxhimit bujqësor. Grabitja e pronave dhe investimeve është bërë përmes ligjeve dhe vendimeve të ashtuquajtura demokratike, por që nuk mund të quhen e as nuk duhen respektuar si të tilla, pasi Shqipëria akoma nuk e ka parë e as nuk e ka njohur demokracinë, elitarizmin e as funksionimin e shtetit ligjor.

Kështu mund të vazhdojmë duke folur pa fund edhe për fabrikat e përpunimit dhe komplekset blegtorale që rezultojnë në dosjet, raportimet dhe letrat e paraqitura në Uashington, në Bruksel, në Tokio, etj, por që nuk janë ndërtuar kurrë në Shqipërinë e këtyre 33 vjetëve. Po kështu mund të kujtojmë edhe ato fondet dhe investimet e vjedhura në filierat e ullirit, të pemëve frutore, të vreshtave, në kantinat e verës, për frigoriferet rajonalë të frutave, për pikat e grumbullimit, etj, që kurrë nuk u ndërtuan e as nuk funksionuan në shërbim të zhvillimit të qëndrueshëm të bujqësisë. Mund të flasim pa fund edhe për ato strategjitë dhe studimet mediokre të kryera nga klanet nepotike, e jo nga specialistët e mirëfilltë të fushave të prodhimit bujqësorë e blergtoral. Mund të flasim gjatë edhe për mënyrën se si hartimi dhe supervizioni i të gjitha projekteve në bujqësinë dhe blegtorinë e këtyre 14 viteve (2009-2023), është bërë nga shokët e partisë, e gjithkund duke mënjanuar ekspertizën më të mirë të vendit. Kjo për shkak se ekspertët dhe profesorët me dinjitet dhe profesionalizëm nuk pranojnë të vjedhin, as të korruptojnë e as të bëhen pjesë e malit të dosjeve fiktive dhe të shpopullimit të vendit. Mund të flasim edhe për faktin që deri në vitin 2009, korrupsioni apo pagesa me para në dorë për projektet e fituara, ka qenë 10-15%. Ndërsa deri në vitin 2013 arriti në 20-25%. Kurse në tre vitet e fundit nuk ka shanse për të fituar dhe implementuar asnjë projekt pa dhënë 40-60% të vlerës së projektit. Këto fakte e biseda i dëgjojmë përditë nga kolegët dhe fermerët, e tashmë. Kjo rritje e pashëmbullt e përmasave të korrupsionit dhe hajnisë, ka arritur deri në Bruksel, tek financuesit dhe institucionet ndërkombëtare të bujqësisë. Mund të flasim shumë gjatë edhe për mënyrën se si janë larguar specialistët e mirëfilltë të bujqësisë dhe blegtorisë, për t’i zëvendësuar kudo me militantë, që nuk kanë njohuri e as eksperiencë për bujqësinë, duke e zhytur në errësirë dhe injorancë bujqësinë, prodhimin bujqësor, sigurinë ushqimore dhe standartet e cilësisë. Mund të flasim edhe për atë mënyrën se si, pas vitit 2009, që të gjitha investimet dhe projektet e zhvillimit janë administruar nga një grup i ngushtë nepotikë, madje në disa raste edhe nga një funksionarë i vetëm që punon me 5-10 figurantë, që konkurojnë brenda llojit në skemat korruptive, e ku gjithmonë tenderat fitohen në masën 99,99% të vlerës. Mund të flasim shumë gjatë edhe për fenomene dhe investime të përvitshme e pa asnjë produkt si psh kundër grerëzës aziatike të gështenjës, apo kundër mizës së ullirit, apo kundër mushkonjave, apo kundër kërkalecit, apo dhelprës së kuqe etj, e ku në të gjitha rastet paratë shpenzohen 99,99%, ndërsa produkt e asgjë nuk ka mbetur. Të mos flasim më tepër për sistemin e prodhimit dhe të çertifikimit të materialit mbjellës, apo për rajonizimin shkencorë, apo për sistemin e kadastrës funksionale, zgjidhje për të cilat fondet janë shpenzuar në masën 100%, nga ku kanë mbetur vetëm dosjet fiktive dhe zero produkt. Pa harruar të sjellim ndërmend edhe faktin që në vendet e rajonit të Ballkanit dhe ato të BE, mbi 75% e vlerës së donacionit, subvencionit etj, shkon tek prodhimi bujqësor e blegtoral. Përkundrejtë faktit që në Shqipëri, për shkak të korrupsionit në hallkat e administratës, tek prodhuesi shkon vetëm 8-10%. Sikurse rezulton, 90-92% e fondeve humbasin në ato hallkat burokratike e nepotike që prej më shumë se 14 vitesh po rrjepin bujqësinë dhe blegtorinë shqiptare. Këtu nuk është fjala për 5 apo 10 milion euro, por po flasim për 92 milion euro të IPARD II, që rrezikojnë të bllokohen e digjen përgjithmonë, dhe për 147 milion euro të IPARD III që tashmë janë bllokuar, e që nuk mund të hapen pa bërë reforma dhe transparencë për skemat e përdorura dhe destinacionin e mbi 210 milion eurove të investuara në bujqësinë e këtyre 10 viteve (2014-2023).

-Pra për shkak të korrupsionit, BE i ka pezulluar fondet dhe do të hetojë për produktin?

Pavarësisht nga ato që deklarojnë zyrtarët e lartë të Minisrisë së Bujqësisë dhe bashkëpuntorët e tyre në abuzimin me fondet, BE do të ndërmarrë një hetim të thellë për të gjitha rastet, e ku sipas gjasave Shqipëria do të jetë e detyruar që të kthejë fondet e abuzuara e të hedhura jashtë destinacionit. Për fatin e mirë, hetuesit e BE do të hetojnë duke kërkuar për produktin e fondeve dhe investimeve, e jo duke u bazuar në dosjet fiktive dhe as në filmimet me dreka, me darka apo me lajke dhe shere në fejzbuk.

Kontrolli vjen pas parregullsive dhe mangësive të denoncuara e të gjetura në dhënien dhe zbatimin e projekteve të IPARD II në Shqipëri, e ku sipas institucioneve të BE, Ministria e Bujqësisë dhe AZHBR kanë dështuar në kontrollet dhe detyrat e duhura.

Hetimi nga kontrollet e institucioneve shqiptare ka munguar ose është bërë sa për të justifikuar korrupsionin, pa e ditur e menduar që nuk mund të mashtrohen e as nuk mund të vidhen taksapaguesit e vendeve të Europës.

Pavarësisht nga verbëria e sistemeve të auditit shqiptarë, ka hyrë në lojë Zyra Evropiane kundër Mashtrimit, OLAF, e cila ka hetuar gjatë për mënyrën se si janë menaxhuar fondet e programit IPARD II nga Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural.

Kështu që në qershor 2020, OLAF angazhoi edhe prokurorinë shqiptare përmes një informacioni dhe kërkese për hetim të fondeve të AZHBR, e ku sikurse dihet çështja mbeti në vendnumëro dhe pa ndonjë rezultat konkret.

Madje edhe Prokuroria e Tiranës i ka dhënë BIRN një përgjigje me shkrim se bazuar mbi aktet e shpalljes së moskompetencës nga SPAK, kishte regjistruar një procedim penal në lidhje me programin IPARD II që më 17 nëntor 2022.

Sikurse dihet, Prokuroria e Tiranës e ka regjistruar procedimin për akuzën e falsifikimit të dokumenteve dhe atë të shpërdorimit të detyrës, të parashikuara nga nenet 186 dhe 248 të Kodit Penal, por që edhe tetë muaj më pas, akoma nuk ka persona përgjegjës, përkundrazi ka shpërblime dhe rritje në detyra edhe më të larta të ish drejtuesve të AZHBR-së.

Programi IPARD II që u zbatua mes viteve 2014 dhe 2020, i dha Shqipërisë mbi 71 milionë euro, ndërsa programi IPARD III, kishte planifikuar të japë 146 milionë euro. Këto fonde janë për mbështetje për investimet në pasuritë fizike të fermave bujqësore, investimet në lidhje me përpunimin, amballazhimin, etiketimin dhe tregtimin e produkteve bujqësore, blegtorale dhe të peshkimit, si dhe diversifikimin e këtyre fermave.

Korrupsioni nuk ka moral as nder, nuk njeh komb as shtet, nuk dëshiron llogaridhënie e as audit kombëtar e ndërkombëtar. Korrupsioni ka prekur shpirtin e bujqësisë, duke e vrarë në mënyrën më të poshtër prodhimin, punësimin dhe mirëqënien e popullsisë së vendit.

Për fatin e mirë të Shqipërisë, këtë situatë do ta auditojnë institucionet e BE kundër mashtrimit dhe korrupsionit.

Sikurse pritet, pas kontrollit të produktit në terren, pritet hetim i thelluar dhe drejtësi për fondet e vjedhura e të abuzuara. Pritet sekuestro dhe kthim i fondeve dhe aseteve të vjedhura, e jo lojëra me koka turku, apo me parashkrime dhe me zyrtarë të arratisur.

Për kushtet e Shqipërisë së varfër, do të ishte me rëndësi jetike një negocim profesional e me garanci të larta institucionale me DG Agrin, që të vazhdojë mbyllja e projekteve të nisura me IPARD II, dhe të fillojë edhe IPARD III, me një tjetër administratë të reformuar, me transparencë, me supervizion dhe me gjithpërfshirje të specialistëve të mirfilltë  fushave.

Fondet e BE janë jetike për bujqësinë shqiptare, për pasojë në këtë situatë duhen reforma e jo dredhi e demagogji me dosje fiktive dhe hetime për zyrtarë të rëndomtë. Është koha për të dëshmuar seriozitet dhe besueshmëri në kontroll, llogaridhënie dhe vendime në lidhje me korrupsionin dhe dëmin e shkaktuar. Përndryshe pasojat e masave do të përkeqësojnë shumë situatën e financimit, të punësimit dhe të prodhimit bujqësorë.