Historia tronditëse e nënë Nevros, që e burgosën që në moshën 15-vjeçe në Kalanë e Gjirokastrës, si e spiunuan fuksat, letrat dashurore me të shoqin dhe bisedat me bashkëvuajtësin që u prit në takim nga Bush

21
Sigal

Historia tronditëse e nënë Nevros nga Zhulati, të cilën e burgosën që në moshën 15-vjeçe

Cano Nora

E burgosura e dikurshme, Nevro Pula, rrëfen me dhimbje ditën që e burgosën në kalanë e Gjirokastrës,vetëm e vetëm se u martua 15 vjeçe. Ky ishte shkaku që në këtë familje nacionaliste në këtë fshat të Labërisë të mos ishte asnjë banor i saj në gjëndje të lirë.

E burgosura e dikurshme, Nevro Pula, rrëfen për “Telegraf’ me dhimbje ditën që e burgosën në kalanë e Gjirokastrës,vetëm e vetëm se u martua 15 vjeçe. Ky ishte shkaku që në këtë familje nacionaliste në këtë fshat të Labërisë të mos ishte asnjë banor i saj në gjëndje të lirë.

Nevrua, ajo bija e lindur dhe rritur, po në Zhulat, po përjetonte mes frikës dhe ankthit, ftohtësinë e birrucave të komunizmit që në moshë ende të vogël. Nënë Nevrua, e cila sot banon tek njeri prej tre djemve të saj, Kujtimi, ende dhe sot që kanë kaluar 80 vite, kujton momentin drithërues kur e arrestuan për ta çuar atje në birrucën e akullt e të errët në burgun e kalasë së Gjirokastrës. Ish vjehrri e saj, Rrapo Pulën e akuzuan për agjitacion dhe propagandë dhe e dënuan me 15-të vite heqje lirie, në burgun e Gjirokastrës dhe më pas e transferuan në burgun e sigurisë së lartë të Burrelit, ku dhe vdiq nga temperatura e lartë dhe si dhanë një kokërr aspirinë dhe një gotë ujë. Edhe i shoqi i Nevros që nuk i kishte bërë 17-të vjeç, po me këtë akuzë, e arrestuan befasisht, e nxorrën para trupit gjykues dhe e dënuan me 25-së vite burg. Mirë me burrat e kësaj familje labe, por me atë vajzë të pafaj ç’kërkonin? Të gjithë pjestarët e kësaj familje i arrestuan duke e lënë shtëpinë bosh dhe pa asnjeri brënda. Kjo nënë e fortë nga Zhulati, kujton me dhimbje ditën që e ndaluan dhe e arrestuan për ta bërë banore të qelisë në kalanë e qytetit jugor. Sigurimi i shtetit meqënëse dënuan vjehrrin e saj, të shoqin, Meton, akuza rëndoi edhe mbi atë. Sigurimsat thanë, që ta dënojmë dhe nusen e Metos,e vetmja grua në këtë shtëpi. Nga pyetjet e shumta që ajo bëri, për të mësuar arsyen e dënimit, nuk mori kurrë një përgjigje.

“Ju jeni martuar herët, për këtë ke faj. Kaq gjë s’e kupton! Kaq dhe asgjë më shumë, përveç derdhjes ndaj saj të një lumë fyerjesh dhe urrejtje kërcënuese.

Këto ditë gruas së fortë zhulaqote, i morëm këtë intervistë e cila rrëfen jetën e saj brënda qelisë së burgut dhe pas daljes prej saj.

Nënë Nevro, na trego pak për momentin e arrestimit tënd?

 Pas dënimit të Rrapos dhe Metos, më erdhi radha dhe mua për t’u ndëshkuar. Në shtëpinë tonë në lagjen “pulaj” i vumë një dry të madh shtëpisë me aq shumë zëra brënda. Unë e vetme atje në shtëpi të boshatisur s’mund të qëndroja më. Më morën prindërit në shtëpinë e tyre, atje afër qëndrës së fshatit me histori shumë. Nuk u mjaftuan me dënimin e dy burrave, at e bir, por sigurimi shfryu gjithë urrejtje dhe mllef ndaj meje, në atë moshë që s’dija se ç’ishte jeta. Shumë gjëra ende s’i kuptoja si duhej. Erdhën policët me inatin e urrejtjen që u reflektohej në fytyrë dhe më shoqëruan për në polici. Më dënuan 5 muaj. Dhe pse? Se isha martuar në moshë të re. E bëra dënimin një për një, pa më falur asnjë ditë dhe asnjë orë.

Vjehrrin e saj, Rrapo Pulën, e shtynin me këmbë në korridoret e burgut të Burrelit. E lanë të vdiste dhe s”i dhanë një kokërr aspirinë dhe një gotë ujë.Të tre pjestarët e familjes i futën në qeli dhe në shtëpinë e tyre, në Zhulat, bënin rrjeta merimangat.

Me që përmende kalanë, në çkushte kreve dënimin për pesë muaj?

 Burgu në Kalanë e Gjirokastrës mbahej si një prej burgjeve më të tmerrshmeRrinim në një dhomë 3 me 2. Edhe po të sëmureshim, për ne që vuanim dënimin aty brënda hekurave, s’donte që t’ja dinte njeri. Në ato vite ishin sheshit malaria, dizanteria, reumatizma dhe sëmundje të tjera. Ishte viti 1950. Në ato kushte bëra kokërr më kokërr 5 muaj.

Kujtojmë se dy të burgosur atëherë vdiqën. Vdekjen në ato kushte e kishim fare pranë. Nuk ngopeshim me frymë, nuk shihnim diell me sy. Një i dënuar,Isuf Dervina, ishte i sëmurë aq rëndë saqë dhe ilaçet s’i bënë derman dhe vdiq. Atë e varrosën në një birrucë të burgut. Ai burg për ne ishte Ferri i Dantes, ishte tmerri ,frika dhe pasiguria për secilin. Ata si puna ime që mbetën gjallë, do ta kujtojnë sa të jenë, deri në frymën e fundit të jetës. Në tavanin e dhomës, nga një e çarë hynte një dritë e zbehtë. Dhoma siç u tregova më sipër ishte 3 metra e gjatë dhe 2 metra e gjerë, 6 metra katrorë. Dyshemeja ishte e shtruar me çimento dhe mbi të ishte shtruar një rrogoz, që nuk kishte asnjë funksion.

Në ç’kushte u  njohët me djalin e pashëm e të, METO PULËN?

Në atë vit që u njoha me atë që do të ishte burri im i ardhshëm,isha pa kaluar të pesëmbëdhjetat.Ishte si gjithë njohjet e tjera të asaj kohe.Ishim në një fshat,me shtëpitë afër e afër dhe që shihnin nga njera – tjetra.Ne të rinjtë dilnim në qendër të fshatit për ndonjë punë,mbrëmje vallzimi se ishim të rinj etj.Me njeri -tjetrin përshëndeteshim që për së largu,takoheshim si banorë të të njëjtit fshat.

Vjehrrin tuaj, Rrapo Pulën, gardianët e shtynë me këmbë nëpër korridoret e burgut dhe s’i dhanë asnjë kokërr aspirinë, por e lnë sa vdiq!

E vërtetë! Akuza për Atë ishte politike, ndaj e rëndoi më shumë.U dënua me 15- të vite burg. Vdiq në burgun e Burrelit në moshën 52 vjeçare. Ishte i sëmurë dhe për të s’u kujdes njeri nga drejtuesit e burgut. Një gardian i burgut e shtynte me këmbë në koridoret e burgut dhe i thoshte:”Mos vdis se ke dhe 12 vite e gjysmë burg për të bërë!

Rrapua në moshën 52 vjeçare ndërroi jetë dhe e varrosën tek qershia ku i varrosnin dhe të dënuarit e tjerë, që vdisnin aty, dhe eshtrat e tij s’i mësuam asnjëherë se ku i kishte. Rrapon e hoqën nga Gjirokastra dhe e çuan të bënte pjesën tjetër të dënimit në burgun e sigurisë së lartë në Burrel. Ja si shkruante një bashkvuajtës i tij nga Vlora, Avdul Kanani:”Rrapon e kisha shok të mirë. E doja dhe më donte shumë. Nga Zhulati kisha mik dhe deputetin e asaj kohe, Mersin Gjoçën dhe kryeplakun e fshatit, Medar Pulën. Ishte një treshe e fortë. S’j’u vihej shok në krahë. Rrapua u sëmur rëndë dhe vdiq në duart e mia. Kishte temperaturë të lartë atë natë të fundit të jetës. Iu kërkova një gotë ujë për atë për herë të fundit dhe një kokërr aspirinë dhe s’ma dhanë. Ai vdiq si trim, se uli veten të kërkonte mëshirë tek ai sistem dhe ai regjim komunist.

Këtu e mbylli bisedën Avdul Kanani, bashkëvuajtësi dhe miku gjer në vdekje i vjehrrit tim, Rrapos. Edhe Avduli vuajti dënimet në burgjet komuniste dhe që e priti presidenti amerikan Xhorxh Bush njëzet minuta në zyrën e tij në Sh.B.A

Babai i tim shoqi, erdhi e më kërkoi mua nuse për djalin, Meton. Ishim të dy të vegjël atëherë, gati si dy moshatarë.Vjehrra ime, vdiq herët nga një aksident, ndaj u duhej një femër për të bërë punët e shtëpisë. Dhe ajo femra isha unë. Siç thashë edhe më sipër, në fshat e njihnim mirë njeri – tjetrin, me të mirat dhe të ligat kur thonë. Edhe vjehrri im, Rrapua,ishte një burrë i zgjuar, me autoritet dhe me shumë miq, por sa ishte gjallë edhe vjehrra, Barja, gëzonte respekt të pakundërshtueshëm në fshat dhe krahinë. Edhe djalin, Meton, e doja. Më pas do të njiheshim më shumë dhe do të lidhnim edhe jetën bashkë. Metua kishte shok të ngushtë edhe vëllain tim, Nemirin. Kur u përhap fjala se ne do të fejoheshim, asnjë gojë e ligë s’u dëgjua atë ditë. Fejesën e bëmë të shpejtuar ngaqë vjehrra , Barja, vdiq dhe s’kish se kush të vinte rrotull për të bërë punët e shtëpisë. Mbeti vetëm vjehrri, djali që më kërkonte mua për nuse, Metua dhe kunati im Mersini.

Si erdhën akuzat njëra pas tjetrës?

 Vetëm një muaj kisha në Pulaj. Arrestuan vjehrrin të parin. Akuza dihej: Agjitacion dhe propagandë. Më pas arrestuan dhe tim shoq, Meton, 17-të vjeçarin që kundërshtonte hapur regjimin komunist. Rrapon e dënuan dhe në fillim e lanë në birrucat e burgut në kalanë e Gjirokastrës, por edhe djalin e tij, Meton, së bashku me ca të arrestuar po nga Zhulati, i çuan në hetuesi në kala. Nuk mungoi dhe arrestimi im i bujshëm, të cilët herë pas here më bënin presion që të ndahesha nga burri. Por unë një përgjigje kisha për sigurimin edhe sikur të më urdhëronin dhe njëmijë herë: Djalin që desha, s’e lija më, por do ta doja me shpirt dhe do ishim në krahë të njeri – tjetrit për tërë jetën. Ishim njeri 15-të dhe tjetri 17-të vjeç, por do rriteshim dhe jetën do ta shikonim më ndryshe. Jetën përpara e kishim.

Iu thashë e vendosur:” Kur e mora burrin, ishte i mirë për mua dhe tani që ju e dënuat ta lë? Kjo s’ka për të ndodhur kurrë. Me këtë mëndje jam dhe s’kam për të ndryshuar”

Po Metua si ra në duart e sigurimit?

 Metua vinte nga Fushëvërria me mushka të ngarkuara me misër. Ishte vetëm 17-të vjeç. Kishim toka e ullinj në Vergo e Senicë të Delvinës. Dhe sot që kanë kaluar 80 vite, përsëri ullinjtë fliten në emër të Metos. Tokën e mbillnim me misër për vete dhe për bagëtinë.Të parët e kësaj familje kanë qenë shumë puntorë të mëdhenj, prandaj panë hajër dhe ecën përpara në jetë. Bagëtitë i dimëronim në Luvadh, se në Zhulat s’i krenim dot nga dimri.

Të vijmë tek pyetja jote. Meton e arrestuan në Qafë të Skërficës, në vitin 1949. Atje ka qenë një krua me ujë të ftohtë. Metua u uli kapistrën që ato të pinin ujë në koritën e drunjtë dhe në një moment i thanë:”Ke një letër nga halla dhe Metua menjëherë u afrua për të marrë letrën, por 17-të policë u sulën si bisha, e rrethuan befas dhe i hodhën hekurat. Të lidhur e prunë në Zhulat. Aty u bënë bashkë dhe me disa zhulatas të tjerë të cilët kishin të njëjtin fat si Metua, të arrestuar prej sigurimit të shtetit. Mushkat e ngarkuara me misër erdhën një e nga një në avlinë e shtëpisë. I shkarkova ato dhe me ndihmën e gjitoneve. Të nesërmen, të lidhur i dorëzuan në qelitë e burgut në Gjirokastër. Burrin tim e morën në bankën e të akuzuarit dhe trupi gjykues mori vendimin duke e dënuar me 25 vite burg, por bëri vetëm 12 vite e gjysmë. Kur ishte në burg herën e parë e kapi amnistia dhe i ulën 5 vite nga dënimi. Në Fier, ku hapej kanali Levan – Fier, ku punonin dhe të burgosurit, Metua, përfitoi edhe nga një amnisti tjetër me 4 vite e 8 muaj pasi bënte 3 deri 4 norma në ditë. Fitoi dhe një amnisti tjetër 3 vjet. Kur doli nga burgu e gjeti shtëpinë e jetës të djegur e të shkatërruar si të kishte dalë nga lufta. Unë banoja me prindërit, gjersa burri përfundoi dënimin. Pas një viti lindëm djalin e madh, Kujtimin, të cilin e mbajtën dhe e rritën prindërit e mi. Pas Kujtimit lindën dhe tre fëmijë të tjerë, dy djemtë, Dulen dhe Ferruzin dhe vajzën e vetme.

Po pas daljes nga burgu ç’drejtim mori jeta?

 Im shoq, Metua, ishte i kujdesshëm në çdo gjë që thoshte duke iu ruajtur ndonjë provokimi të sigurimsave. Sigurimi i shtetit e kishte në shënjestër Atë, por dhe ne të tjerët. Metua njihej si njeri me sjellje të mirë, por edhe si një njeri që e donte shumë punën. Shpresën s’e humbëm asnjëherë. Erdhi dita e shumëpritur, dita e demokracisë, që dhe fëmijtë tanë të ngjisnin shkallët e universiteteve si dhe shokët e tyre. Dënimet, vuajtjet dhe persekutimet mbaruan edhe tek familja jonë.

Kunati im i vetëm, Mersini, u arratis në vitin 1957 nga Korça. S’i dhanë punë. As çoban s’e lanë që të punonte. Duke mos i dhënë punë për një kohë të gjatë vendosi që të arratisej.

Me ndryshimin e sistemeve çfarë ndryshoi për ju?

Me ndryshimin e sistemeve edhe tek familja jonë në Pulaj, po ndjenim çdo ditë e më shumë flladin e një kohe tjetër. Ky s’ishte një slogan, por një realitet. Djemtë më mbaruan shkollat e larta dhe u punësuan një e nga një. Feruzi deshi të punonte në policinë e shtetit, ndërsa Dulja u bë edhe drejtor dhe në funksione të tjera. Djali i madh, Kujtimi, nuk u nda nga Bashkia dhe elektriku sa doli në pension. Ndryshimi i sistemeve, ne na çoi në vënd personalitetin e munguar për shumë kohë nga regjimi komunist.

Si merreshit vesh me Meton dhe si mbanit korrespondencë me të?

 Merreshim vesh me njeri – tjetrin shumë rrallë,për të mos thënë fare.Telegramet naj binin, ndërsa letra ,dy -tri  në muaj  shkëmbenim.S’kishim të drejtë t’i  dërgonim letrat  të mbyllura ,i dërgonim të hapura,por dhe ato letra të pakta që u dërgonim ne dhe të afërmit e tjerë ,ua hapnin drejtuesit e burgut dhe ashtu të hapura ua jepnin në dorë. S’merrnim vesh  kur im shoq,Metua,kishte nevojë dhe i duhej ndonjë gjë. Trajtoheshin si të huaj në vëndin e tyre.Kjo i bënte të dënuarit e asaj kohe ,që të vuanin dënimin në birrucat e qelive ,por edhe ne familjarët e tjerë të ndiheshim të dëshpëruar nga mos takimet me ta dhe shumë herë kur vinim tek ata,iknim pa i takuar.

Si i dënuar politik, jot shoq, Metua, ishte më afër vdekjes se të dënuarit e tjerë?

 Shumë më afër. Vdekjen im shoq e kishte vetëm një hap larg. E torturonin, e përbuznin dhe s’guxonte që të hapte gojën se gati ishin ata me uniforma që i shërbenin regjimit. Një bashkëvuajtës i tim shoq, Andrea Kalenja, nga Sotira e Dropullit, provoi vuajtje llahtar si të gjithë të burgosurit e tjerë politikë. Nëna e tij ishte e sëmurë dhe kërkonte ilaçe nga bashëshorti në Sh.B.A. Po ç’ndodhi me atë nënë dhe vajzën e saj?

Punonjësit e sigurimit të shtetit, i morën me vete dhe në vënd që t’i çonin në Lixha për ku u premtuan, i çuan dhe i pushkatuan në buzë të kufirit me grekun, në Koshovicë. E motivuan se donin që të kalonin kufirin, të arratiseshin. I tillë ishte ai sistem, që mori në qafë jetë njerëzish të pafaj. Kështu mund t’i ndodhte edhe tim shoqi dhe gjithë atyre që provonin të kundërshtonin regjimin e Enver Hoxhës.

Nënë Nevro si ndiheni tani që keni ardhur dhe banoni me djalin e madh, Kujtimin, këtu në Gjirokastër?

Shumë mirë! Ndjehem e lumtur! Disa njerëz sot ankohen nga fëmijtë dhe venë dhe në gjyq te Eni Çobani. Puna ime është ndryshe.Unë them për ata se kanë gjithçka, por iu mungon dashuria. S’kam çfarë të them për veten time se e kam djalin në Amerikë dhe më duket se e kam këtu në Tiranë. Më vjen çdo gjashtë muaj. I mbledh dhe vëllezërit e tjerë , Kujtimin e Feruzin dhe venë e vijnë që çke me të. Edhe ditëlindjen ma festojnë për vit. Kanë vëllezëri, me dorë në qafë me njeri – tjetrin dhe me mua nënën e tyre. Kur vjen Dulja nga Amerika dritat në shtëpinë tonë rrinë ndezur gjer natën vonë.

Faleminderit!