Kujtimet e Llazar Foto: Jeta ime ka qenë e ëvshtirë nga Këlcyra, në Kuçovë, BS, dhe problemeve të avionëve MIG

15
Sigal

Kujtimet e Llazar Foto, ish-kryeinxhinjer i Aviacionit në Kuçovë:

– Shtëpia në Bual, u dogj nga gjermanët, të cilët, të udhëhequr nga ballistët e Këlcyrës, i vunë zjarrin shtëpisë ngaqë nga ajo shtëpi, kishin dalë tre vëllezër partizanë.

– Kemi hyrë në Kuçovë, bashkë me babain, më 23 tetor 1947, pas një udhëtimi të gjatë në këmbë nga Buali i Këlcyrës…

– Për punë të mirë më shpallën “Stakanovist” ku përfitova një racion më të madh të bukës me triskë, por edhe ushqime suplemetare

– Presidenti Omer Nishani ka firmosur dekoratën: “Si punëtor i dalluar ka punuar pa u lodhur për realizimin e planit të shtetit në Kombinatin e Naftës “Stalin”

– Tre vite në BS, 1954 – 1957, kualifikohem si “Teknik – Mekanik” duke marrë diplomën “Shkëlqyer”

– Të njihje me detaje motorrët e avionëve Mig ishte punë strapacuese

-Me gjithë vështirësitë e furnizimit me pjesë të gjithë avionëti mbjtëm ën gadishmëri ditë e natë

 

Vladimir Duro

Artist në specialitetin e vet’ nuk është prodhim imi, e kam marrë nga një shkrim i revistës “10 Korriku” të shumë viteve më parë. E përbashkëta e këtij shkrimi me shkrimin e Revistës “10 Korriku” është personazhi. Të dyja shkrimet i dedikohen të njëjtit person, Llazi Fotos. Nuk ka titull më të goditur sesa i mësipërmi për të përshkruar atë çfarë Llazi Foto ishte – simbol pune, etalon ndershmërie, emblemë fisnikërie. Ah, po, mund të shtohej edhe “Artist në njerzillëk dhe fisnikëri”, por gazetari i “10 Korrikut” nuk e ka njohur Llazin, nuk ka punuar me të. Sa më sipër e pohoj unë që punova vite me radhë dhe pashë e preka ç’them më sipër…biles mund të shtoj, pa frikë se e teproj, se si Llazi Foto njeri dhe profesionist nuk ka të dytë.
    

Jetëshkrimi

Llazi ka lindur më 15.09.1930 në Bual, fshat i qytetit të Përmetit, 4-5 kilometër në Veri-Lindje të tij, në rrëzë të malit të Dhëmbelit dhe pranë Vjosës, në krahun e majtë të rrjedhës së lumit. Ka lindur në lagjen Vilë, një nga pesë lagjet e fshatit, lagjia më jugore. Babai dhe nëna, punonin si punëtorë fshati. Babai, kulloste bagëtitë e banorëve të fshatit që përgjithësisht ishin artizanë dhe punonin në qytetin e Përmetit, ndërsa nëna punëtore shtëpie në shtëpitë e tyre. Merrej me pastrim shtëpish, larje rrobash, gatim, mbushje uji për nevojat e familjeve etj. Të dy paguheshin në natyrë, duke siguruar kështu ushqimin për familjen.

– Ai tregon:

“Shtëpia në lagjen Vilë u dogj nga gjermanët, të cilët, të udhëhequr nga ballistët e Këlcyrës, i vunë zjarrin shtëpisë ngaqë nga ajo shtëpi, kishin dalë tre vëllezër partizanë. Nga ajo shtëpi, mbeti e pa djegur vetëm një dhomë, pak shtresa dhe mbulesa dhe nëna e plagosur nga qyta e pushkës së një ushtari gjerman. Ajo dhomë e mbetur nga shtëpia, e dëmtuar nga zjarri, u rrëzua dhe unë, atë rrëzim e mbaj mend shumë mirë. Me motrën Violetë kemi qenë ulur në murin rrethues të oborrit përballë diellit. Motra, po më ushqente me një përshesh me qumësht, kur shtëpia krisi dhe u shëmb e gjitha. Mes pluhurit, dëgjova ulurimat e nënës dhe komshijve nga që kujtuan se unë e motra, ishim brenda saj – tregon Gjergji, vëllai i vogël i Llazit, që më tej vazhdon:

“Kjo ngjarje është e vitit 1946-’47, kur unë isha rreth 4 vjeç. Nuk e mbaj mend vëlla Llazarin në atë kohë, po ashtu babain dhe nënën, nga që iknin pa gdhirë dhe ktheheshin në të ngrysur. Mbaj mend dy motrat e mia, të cilat merreshin me mua. Nga ajo lagje, me dashamirësinë dhe ndihmën e fqinjëve kaluam në lagjen Golemas, në një shtëpi të mbetur bosh, por me plaçka brenda, të cilën i zoti na e kishte dhënë për të banuar dhe për të mirëmbajtur. Si thashë, edhe në atë lagje unë nuk e mbaj mend vëlla Llazarin dhe jo vetëm atë, por aty mësova edhe emrat e tre vëllezërve të tjerë, të cilët nuk i kisha parë dhe as më kishin parë. Ata kishin ikur nga fshati para se të lindja unë, por emrin ua dëgjoja.”

Në vitin 1947, Llazi me të jatin, vijnë në Kuçovë. Për këtë periudhë, Gjergji tregon:

“- Shoh në Librezën e punës së vëlla Llazarit, të cilën e ka lëshuar Komiteti Ekzekutiv i rrethit Berat, më 12 tetor 1949, se ka hyrë në Kuçovë, bashkë me babain, më 23 tetor 1947, pas një udhëtimi të gjatë në këmbë nga Buali në Kuçovë, e që për fat të keq, sipas dokumenteve, në moshën 14 vjeçare. Historia e udhëtimit për në Kuçovë është një histori e gjatë dhe e veçantë. Kërkoi punë në Komitetin Profesional (sindikatën) të Kuçovës, por për shkak të moshës së vogël, nuk e pranuan. E ka pasur shumë të vështirë të siguronte jetesën, për ushqim, fjetje etj, ndaj në njerin nga fshatrat rreth Kuçovës, duke pyetur për punë, e merr dikush për të ruajtur gjënë e gjallë, duke i siguruar fjetjen, jashtë shtëpisë së tij, por edhe ushqimin. Ndoshta ka qenë një vit i plotë pune aty, e më pas, me përpjekje siguroi një punë, e cila edhe paguhej si shpërndarës karburanti për traktorët që punonin në tokat pranë qytetit. Vëllai tregon se karburantin e shpërndante me bidonat metalikë herë me kapak e herë pa kapak, ngarkuar në kurriz, duke ecur më këmbë. Për fat të keq, karburanti, ndodhte që i derdhej në kurriz duke i shkaktuar plagë dhe djegie.”

Italiani i mirë dhe dekorimet

Në 12 tetor 1949, Llazi fillon punë pranë “Repartit të Ofiçinës të Kuçovës”, si ndihmës pranë një tornitori italian, shumë i zoti dhe sidomos shumë dashamirës. Me turnin e tretë e kisha shumë vështirë për të përballuar gjumin, por italiani i mirë më frynte në fytyrë për të më zgjuar pa thirrur, – tregon Llazi, sipas Gjergjit.

Dhe vijnë rezultatet e para të cilat e veçojnë Llazin si një njeri punëdashës, këmbëngulës dhe rezultativ, por edhe përgjegjës për prindërit dhe familjen.

Në një shkresë të Presidiumit të Kuvendit Popullor, e firmosur nga Presidenti Omer Nishani dhe Sekretar Sami Baholli, thuhet se: “Si punëtor i dalluar ka punuar pa u lodhur për realizimin e planit të shtetit në Kombinatin e Naftës “Stalin”, është treguar i kujdesshëm për ruajtjen e pasurisë së shtetit, ka bërë përpjekje për ngritjen tekniko – profesionale të tij, ka qenë shëmbull në punë edhe për punëtorët e tjerë dhe përpiqet për aplikimin e metodave sovjetike” – tregon Gjergji dhe më tej vazhdon :

“- Shpallet “Stakanovist” dhe me një librezë të veçantë përfiton një racion më të madh të bukës me triskë, por edhe ushqime suplemetare. Njëherësh, kërkon të tërheqë familjen, të cilët pas largimit nga fshati në Gjirokastër në vitin 1949, pas njërit nga vëllezërit oficer atje, kishin përfunduar në vitin 1951 në Përmet, pas transferimit atje të vëllait oficer. Përfiton të drejtën për shtëpi dhe merr një të tillë në lagjen “1 Maj”, shtëpitë prej guri. Në Korrik 1951, sistemon familjen në Kuçovë dhe ndërkohë bënë përpjekje të jashtëzakonshme për të plotësuar nevojat më të domosdoshme për kompletimin e nevojave në familje dhe sidomos për të plotësuar, nëpërmjet shkollës së natës, arsimin unik të munguar.

Ende pa u sistemuar si duhej në shtëpinë me mjaft mungesa, në vitin 1952, niset në shërbimin ushtarak në Repartin e aviacionit në Rinas.

Drejt BS

Në atë repart, Llazin, si tornitor, e përfshijnë në kursin e mekanikëve për aviona, nga ku përfundoi shkëlqyeshëm. Në vitin 1954, me një grup ushtarësh të tjerë e nisin në Bashkimin Sovjetik. Tre vite në BS, 1954 – 1957, dhe Llazi kualifikohet si “Teknik – Mekanik”. Në Diplomën e marrë nga kjo shkollë, specifikohej vlerësimi “Shkëlqyer” dhe sa më poshtë:

“Kjo diplomë i jepet Foto, Llazi Andon”; që në vitin 1954, filloi shkollën teknike të aviacionit luftarak dhe në vitin 1957 përfundoi kursin e plotë të quajtur shfrytëzimin e aeroplanëve dhe motorrëve të aviacionit.” Për komisionin shtetëror të kualifikimit të dt. 20 shtator 1957 Foto Llazi Andon, përfiton kualifikimin “Teknik-Mekanik”.

Në këto rezultate, duket përpjekja e jashtzakonshme për të arritur më të mirën në atë specialitet, duke pasur parasysh mungesën e një arsimimi të rregullt dhe sidomos mungesën e njohurive të gjuhës së huaj. Në një nga fotografitë që shoqërojnë jetën në atë shkollë teknike, duket se ishte në një shkollë në të cilën mësonin kursantë nga të gjithë shtetet e ish kampit socialist, përfshi gjermanë, polakë, bullgarë etj, fotot e renditura si në një “tabelë emulacioni”, fotografia e Llazit, ishte në krye. Në atë rast, edhe ne familjarët e tij jemi ndjerë krenarë për përfaqësimin dinjitoz të vendit tonë – tregon Gjergji plot krenari për heroin e tij.

Në vitin 1958 Llazi ridërgohet në Bashkimin Sovjetik për specializim lidhur me motorrat e avionit Mig-19 dhe pas kthimit në vend, emërohet në repartin e aviacionit luftarak të Valiasit. Në Vitin 1962, kthehet në repartin 1965 të aviacionit luftarak në Kuçovë dhe në vitin 1969, emërohet Kryeinxhinier i aviacionit aty.

Njohja dhe miqësia

Kur unë fillova punë në Aviacion, në ‘77-ën, Llazin e gjeta në Ofiçinë, tek motorrat. Qysh ditën e parë mësova dy gjëra për Llazin, perfeksionin në profesion dhe fisnikërinë njerëzore, ndaj, kur Gjergji më tha : “Mbaj mend se pas pune, në shtëpi, studjonte vazhdimisht leksionet e marra në Bashkimin Sovjetik, ku shihja një kujdes të jashtëzakonshëm në shënime”, nuk më erdhi fare e papritur.

Biles për Laz Foton, unë dhe gjithë aviacionistët që e kanë njohur e që në fakt janë të shumtë, dimë më kryesoren, madhështinë e këtij njeriu – vëlla me të përkryerën në profesion, me majën e ndërgjegjes, me kulmin e palodhshmërisë në punë, me etalonin thjeshtësisë, me zemrën e madhe. Llazi hyn tek të paktët që meritojnë vlerësim unanim, nuk ka burrë nëne që ta ketë njohur e të mos e vlerësojë maksimalisht.

– Llazi Foto është nr 1 për motorrët e avionit në gjithë aviacionin – thotë inxhinjeri emërmadh Remzi Lile në një bisedë ku rastësisht u pyet për më të mirin e kësaj fushe në aviacion.

Ndërsa ish kryeinxhinjeri i Aviacionit, i mirënjohuri Arqile Peri, thotë :

Llazin e kam njohur në vitin 1967, kur u emërova në Uzinë. Takimin e parë me të ma ka bërë ish k/ing. i regjimentit Stefan Kagjini, bashkautori i prodhimit të vajgurit shqiptar me Koço Pepën. Stefani, që e kam dhe kushëri, e mbante shumë afër Llazin, dhe kur për ndonjë arsye, ai nuk qe prezent, detyrën e tij ia besonte atij. Llazi vinte shpesh në Uzine, sepse ishim shumë afër dhe ai vinte të takonte dhe shokët e tij, që kishin punuar bashkë si Raqi Sevon, Kadri Gurin, Guri Panaritin dhe ishin emëruar në Uzinë. Llazi ishte në radhë të parë si njeri me karakter të lartë dhe me cilësi të rralla : i urtë i thjeshtë, shumë modest dhe i palodhur në punë.

Shpesh Stefani më thoshte se : “tek Llazi kam shumë besim” dhe në çdo konsultë teknike ai ishte prezent dhe fjala e tij dëgjohej me vëmëndje. Kanë qënë të shpeshta rastet kur ne e thërrisnim në Uzinë për zgjidhjen e ndonjë problemi teknik, ai bashkë me një tjetër ikonë të aviacionit, të pa harruarin Novruz Koçileri, kanë kontribuar direkt në kurorëzimin me sukses në shumë raste që shtroheshin për zgjidhje, sidomos në sektorin e motorrit, dhe jam i sigurtë se këtë mendim ndajnë dhe shumë bashkëkohës të mi, si Lefter Manushi që ka punuar për shumë kohë në këto sektorë. Dua të përmend këtu dhe vlerësimin që i bënin edhe ish k/inxh e Aviacionit Shqiptar, të ndjerët Foto Lako dhe Perikli Teta. Mbaj mend se nuk kishte konsultë teknike, që organizohej pa prezencën Llazi Fotos.  Llazi spikaste dhe si model i një familjari të përkushtuar, dua të përmend bashkëshorten e tij Dhoksinë, për të cilën ruaj në kujtesë një respekt të veçantë…ka punuar në Uzinë si magaziniere atrecature dhe dallohej për përkushtim dhe devotshmëri në kryerjen e detyrës. Siç e them edhe më sipër, për Llazin nuk është nevoja të zgjedhësh njerëzit që do të pyesës, mjaft të pyesësh dikë që njihet me të. Në fakt, hollë – hollë, Llazi e ka të shkruar në ballë mirësinë dhe fisnikërinë, mjafton ta shohësh dhe e kupton ç’njeri është. Për Llazin familjar u shpreh më sipër edhe i madhi Arqile, por gjithsesi në mbyllje të këtij dedikimi për të, po sjellë edhe konsideratën e Gjergjit për të vëllanë, Llazin familjar:

Ka qenë një familjar shëmbullor lidhur me kujdesin për prindërit, kujdesin për ne më të vegjëlit në moshë, cilësi që e dalloi si tepër të veçantë gjatë kohës që pati bashkëshorten të sëmurë me leuçemi. Kam qenë i pranishëm në spitalin sot “Nënë Tereza”, ku ishte e shtruar bashkëshortja e parë, pasi mora vesh se gjatë natës ajo kishte ndëruar jetë në prani të Llazit, i cili veç në mëngjesin e të nesërmes na njoftoi dhe rasti e solli të takoj vëllain jashtë dhomës, kur gjithë mjekët e sapo dalë nga mbledhja e mëngjesit erdhën dhe e ngushëlluan vëllain me fjalët më prekëse e që nxorrën në dukje përkushtimin e jashtëzakonshëm të tij, falë të cilit e sëmura me leuçemi, e kishte kaluar zgjatshmërinë e bashkëjetesës me atë sëmundje disa herë vitet normale. Ishte e vërtetë, që vëllain me raste e shihja duke u kujdesur si për një fëmijë të vogël. Ay kujdes, bëri që bashkëshortja të zgjaste jetën, ndër të cilat u rritën edhe fëmijët, djali dhe dy vajzat e çiftit. Natyrisht ajo sëmundje bëri që veprimtaria e tij shoqërore të kufizohet duke vënë si qëllim të veçantë shëndetin e bashkëshortes. Me këmbënguljen tonë, të vëllezërve, u rimartua, por përsëri edhe bashkëshortja e re, pati probleme me shëndetin dhe një sëmundje e rëndë e pashërueshme e ndau nga jeta shpejt edhe atë. Edhe njëherë Llazi, shfaqi shpirtin e tij human e dashamirës, duke mos kursyer asgjë në dobi të mbështetjes së shëndetit të bashkëshortes së re.  Llazi Foto doli në pension në vitin 1988 duke qenë Komandant i Ofiçinës së riparimit të avionëve.