Jovan Bizhyti: Marrëdhëniet e Spiro Moisiut me “Bllokun” dhe nomenklaturën e lartë të shtetit komunist

14
Sigal

(5 maj 1900, 124 vjetori i lindjes)

Sapo mbaroi lufta, para Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Shqiptare, shtrohej detyra e shndërrimit të Ushtrisë partizane Nac.Çl. në një ushtri të organizuar e të konceptuar me kërkesa të karakterit kombëtar europian. Pikërisht, në valën e kësaj pune të madhe, ndodhi sfida! Misioni i Gjeneral Spiro Moisiut, pas kësaj lufte të suksesshme e legjendare, po shkonte drejt përfundimit! Këto ishin shfaqjet e para të dritë-hijeve në karrierën e tij, befasia e të cilave la pasoja jo vetëm politike e ushtarake, por dhe shpirtërore e shoqërore.

Pa pritur, Gjeneralin e Shtatmadhorisë, Komandantin legjendar që drejtoi luftën partizane Nac.Çl., personalitetin ushtarak më të lartë të luftës dhe ushtarakun, që mbante gradën më të lartë në radhët e ushtrisë shqiptare, e larguan nga detyra, duke e nxjerë në “Pension pleqërie” në moshën 48 vjeç! Në vend të tij, u emërua Gjeneral Mehmet Shehu, që u thirr me urgjencë, pa përfunduar studimet nga Akademia Ushtarake “Voroshillov” në Bashkimin Sovjetik. Në urdhërin e çmobilizimit thuhej:

-“Urdhëroj që Gjeneral-Major Spiro Moisiu, deri tash Inspektor Epror i Ushtrisë Kombëtare, të dal në pension”.

Komandanti Suprem i Forcave të Armatosura

Gjeneral-Kolonel

Enver Hoxha  (AQFASH, Dosja 21, dt. 10. 02.1948)

Motivet e këtij shkarkimi nuk u thanë, e nuk janë thënë kurrë! Këto veprime lidheshin në të njëjtën kohë dhe me ndërhyrjet jugosllave, pasi që nga koha e luftës, Spiro Moisiu ishte etiketuar si anti-jugosllav, nga kontradiktat që kishte me të dërguarit e Titos pranë Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Nac.Çl. Njëkohësisht, për këto arsye politike, ai përndiqej dhe nga Sigurimi i Shtetit në ato kohë kur Ministër i Brëndshëm ishte Koçi Xoxe. Ai me karakterin që kishte, me krenarinë dhe personalitetin që e karakterizonte, mposhti me urtësi e dinjitet gjithçka dhe mbeti një figurë e shquar dhe e nderuar e kombit tonë.

Në momentin kur i dorëzoi detyrën Shefit të ri të Shtabit të Ushtrisë, Mehmet Shehut, ishte prezent dhe Major Sadik Bekteshi, në atë kohë Drejtor i Drejtorisë Politike të Ushtrisë dhe në kujtimet e tij ai tregon: -Nuk u thanë arsyet dhe shkaqet pse u bë ky ndryshim! Gjeneral-Major Spiro Moisiu me nervozizëm i tha Mehmetit:

-“Kjo është zyra, ja dhe çelsat e kasafortës, duke ia hedhur mbi tavolinë dhe u largua në heshtje pa folur asgjë më shumë”!

Ai e kuptonte shkakun e këtij qëndrimi ndaj personit të tij, por me forcën e karakterit dhe dinjitetit që kishte, diti ta përmbante veten pa folur lart e poshtë për pakënaqësitë që bluante përbrenda, se i dinte pasojat që mund të vinin më pas. Në 1949, Koçi Xoxe u shkarkua nga të gjitha funksionet dhe pritej arrestimi i tij si armik i popullit. Pas kësaj, një ditë Spiro Moisiun e thirri Enver Hoxha për takim. Midis të tjerave, Enveri i tha:

-“Koçi Xoxe kërkonte të eleminonte njerëzit e vërtetë të luftës, midis tyre dhe ty shoku Spiro! Veprimet dhe masat e ndërmara nga Koçi Xoxe, u quajtën nga partia jo vetëm të padrejta, por dhe me qëllime antishqiptare dhe armiqësore”. (Kujtime të Spiro Moisiut viti 1950).

Më së fundi, Enver Hoxha i komunikoi Gjeneral Spiros, vendimin e emërimit të tij, Komandant i Garnizonit Ushtarak të Tiranës. Ky reabilitim që iu bë Gjeneral Spiros, mesa duket i detyruar nga situata që ishte krijuar, kërkohej për ta paraqitur Spiro Moisiun si viktimë e armikut Koçi Xoxe, që i kish sjellë shumë dëme partisë, ndaj këto gabime duheshin korigjuar!

Një ditë, në mbledhjen e Kuvendit Popullor, ku Spiro Moisiu ishte deputet, gjatë pushimit të seancave, Enver Hoxha për të treguar afrimitet, e kap për krahu Spiro Moisiun dhe i thotë:- “Komandant, ku je? Hajde të pimë një kafe”. Dhe të dy për krahu u futën në sallën e “Vipave” në ambjentet e kuvendit. Sa dolën prej andej, disa deputetë që i kishin qëndruar larg Spiros, u turrën për ta takuar, u afruan dhe nisën t’i serviloseshin. Këtë moment Spiro Moisiu në kujtimet e tij, e kujton me neveri! Ai shkruan:

-“Servilizmi është imitim i vesit të keq! Dhe kur ajo e keqe del mbi lirinë e karakterit dhe të pavarësisë së ndërgjegjes, e kushtëzon njeriun të imitojë eprorin e tij, duke iu servilosur”. Pra, nuk kish ndryshuar Spirua, kishin ndryshuar njerëzit që e rrethonin, të cilët kanë qenë dhe janë ende nëpër mjediset në çdo kohë. Dhe koha ndryshon më shpejt se realiteti. Të gjitha këto, Spiro Moisiu i ka përjetuar si atdhetar, sigurisht me emocione dhe shqetësime të brendëshme, njëkohësisht dhe me krenari të heshtur.

Një nga kuadrot e luftës me të cilin Spiro Moisiu mbante miqësi, ishte dhe Adnan Qatipi, i cili në kujtimet e tij për luftën Nac.Çl. tregon:-“Enverin e njihnim si guerilas në kryeqytet, ndërsa emrin e Spiro Moisiut, e njihnim si ushtarak dhe patriot, ndaj e përkrahëm unanimisht kur u zgjodh Komandant i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë në Labinot, se ishte nacionalist i dëgjuar. Shoku im, Lym Keta, kur e takoi komandant Spiron në Labinot në shtator 1943, biseduan i riu 18 vjeçar me komandantin 43 vjeçar, sikur të ishin miq të vjetër moshatarë. Lymi më tha për Major Spiron se, ai ishte njeri babaxhan, një komunikues i çuditshëm, një udhëheqës i vërtetë lufte dhe ushtrie. Guximin e guerilasve e pëlqente së tepërmi, pasi dhe vet qe trim. Trimave u falte besën, miqësinë e shoqërinë”. Adnani tregon më tej dhe për një ndodhi të përjetuar:

-“Ishim në Arbanë të Tiranës në Tetor 1943, kur gjermanët sulmuan bafasisht për të kapur udhëheqjen e Shtabit të Përgjithshëm që ndodhej aty në krijimin e Brigadës së III-të Sulmuese. Në një përpjekje me forcat gjermane, unë u plagosa në krahun e majtë. Mjekët italianë e shqiptarë, vendosën të më prisnin dorën. Në ato çaste, në ambjentet e spitalit partizan të luftës, hyjnë tre veta. Më pyetën dhe unë u përgjigja:

-Jam i ri, të mos mbetem sakat!- u thashë. Nga mbarimi i konsultës, njeri prej tyre me gradën Major, ndërhyri:

-More djalë, si e ndjen dorën? A i lëviz gishtat? Ç’të thanë doktorët? I druajtur dhe i sëmurë e pyeta:

-Kush jeni ju? Ai buzëqeshi.

-Jam Spiro Moisiu,- më tha. Duan të presin krahun! Por jo more djalë, jo more babë! Gjë që s’bëhet, gjersa lëvizin gishtat! Dhe serioz iu drejtua Enverit:- Duhet ta çojmë në Tiranë për ta shëruar. Më vuri dorën mbi kokë si prind dhe më qetësoi. Mos u mërzit,- më tha,- do të shërojmë.

U bë si gjykoi ai, komandanti i regjur nëpër luftra me të vrarë e të plagosur. Pra, krahun e majtë, si njeri me dy krahë në jetë, ia dedikoj arsyetimit vendimtar të Spiro Moisiut. Që atë ditë, nisi dashuria dhe respekti i pakufishëm, që vitet na i shndërruan në intimitete të jetës së përditshme. Pra, komandanti i luftës, nuk ishte thjeshtë një ushtarak për të organizuar e drejtuar betejat luftarake, por mbi të gjitha ishte njerëzor, ishte prind, ishte “Babë” për këta djem të rinj, që vunë idealin dhe jetën e tyre në shërbim të Atdheut e të lirisë së Kombit.

Pas disa kohësh, me rastin e 70 vjetorit të lindjes, Enver Hoxha i shkoi befasisht për vizitë në familje Spiro Moisiut, Mori në prehër mbesën e vogël, vajzën e Alfredit dhe i tha:- “Ti moj vajzë, nuk e di se kush është gjyshi yt, se çfarë kontributi ka dhënë e çfarë sakrificash ka bërë ai gjatë kohës së luftës për vendin e tij. Në atë kohë ai ishte njeri me emër në Shqipëri, burrë i pjekur mbi 40 vjeç. Ishte patriot, trim e i ndershëm me reputacion, me pasuri dhe me një familje të madhe me tre fëmijë. Ai të gjitha këto i vuri në dispozicion të luftës për çlirim dhe mori pushkën për lirinë e vendit. Ne të tjerët, sigurisht sakrifikuam, por nuk kishim njeri mbi kurriz dhe e kishim më të lehtë të mernim vendime të tilla. Jo vetëm kaq, por ne në atë kohë ishim të rinj dhe të panjohur. Pjesëmarja e shokëve si, Spiro Moisiu, Myslim Peza, Omer Nishani, Hazhi Lleshi, Baba Faja e të tjerë, ishin një plus i madh për të rritur kredencialet e besimit të lëvizjes sonë në sytë e popullit. Pra, kjo nuk mund të harrohet kurrë, pavarësisht kohërave që kalojnë”. (Alfred Moisiu, kujtime, botim i vitit 2008).

Eshtë interesant të spjegohet që, Enver Hoxha, nga një anë e vlerëson shumë lartë figurën dhe personalitetin e Spiro Moisiut, kontributin patriotik e atdhetar të tij, aftësitë në drejtimin e betejave të luftës çlirimtare dhe nga ana tjetër, lejoi dritë-hijet në karrierën e Spiro Moisiut, bile firmosi deri dhe vendimin për lirimin parakohe nga detyra dhe nga ushtria të Gjeneral Spiros në një moshë kaq të re 48 vjeçare! Bile lejoi dhe qëndrimet intriguese e keqdashëse të Koçi Xoxes ndaj Spiro Moisiut! Koçi Xoxe nuk ishte qeveri më vete, që mund të bënte ç’të donte me figura të larta të kombit, siç ishte dhe Gjeneral Spiro Moisiu, aq më tepër që Enveri e ka patur shokë e bashkëpuntor të afërt në periudhën e luftës, ku kanë marrë së bashku vendime të rëndësishme për fatet e luftës e të Atdheut, si dy drejtuesit më të lartë të saj!?

Në dhjetor të vitit 1944, fill pas çlirimit të vendit, kur Qeveria e Re Provizore sapo hyri në Tiranën e çliruar, Gjeneral Spiro Moisiut i dhanë një banesë për të jetuar në rrugën “Hoxha Tahsin”, në të cilën banoi deri në vitin 1946. Mbas kësaj kohe, u vendos për të banuar në rrugën “Fortuzi”, në një vilë pronë e avokatit Vasil Bidoshi, me një qera mujore 1000 lekë të kohës në muaj. Aty jetoi familjarishtë deri në fund të jetës së tij në vitin 1981. Shpesh miqtë dhe shokët e tij e pyesnin:

-Spiro, pse nuk kërkon të banosh në “Bllokun e udhëheqjes”, që sapo ishte krijuar ato kohë? Ai me modesti përgjigjej:

-“Jam mësuar kështu me njerëzit dhe nuk dëshëroj ta ndërroj lagjen”. Njerëzit e donin, sepse ishte shumë i thjeshtë e i komunikueshëm me popullin.

Një ditë, Enver Hoxha në një takim të rastësishëm, i thotë:-“Spiro, je vendosur shumë larg dhe jo gjithmonë mund të vijmë për një kafe dhe të shikojmë? Pse nuk vendosesh dhe ti këtu afër me ne në një godinë të mirë brenda “Bllokut”?

Spirua u përgjigj:-“Faleminderit shoku Enver për kujdesin, por unë u mësova në atë lagje dhe mbi të gjitha dua t’u them se më vijnë shumë njerëz të afërt, miq e shokë nga Tirana dhe nga rrethet dhe nuk do ta kenë të lehtë për të hyrë në “Bllok”, pasi aty ka dhe rregulla”. Pra, ai nuk pranonte të futej në atë kala të izoluar e të rrethuar me roje garde. Në biseda të lira me shokët ai shprehej:-“Po të futem atje, do t’i nënshtrohen formaliteteve, që e bëjnë të pamundur ardhjen e njerëzve të afërt dhe të largët për gëzime ose halle. Unë jam mësuar të pres e të përciellë shumë miq e shokë të njohur e hallexhinjë. “Blloku” të ndan nga njerëzit, nga populli i thjeshtë. Dua të jem i lirë në jetën time private, për të mos u ndarë së gjalli me njerëzit”.

Njëherë tjetër, takohet me Enver Hoxhën në seancën e pushimit të Kuvendit Popullor. Enveri i thotë:-“Ore Spiro, po si është kjo punë që nuk vjen njëherë jashtë takimeve zyrtare, për të pirë një kafe bashkë, sikurse e pinim në kohën e luftës, nga ajo që ‘ti e mbaje vazhdimisht në çantën tënde”?

Spirua u përgjigj:-“Mos ma merr për ters shoku Enver, por nuk mund të rri të presë në post-bllok deri sa të vijë leje-kalimi nga oficeri i gardës. Ata nuk kanë faj, zbatojnë rregullat, por mosha ime bën të vetën”.

Po kështu ai vepronte dhe kur shkonte me pushime në plazhin e Durrësit. Sipas rregullave të kohës, si anëtar i Presidiumit të Kuvendit Popullor, ai kish të drejtë të pushonte një muaj në një nga vilat e  pushimit që administronte Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare në një zonë të plazhit që quhej, “Vilat Qeveritare të Udhëheqjes”. Spiro Moisiu asnjëherë nuk pranoi të pushonte në atë zonë, por zgjidhte gjithmonë një vilë që ishte jashtë atij territori, jashtë rojeve të gardës. Dhe gjithmonë thoshte,-“Dua të jem jashtë gardhit, pasi kështu më duket sikur jam më afër me njerëzit dhe me miqtë e me shokët e mi”.

Ishte e vërtetë, pasi si “Blloku” në Tiranë edhe ajo pjesë e plazhit në plepat e Durrësit ku pushonte udhëheqja e lartë, jo vetëm ishin super të mbrojtura, por dhe me rregulla të forta që s’hynte kushdo dhe s’mund të ishe i lirë e të bëje ç’të doje. Spiro Moisiu nuk ishte mësuar me këto kushte, ndaj kërkonte të ishte i lirë midis njerëzve. Për Enver Hoxhën kishte respekt si ish bashkëluftëtarë dhe shokë lufte, që së bashku kishin kaluar shumë rreziqe e vështirësi, por në marrëdhënie me “Bllokun”, tregohej i matur dhe shumë i kujdesshëm. Për këtë, porosiste shpesh dhe fëmijët.

-“Kini kujdes,- u thoshte,- shmangiuni çdo rasti lidhjeje apo krushqie me fëmijtë e “Bllokut”. Jo vetëm të mos tentoni për lidhje të tilla, por dhe nëse do kini kërkesa e propozime për një gjë të tillë, asnjëherë mos e pranoni”! Ai ishte i thellë në mendime, përvoja e jetës e kish mësuar të gjykonte dhe të parashikonte përtej të tashmes, sepse e dinte që si kudo edhe në politikë, ka lakmi, hakmarrje dhe intriga dhe çdo karrike pushteti është e përkohshme, pastaj nuk i dihet jetës si përfundon. Sa më lartë të jesh, rënia në tokë është më e rëndë, më tronditëse, më me pasoja dhe këtë mesa dukej, ai e mendonte.

Pra, ai s’pranonte asnjë lloj privilegji, asnjë lloj favori që e ndanin nga njerëzit, nga miqtë e shokët, mes të cilëve ai ndihej i qetë, i lirë dhe i gëzuar. Edhe kur e hoqën nga funksionet dhe e nxorrën parakohe në “pension pleqërie”, njerëzit e thjeshtë, miqtë e shokët e luftës, nuk u larguan nga Spirua, nuk e lanë të vetmuar, ndaj edhe kur u rikthye sërish në detyrat shtetërore dhe ushtarake, ai mbajti lidhje të ngushta me dashamirësit e thjeshtë e besnikë. Të tillë ishin, Myslim Peza, Haxhi Lleshi, Spiro Bakalli, Xhorxhi Robo, Lefter Goga, Kahreman Ylli, Koli Ll. Bozo, Irakli Bozo, Miti Bozo, Adnan Qatipi e të tjerë. Me Enver Hoxhën mbante marëdhënie normale, ai nuk e theu besën e dhënë që në ato ditë të stuhishme kur i dolën zot vendit, pavarësish dritë-hijeve që kaloi kalvari i jetës së tij.

Spiro Moisiu shpesh kur shkonte në bazë, në ndonjë rast, ndihej i dëshpëruar dhe kryeulur kur shihte ndonjë fshatar patriot të luftës, që druhej t’i afrohej, se pushteti popullor pas çlirimit, e kishte shpallur “Kulak”, thjesht për motive pasurie, apo se kish nguruar të hynte në kooperativë bujqësore! Spirua ndihej keq, se mjaft nga këta fshatarë, midis tyre dhe ata të mesëm, e mbështetën luftën në momentet më të vështira, vunë gjithçka në shërbim të Atdheut, edhe pasurinë, edhe shtëpinë ku Spiro Moisiu me shokë u strehuan, rreshtuan dhe fëmijët në radhët e partizanëve që luftuan me armë në krah, por ja që, pas çlirimit për ato motive që theksuam më lartë, morën goditjen e luftës së klasave, duke i shpallur “Kulak”, të përjashtuar nga Fronti Demokratik, për të cilin kishin luftuar!

Të gjitha këto sa u thanë, tregojnë jo vetëm formimin patriotik dhe shpirtin intelektual, demokrat e njerëzor të Spiro Moisiut, por dhe vendosmërinë e tij, për t’i qëndruar besnik idealeve të luftës, lidhjeve të ngushta me popullin dhe shpirtin e tij kritikë ndaj veprimeve e qëndrimeve, që cënonin unitetin e popullit dhe lirinë e demokracinë popullore.