Memisha Gjonzeneli: Si më takoi pas 41-vjetësh me familjen, fëmija 15-vjeçar (tashmë burrë) që e shpëtova nga mbytja

1435
Sigal

Si shpëtova djalin 15-vjeçar por babai i tij i tha të shpëtoi “Armiku i Popullit”

Kërkova leje për në spital sigurimsi që i shpëtova djalin më dha 6 orë lejë

-Si na internuan në fshatin e origjinës Tragjas, fshatarët na shikonin me urrejtje

Si shpëtova dy fëmijë në kampin e pionierëve, donin ti përjashtonin se i shpëtoi “Armiku Popullit”

-Si erdhi dhe më takoi pas 41-vjetësh me familjen, fëmija 15 vjeçar (tashmë burrë) që e shpëtova nga mbytja

Nga: Memisha Gjonzeneli, dekoruar me medaljen “Naim Frashëri i Artë”

 

.

Kishin kaluar shumë vite nga koha që kisha dalë nga burgu, ku vuajta dënimin si “armik i popullit”…(Isha ende vetëm 16 vjeç, kur më arrestuan…)

Një pasdite po shëtisja buzë detit. Ishte verë. Këmbët i futa në ujë për t`i freskuar dhe këpucët i kisha lënë në anë të detit. Kisha humbur tërësisht në kujtime vetjake, por papritur më pruri në jetë një klithmë zë lartë gruaje:

-Po mbytet, ndihmë, ndihmë, më shpëtoni djalin. Amani, ndihmë!

-Ajo po provonte të futej vetë në det ashtu siç ishte e veshur dhe tepër e alarmuar.

Ktheva kokën nga vinin klithmat dhe pashë gruan që rendte drejt detit e bërtiste me të madhe. Në det, përpara saj, mezi dallova një kokë njeriu që herë zhdukej, herë dilte mbi ujë. S`mendova më gjatë, po u lëshova me shpejtësi drejt djalit që gati po mbytej. Ndofta ishin lëvizjet e fundit fatale të tij. Kur u afrova, djali u fundos sërish dhe më humbi nga shikimi. U zhyta thellë, pa vetëdije se ç`po bëja, e kërkova me sy në thellësinë e detit dhe mezi e pikasa. Atë po e tërhiqte drejt thellësive rryma detare. Ca flluska ajri në shtim, po i dilnin nga goja. E kapa, pa menduar se ai mund të më merrte me vete edhe mua dhe fatmirësisht, duke përdorur tërësisht forcën dhe aftësinë time rinore dhe përvojën si skelar dhe notar i hershëm, e nxora në sipërfaqe. Ishte një fëmijë bukurosh, rreth 15 vjeç. E tërhoqa me mundim deri në breg, ku ishin grumbulluar edhe shumë njerëz të tjerë kuriozë dhe e ktheva përmbys, me kokën poshtë. Uji filloi t’i dalë nga goja dhe gëzimi im, që ndjeva ringjalljen, shpërtheu. Nëna e tij vazhdonte lutjet dhe bërtiste e ndërhynte gabueshëm, aq sa s`të linte të punoje. E hipëm në një makinë dhe drejt e në spital. Sa e futëm brenda, unë doja të ikja, po m’u lutën për ta çuar misionin deri në fund. Isha zbathur, se këpucët i pata lënë te ana e detit, dhe i lagur, por nuk e lashë pa e shoqëruar në spital, deri sa doli infermierja dhe më tha:

-Bravo! Ke shpëtuar një jetë njeriu. Ky fëmijë ta ka borxh jetën. Ejani ta shihni:

Ishte dyllë i verdhë, por për fat, po e merrte veten. Doktori kërkoi të afërmit e fëmijës. Dy qytetarë që më shoqëruan mua i thanë se nuk e njihnin fare, e kishin parë që kishte nevojë për ndihmë dhe e kishin ndihmuar, detyra e tyre mbaronte këtu. Ashtu bëra edhe unë dhe u nisa të ikja.

-Jo, -tha mjeku, -ti do të rrish këtu, deri sa të vijë ndonjë i afërm.

Pas pak u dëgjuan të bërtitura tek dera. Ishte e ëma e fëmijës, që nga nxitimi nuk e kishin marrë në makinë.

Ajo vazhdonte: Amani, aman, më shpëtoni djalin, se vetëm atë kam! -Dhe hyri brenda, e pa që ishte katandisur në ditë të hallit.

-Doktor, të lutem më shpëto djalin! Nuk priti përgjigje, shkoi me shpejtësi në shtratin e të birit. Ai i hapi sytë. Ajo filloi ta puthte dhe ta përqafonte, duke falënderuar për mrekullinë që bëri Zoti, pastaj u kthye nga unë, më përqafoi fort dhe më puthi në të dy faqet.

-Te faleminderit, te faleminderit! -më thoshte pa pushim…

Unë i kërkova leje doktorit dhe u largova me shpejtësi, se mësova që babai i djalit ishte oficer sigurimi dhe mendova do ishte mirë të mos më gjente aty. Dola jashtë, po ku do të shkoja ashtu, i lagur dhe i zbathur? Më vinte shumë turp. E ndërsa ecja i menduar, më kaloi pranë me shpejtësi një makinë policie. Ktheva kokën dhe e pashë. “Në këtë makinë, – mendova, – do të jetë edhe babai i fëmijës që unë i shpëtova jetën”.

Pas disa ditësh, rastësisht takova doktorin. Sa më pa, filloi të qeshte.

-Çfarë ke? -e pyeta.

-Atë ditë, që ti solle fëmijën e mbytur, sa ike ti, erdhi i ati i djalit. Kur e mori vesh që të birin e kishe shpëtuar ti, iu kthye të birit i nervozuar:

-E shikon çfarë na ke bërë, more palaço? Djali mbuloi kokën me çarçaf.

-Edhe këtë kishim mangët, të na shpëtojë “armiku i popullit”.

-Uaaa! -tha e shoqja e habitur dhe e trembur, -po unë e putha edhe në faqe!

-Si? -bërtiti ai. -Të pa njeri?

-Jo, -tha gruaja, -vetëm doktori.

-Epo, doktori është yni, s’prish punë.

-Po ku e dija unë, more burrë se cili ishte ai?! Ai sikur ecte me këmbë në ujë. Sa bërtita unë, u gjend te djali, që përpëlitej ndenë ujë. Pa, ta shikoje si notonte në det, pa pyetur për rrezikun që “i mbyturi, të mbyt!”!

-Ah, moj grua! – tha i shoqi i mërzitur. – Ti nuk i njeh ata se çfarë armiqsh janë. Dosjeve të tyre u vëmë gjurin kur i shtrëngojmë, kaq shumë fashikuj me krime kanë, por lere, hiqe mendjen prej andej dhe harroje fare atë njeri!

-Të faleminderit, doktor, – i thashë i menduar, krenar se shpëtuam një njeri nga vdekja e sigurt.

Ashtu zbathur, ecja nëpër rrugica, që të mos më shikonte njeri, derisa mbërrita në Skelë. U drejtova te vendi ku lashë këpucët, por u mundova kot për to, dikush para meje, i kishte marrë. Këpucët nuk qenë të reja, po për mua ishin të mira dhe duhet t’i zëvendësoja me të tjera, që duhet t’i blija. Shkova në shtëpi i mërzitur, u tregova ngjarjen prindërve. Babai qeshi i gëzuar

-Po, more bir, – tha, – po shpëtove një jetë, mos e vrit mendjen për këpucët,se edhe ato do t’i rregullojmë nga kursimet e bukës.

 Internim në fshatin e origjinës Tragjas

 

Qyteti i Fierit kërkonte specialistë. Atje do të ngriheshin disa vepra të reja të rëndësishme industriale. Meqenëse isha saldator dhe kisha mbaruar shkollën e rezervave, shkova në Komitet, ku më pajisën me një fletë pune. Të nesërmen u nisa për në Fier. Më dërguan të punoja saldator në sektorin e ujësjellësit. Atje punova deri sa e përfundova si linjë. E fillova linjën në Qafë të Koshovicës e deri tek hotel «Apollonia». Më pas më dërguan në Uzinën e Azotikut, ku sapo kishte filluar ndërtimi. Aty punova nja dy vjet. Përfunduam gazsjellësin nga Azotiku në Divjakë, deri sa e mori në ngarkim Ndërmarrja e Shfrytëzimit. Ishte një punë e vështirë dhe shumë speciale. Tubacioni do punonte nën presion nga 45 deri ne 60 atmosferë. Në të gjitha kokat e saldimit duhej të vendosje me saldim numrin personal. Unë mbaja numrin &7. U kthyem prapë në Azotik. Punova pak kohë në TEC. Filluam punë me një tubacion në Azotik, në ofiçinën e vjetër.

Në një nga këto ditë vjen një polic dhe më thotë që ta lija punën, se do të shkonim në Vlorë. Rrugës, polici më tha se më kishin internuar në fshatin tim, në Tragjas. Dorëzova çfarë kisha në ngarkim dhe u nisëm për në Vlorë. Polici më çoi në Degën e Punëve të Brendshme. Atje, sa më panë, më thanë të merrja çfarë më duhej dhe të nisesha për në Tragjas, ku do të takoja kryetarin e këshillit dhe do të respektoja ato që do të më thoshte ai.

-Atje ke dhe familjen, babain, nënën dhe vëllezërit. Kështu, merr çfarë të duhet dhe në darke të jesh në fshat. Në Degë më komunikuan se më kishin dënuar 5 vjet internim, për arsye politike. Vëllai im, Tekiu, më kishte blerë edhe një biçikletë «Mifa» gjermane. Mbarova punë shpejt, i hipa biçikletës dhe në darkë isha në Tragjas. Atje po më prisnin familjarët, se ishin lajmëruar që unë po vija. Kaloi një vit në internim. Puna ishte e rendë, por nga trajtimi i keq ofendues që na behej, na dukej edhe më e rëndë.

Kërkova leje ëpr në spital sigurmisi që is hpëtova djalin më dha 6 orë lejë

Kisha disa ditë që isha ftohur. Mora leje me shkrim në Këshill dhe me këtë leje do paraqitesha në Degë dhe, sa kohë do të më caktonin ata, aq do të rrija. I hipa biçikletës dhe drejt e në Degë. Para më doli një polic.

-Çfarë kërkoni? Pse keni ardhur? Pse ke ikur nga vendi i internimit? -pyeti ai.

-Ku është oficeri i rojës? -e pyeta unë.

-Prit të shikoj, të flas me të! -dhe u largua.

Prita gjysmë ore, derisa doli oficeri i rojës.

-Pse ke ardhur? -me pyeti.

Unë i zgjata letrën e këshillit. Mbasi lexoi letrën, m’u drejtua:

-Ti je nga Gjonzenelajt?

-Po, -i thashë.

-Një ditë, e ke të mjaftueshme, -më tha, pa më parë në sy.

-Shoku oficer, nuk me del një dite, -i them, -sa të shkoj te doktori, pastaj të vete të marr ilaçet, tani jemi në drekë.

Shkroi pas letrës që kisha “një ditë leje” dhe më tha:

-Në darkë të jesh në fshat. Ik tani! Në çast m’u kujtua që ky ishte babai i djalit që i shpëtova jetën.

-Ju keni ndenjur në Skelë dhe dini shume not, -më tha me ironi.

-Po, -i thashë unë, -kemi shpëtuar edhe njerëz.

-Edhe mundet, po jeni «armiq të popullit». Vëllai yt ka ikur me not në Korfuz. Po e shikoja me buzëqeshje.

-Nisu, -më tha, -po të zumë jashtë kohës, do të arrestojmë!

-Nuk të pyeta, si e ke djalin?

-Ku më njeh ti mua? -pyeti dhe u zverdh në fytyrë. Unë u nisa për te doktori. Nga mbrapa dëgjova: «Jeni të gjithë armiq, në burg e keni vendin!».

Mbarova punë shpejt dhe u nisa për ë fshat. Po fytyra e oficerit nuk më hiqej nga mendja. Si mund të sillet kështu njeriu?! Nuk i kisha bërë asgjë veç të mirës, i kisha shpejtuar nga vdekja djalin e vetëm.

Mbas disa ditësh u bëra më mirë. Jeta në fshat ishte vështirësuar. Shpesh rinia e fshatit na provokonte. Unë gjithmonë shikoja punën time. Shpeshherë, kur qe punë e vështire, na dërgonin ne, dhe, sa e mbaronim, na dërgonin në punë të tjetra të vështira. Unë punova në disa vepra të rëndësishme në Shqipëri, kudo pata fituar me punë respektin e atyre që punoja, sidomos të drejtuesve, të njerëzishëm që ndjenin mirënjohje dhe unë reflektoja reciprokisht, po oficerin tejet të indoktrinuar nga ana njerëzore, ende nuk e kam kuptuar!

 

Si shpëtova dy fëmijë në kampin e pionierëve, donin ti përjashtonin se i shpëtoi “Armiku Popullit”

….Një dite mbarova punë shpejt dhe u ula në një gur në anë të Izvorit. U futa në kujtime dhe po qeshja me vete. Tek shtëpia në anën e detit, ne jetuam që prej vitit 1943 deri ne vitin 1956. Pra, atje kaluam pothuaj gjithë fëmijërinë tonë. Unë rrija gjithmonë anës së detit. Më pëlqente shume të peshkoja. Peshkimi u bë edhe një ndihmë sado e vogël për familjen. Babin e futën në burg në dhjetor 1944, mbasi kishte qenë me Ballin Kombëtar. Ne, u rritëm pothuaj pa baba. Gjatë asaj kohe më është dhënë mundësia që të ndihmoj shumë njerëz, qe deti i gënjente me të fshehtat e tij, aq sa dhe rrezikonin të mbyteshin. Unë nuk njoh asnjërin prej tyre, se edhe vitet e kanë bërë të vetën. Ka nga ata që më njohin, po nuk flasin, me mendimin se nuk arrijnë dot të lajnë detyrimin e krijuar për jetën e shpëtuar. Një herë po peshkoja te Plazhi i Ri. Atje dikur ishte dhe një mol prej druri rreth 70 metër i gjatë, i futur në thellësi. Në hyrje ishte afro dy metër i thellë dhe në fund afro pesë metër. Në verë aty afër hapej dhe një kamp pionieresh. Kampistët vinin e laheshin në anë të detit, por kishte dhe nga ata që guxonin të vinin deri te moli. Më e keqja ishte se nuk dinin not, mandej nga ata që nuk qenë larë asnjëherë në det. Shpesh shikonin moshatarët qe hidheshin e notonin dhe e provonin edhe ata. Një ditë unë kisha hedhur grepat dhe po prisja mos binte ndonjë peshk, kur bërtitën disa njerëz: – Po mbyten! Ndihmë! Ndihmë!

U hodha me shpejtësi në ujë. Ishin dy fëmijë. Nuk pata problem, ishte afër për t’i nxjerrë. Ata, ishin zverdhur, pak nga frika, pak nga uji që kishin pirë. Mbas një jave, të dy fëmijët, njeri 13 dhe tjetri 14 vjeç, erdhën e më gjetën. M’u hodhën të dy në qafë. Në fillim u habita, pastaj i njoha, i përqafova me dashuri dhe m’u bë qejfi dhe u kënaqa shumë. Fëmijët nxorën nga xhepi nga 20 lekë e mi dhanë. Qesha me ta, po m’u bë edhe qejfi, ua ktheva lekët mbrapsht, mirëpo ata nuk donin.

-Ne nuk patëm më shumë, të lutemi, na fal, -më thanë të mërzitur. Me zor i morën lekët mbrapsht.

-Te lutemi, na thuaj çfarë të pëlqen që ta sjellim… Mendja më shkoi te ish-oficeri i sigurimit…

Një ditë, kur isha duke peshkuar, pa ngrënë mëngjes, më kishte marrë uria keq se as darkë nuk pata ngrënë. Kur vinë ata dy fëmijët.

-Hej, mik, – erdhëm ne, -më thanë, -çfarë do që të sjellim? Nuk ikim pa porositur… Pa u menduar gjatë, u thashë: «Po mundët, më sillni pak bukë».

Ata ikën gjithë qejf. Të nesërmen, para se të futeshin në det, me prunë një kanotiere te mbushur me copa buke. I falënderova me shpirt dhe u thashë: «Tani jemi barabar, mos ejani më këtu. Unë do t’ju dua përgjithmonë. Ju falënderoj me shpirt!». Ata ikën duke shikuar nga pas, nuk e di se çfarë mendonin. Unë hëngra bukën dhe atë që teproi e shpura në shtëpi. Mbas dy ditësh më vjen një shok i djemve dhe më thotë se fëmijët që më kishin sjellë bukë, donin t’i përjashtonin nga kampi, se i kishin dhënë bukë një «armiku te popullit», po përfituan se dhe dy dite kamp kishte dhe do të iknin në shtëpi. Mbas dy ditësh ata ikën në Berat dhe nuk u pame më. Po Drejtori vigjilent u dërgoi në shtëpi edhe në shkollë motivacionin për atë «krim» që kishin bërë.

U përmenda nga këto kujtime dhe u nisa për në shtëpi. Rrugës kalonin fshatarë. Askush nuk fliste. Disa kthenin kokën enkas që të mos më flisnin. Ne, kishim biografi te keqe, ndaj diçka duhej të paguanim.

Më së fundi më duket se shpëtova, Ndërmarrja e Bonifikimit, bëri një kërkese në Komitet se i duheshin saldatorë, ndaj më kërkuan edhe mua. Bëra atje plot punime shumë të mira, kështu që e justifikova interesimin. Më vonë kalova prapë me Ndërmarrjen e Montimit të Tiranës. Punova në Ballsh, më vonë në PVC-Vlorë, ku bëra disa punime të rrezikshme dhe speciale, një prej të cilave ishte dhe oxhaku metalik i Fabrikës se Çimentos, mbi 50 metra i lartë, që askush nuk e kishte marrë përsipër. Më pas kalova me gjithë brigadën në Metalurgji dhe se fundi, po për arsye politike, më dërguan të punoja me plot shokë si unë, …në bujqësi. Dhe finalja:…prej Frutores – në Çikago, në Amerikë, në një nga qytetet më industrial të SHBA-ve. Fillova punë si saldator. Mbas nja dy vitesh u ktheva për pushime në Vlorën time të dashur, qe nuk e ndërroj me asnjë vend në Botë, në veçanti Skelën e mrekullueshme, që nuk e gjen askund. Çdo pëllëmbe e saj, diçka thotë për mua.

 

 

Takimi pas 41 vjetësh  me Luanin

Një darkë isha ulur në një lokal tek Plazhi i Ri. Lokali ishte në anë të detit. U ula në verandë, ku dukej mjaft mirë deti dhe Skela ime e dashur. S’kishte gjë më të bukur. Deti ishte i qetë, dallgët përplaseshin ngadalë në breg, një pamje mahnitëse, që të jepte kënaqësi të veçantë.

Kisha humbur ne këtë atmosferë, kur dëgjoj një zë:

-Zotëri, na lejoni të ulemi edhe ne këtu? Ishin katër vetë, një grua dhe tre burra. Ktheva kokën drejt tyre.

-Ju lutem, ka vende plot këtu afër, -u them.

-Po, – tha burri që foli edhe më parë, -po ne duam të rrimë me ty, zotëri. I pashë me vëmendje. M’u duk se nuk i kisha parë ndonjëherë. Dukeshin të qeshur, po pak të ndrojtur. Ata nuk e dinin si do vinte ky takim që ndoshta ishte më interesanti. Burri përsëriti lutjen, duke m’u drejtuar në emër. Këmbëngulja e tij më bëri përshtypje.

-Urdhëroni, uluni, -u thashë. Ata këtë prisnin dhe u ulën pa e zgjatur më tej.

-Zoti Memisha, shumë pak ke ndryshuar që kur të kam parë për herë të fundit, hapi bisedën më i madhi prej tyre.

-Të lutem, mund të prezantoheni, unë nuk ju njoh.

-Ke shumë të drejtë, na fal, -vijoi bashkëbiseduesi duke u ngritur në këmbe dhe, me sytë gati në të lotuar, pa më thënë asgjë më shumë, m’u hodh në qafë. Për inerci, i hodha edhe unë dorën në qafë. Kur u shkëput nga përqafimi, me tha: «Tani po, do të prezantohemi: Unë jam Luan Zamani, djali që vite më parë po mbytej në det dhe ti e shpëtove, ja atje poshtë, afër Akademisë; këta të dy janë djemtë, kurse kjo është gruaja ime». Në çast m’u kujtua gjithçka kishte ndodhur në atë kohë.

-Po, -i thashë, -më kujtohet dhe e di pse ke ardhur.

-Pse?! -pyeti i çuditur.

-Atë ditë, që të nxora ty nga deti e të çova në spital, harrova këpucët buzë detit dhe nuk i gjeta më, kështu qe sot do të më kesh prurë këpucët, -iu përgjigja me të qeshur dhe u dhashë dorën të katërve.

-Tani që më gjetët, më takon t’ju qiras. Porositni çfarë të doni. Në tavolinë erdhi kamerieri, i cili m’u drejtua:

-Paske ardhur usta Memua?…Të priftë e mbara….pijet e para i keni nga unë, kurse të tjerat i kanë porositur këta, -dhe u drejtua nga Luani.

-Çfarë shkolle ke mbaruar? -pyeta Luanin.

-Inxhinieri mekanike, -ma ktheu. Në këtë kohë vijnë dy kamerierë dhe e mbushin tavolinën plot me pije e ushqime. Gjithçka po kalonte për bukuri. Kisha kohë që nuk e kisha ndjerë veten kaq mirë. Luani u ngrit në mes të darkës, por unë nuk e lejova dhe ai m’u bind. Më pas, mori gotën me pije dhe u ngrit në këmbë. Duke m’u drejtuar mua, tha këto fjale: «Sot është një nga ditët më të lumtura të jetës sime. Jemi «njohur» kur unë isha 15 vjeç, kurse sot mbush 56 vjeç. Edhe pse s’jemi takuar për 41 vjet, asnjëherë nuk të kam hequr nga mendja, te kam ndjekur kudo ku ke punuar e kënaqesha kur të shihja sa shumë luftoje për jetën. Shumë herë jam matur të të flas, po nëna më lutej që të mos e bëja atë veprim, se do ta merrte vesh babai e ku do të futeshim pastaj. E mora vesh se je kthyer nga Amerika, e dija edhe se këtej do të të gjeja, se ti nuk i je ndarë kurrë Skelës. Mora me vete gjithë familjen, që edhe këta të të njohin».

U ngritën të katër në këmbë dhe u përqafuam si miq të vjetër. Falënderuam Zotin e madh që i rregullon kaq bukur gjërat, siç ishte dhe ky takim, sa i papritur aq edhe domethënës. Pas asaj dite me Luanin dhe familjen e tij kemi lidhur një miqësi shumë të mirë dhe kemi ndërtuar marrëdhënie të shkëlqyera me njëri-tjetrin.