Ramizi “hap barkun”, rrëfen si jeton në Bllok

865
ARKIVA VII / Nga takimet e Ramiz Alisë me intelektualet e vendit në prag të ndryshimeve të mëdha të vitit 1990
TAKIMI ME INTELEKTUALËT
“Telegraf” vijon botimin e pjesës së shtatë të bisedës së Ramiz Alisë me intelektualët, zhvilluar me 12 gusht 1990. Zhvillimi i ngjarjeve në Evropë pas përmbysjeve që ndodhën në vendet e lindjes padyshim që të çonte në mendimin se ajo që ndodhi andej do të ndodhte edhe në Shqipëri. Në atë kohë, Kryetari i Presidiumit të Kuvendit Popullor dhe Sekretar i Parë i KQ të PPSH-së, Alia ka biseduar për rreth katër orë në Pallatin e Kongreseve me rreth 60 intelektualë, mes të cilëve Dhimitër Shuteriqi, Luan Omari, Ismail Kadare, Dritëro Agolli, Ylli Popa, Sali Berisha dhe Fatos Nano. Në këtë edicion që botohet sot, bie në sy diskutimi i juristit Luan Omari, anëtar i Akademisë së Shkencave, i cili kritikon mënyrën e trajtimit të vendimeve nga Partia e Punës dhe veçanërisht aktivitetin e Sigurimit të Shtetit dhe policisë. Omari deklaron se ka patur teprime nga ana e policisë për shkak se janë rrahur qytetarët. Gjithashtu, juristi i njohur shprehet në bisedë se Sigurimi i Shtetit zbaton metoda të vjetra të punës. Në këtë pjesë të takimit diskutohet për privilegjet që kishin drejtuesit e Partisë së Punës dhe kryesisht anëtarët e Byrosë Politike. Ramiz Alia, i cili drejtonte njëkohësisht Presidiumin e Kuvendit Popullor dhe Partinë e Punës, u shpjegon intelektualëve trajtimin që përfiton, duke sqaruar edhe për kufizimet që ka kërkuar të bëhen, në mënyrë që të shmangen abuzimet. Në të njëjtën kohë, Alia shpjegon se ka kërkuar nga qeveria e drejtuar prej Adil Çarçanit, që Klinika e Udhëheqjes të shfrytëzohej edhe për qytetarët e thjeshtë. “Shokët që u futën tani në Byronë Politike, të qëndrojnë atje ku janë, nëpër apartamentet e tyre edhe të banojnë e të hanë, e të rrinë, si të gjithë qytetarët e Republikës dhe pa asnjë dallim këtu”, shprehet Alia, gjatë debateve me Luan Omarin.
(vijon nga numri i kaluar)
Luan Omari: “Unë kisha një vërejtje për propagandën tonë, megjithëse është thënë shpeshherë që vuan nga euforia, nga gjëra sistematike, akoma nuk jemi çliruar, nga gjëra euforike dhe propagandë shpeshherë. Ju këtu thatë shumë drejtë që kemi edhe të meta, sepse kemi hyrë në një rrugë të pa eksperimentuar, edhe do të gabojmë, janë gjëra që bëhen për të parën herë, do të ishte prezuntuoze, nëse do të thoshim se nuk gabojmë. Por, nuk është e drejtë të thuhet në shtyp që, troç, që udhëzimi që dhatë ju ishte pak i nxitur. Këtu nuk bëtë ndonjë shkelje parimore, që tradhtuat ligjin, u korrigjua një masë që doli, se ishte e nxituar”.

Ramiz Alia: “Këtë e kam thënë kaq unë, e kam thënë në këtë plan siç thua ti dhe kam pasur vërejtje nga ndonjë shok kështu, që domethënë, mirë e the t’i që u nxituam, patëm dëshirë të mirë etj. Por, prapë the që nuk e kanë zbatuar siç duhet rrethet. Domethënë, e hoqe nga organet qendrore dhe ia hodhe rretheve. E kemi thënë që jemi nxituar. Madje edhe në kongresin e kooperativave e kemi thënë”.

Luan Omari: “Meqenëse… si një parantezë. Nëse partia mori masa për kufizimin, për mua nuk është faji i vetëm i partisë, është faji i rretheve, që kanë krijuar një opinion…”
Ramiz Alia: “Çarë thashë unë publikisht? O ti, Luan, unë publikisht thashë në Kolonjë, që komitetet e partisë shpeshherë zbukurojnë dhe dezinformojnë dhe kisha parasysh pikërisht këtë problem”.

Luan Omari: “Madje që e keni thënë me shumë takt, shpeshherë duhet të themi se gënjejnë…”
Ramiz Alia: “Ka edhe euforizma!”
Luan Omari: “Këtë e themi midis nesh, por e themi që gënjejnë”. 
Ramiz Alia: “Edhe gënjejnë”.
Luan Omari: “Dua të jap një shembull të kësaj propagandë naive dhe ndonjëherë kundërprodhuese. Qeveria mori vendim për oborrin personal, shtimin e tij…”
Ramiz Alia: “Po, po”.
Luan Omari: “Dëgjova televizionin tonë: “Kjo masë revolucionare e partisë”, ta them shprehimisht. Atëherë i bie që e para të këtë qenë kundrarevolucionare”.
Ramiz Alia: “Shyqyr që s’e bëjmë këtë silogjizëm që do ti. Po…”
Luan Omari: “Po çfarë është kjo propagandë përtokë fare xhanëm?! Thuaje troç që kjo mase nuk ka rezultate dhe këtë partia e rishikoi. Për informacionin nuk dua të zgjatem, e thanë shokët. Për informacionin unë dua ta marr në një kontekst pak më të gjerë, që e thamë lart në muhabet. Ju dhatë një informacion për këtë shoqërinë gjermane të naftës, që sigurisht ne nuk e dinim. Nuk është e thënë që gjithnjë se çfarë bëjnë organet shtetërore ta dinë edhe njerëzit, se ka edhe gjëra akoma që janë në fazë fillestare”.

Ramiz Alia: “Tha edhe Farudini disa gjëra më tepër…”
Luan Omari: “Domethënë, shoku Ramiz t’ju jap diçka më tepër nga praktika”.
Ramiz Alia: “Kishte dje në gazeta për atë, kufitaren, çfarë është ajo…”
Luan Omari: “Ka filluar të japë më shumë ç’është e drejta. Por, përsëri, po jap disa shembuj nga praktika. Shkojnë shpesh delegacionet jashtë shtetit, është bërë një marrëveshje me kaq, e firmosur. Unë për shembull nuk di gjë. Çfarë marrëveshje? Unë për shembull, lexoj Rilindjen edhe nga Rilindja marr vesh sistematikisht ç’është bërë, se këtë informacion e jep gjermani, që është bërë kjo e kjo. Çfarë të keqe ka xhanëm që të mos thuhen? Kjo marrëveshje është sekrete”.

Ramiz Alia: “Sekrete…”
Luan Omari: “Prandaj po të them, informacion jo thjesht për ngjarje që ndodhin, por kjo është një gjë shumë episodike. Sot ndodhin, nesër nuk ndodhin. Në përgjithësi informacioni është pak më i gjerë. Edhe informacioni për aksidentet, nuk po them që çdo aksident, por për të mëdhatë. Vetëm një është bërë, që është thënë në Shqipëri, aksidenti i helikopterit, i vetmi. Sepse ai bëri bujë. Pse kjo? Është marrë që nga stili sovjetik i viteve të mëparshme dhe ka mbetur rutinë në programin tonë edhe kjo, nuk po dalim dot. Një vërejtje kam edhe si juristë këtë. Mua më duket se Sigurimi i Shtetit ka dobësi të madhe. Nuk them që kjo punë do të bëhet me Sigurim, as me dhunë. Për dënim të dhunës së paligjshme duhen marrë masa më të rrepta. Por, më duket që në Sigurim ka dobësi të mëdha dhe e quaj të çuditshme që Sigurimi ynë është në gjendje të diktojë se ç’janë njerëzit organizatorë që janë prapa këtyre trazirave. Se ka këtu spontanitet, ka spontanitet. Por, që ka edhe padyshim një dorë, duhet të ketë, logjikisht”.

Ramiz Alia: “Ka”.
Luan Omari: “Me sa duket Sigurimi ynë vazhdon akoma me metodat e vjetra”.
Ramiz Alia: “Ashtu është”.
Luan Omari: “Domethënë, shikon që Luan Omari vajti të takoj ambasadorin ‘x’ që e njeh, sepse ka ardhur në Akademi se kam qenë në pritje dhe e regjistron që Luani ka folur 15 minuta, ose Ismaili, ose Dritëroi dhe nuk shikon çfarë duhet të shikojë. Domethënë, duhet që këta njerëz të çlirojnë mentalitetet e vjetra. Të bëj një punë shkencore, se kudo ka shkencë dhe Sigurimi ka shkencë të madhe, këtë e kam si vërejtje kështu, meqenëse jam pak më afër si person, afër çështjeve të Sigurimit të Shtetit”.

Ramiz Alia: “Jo, jo, ke të drejtë”.
Luan Omari: “Partia është futur me konsekuencë në rrugët e demokratizimit të vendit, ne të gjithë e përshëndesim, sidomos inteligjenca, e cila është më e ndjeshme ndaj këtyre gjërave. Unë mendoj që, partia e di ndoshta, ta theksoj nuk i vjen keq, se një kërkesë që kanë njerëzit, është që shumë privilegje, që mund të kenë qenë shumë të mëdha, por që bien në sy, në kushtet kur ne kemi mungesa, këto privilegje duhet të eliminohen, nuk shkon. Janë privilegje që bien në sy keq dhe të japin përshtypjen që neve në kushtet e socializmit kemi akoma një strukturë që bie në feudalizëm”.

Ramiz Alia: “Po, po”.
Luan Omari: “Në bazë të strukturave, nomenklaturave e gjëra të tjera etj., etj. Unë duhet të thosha se këto gjëra duhen parë seriozisht. Këto kisha”.
VAZHDIMI I DEBATIT

Rroga ime 16 mijë lekë të vjetra
Ramiz Alia: “Drejt e ke, edhe unë po jua them që këtë çështje unë e kam ngritur shumë kohë më parë, kupton. Një herë sa për dijeni, duhet pasur parasysh se ndonjëherë, ndonjë gjë të madhe, ndonjë gjë të veçantë nuk ka. Po të doni, unë jam gati t’ju jap llogari hapur. Po e filloj nga vetja ime si President, ose si Sekretar i Parë. Unë marr 16 mijë lekë të vjetra rrogë në muaj. Paguaj 2500 lekë qira për shtëpinë, për dritën, për ujin, çdo muaj. Paguaj të tëra ushqimet që ha, të gjitha. Dhe i paguaj të kategorisë së parë. Po flas, thjesht kur është puna te mua. Kam nga ana e shtetit shërbimin e sigurimit, shërbim mjekësor unë s’kam nevojë. Jo, jo, fatmirësisht, s’kam nevojë për shërbim mjekësor. Kështu që dhe ai mjek që më është ngarkuar, ai punon te juve më duket, hë? Ai rri atje në spital ditë për ditë, sidoqoftë është në dispozicion tim. Kam shërbim në shtëpi, që t’ju shërbej njerëzve. Kam në Durrës një shtëpi që shkoj për pushimet në verë. Kur shkoj nëpër rrethe, nuk marr dieta, s’kam dieta. Por, në shtëpitë e pritjes që venë edhe shokët e tjerë, atje ha edhe fle, pa dieta. Për gjithë veprimtarinë time publicistike etj., etj., nuk marr asnjë lek nga asnjë libër, nga asnjë botim. Të gjitha shkojnë në fondin e partisë. Unë s’marr gjë. Sa për dijeni dhe kjo. Këto janë kushtet që kam unë. Por, kuptohet privilegji im është që unë gjej çdo gjë që s’e gjeni ju. Daleni një herë… Jo, jo prit, prit. Se do kaloj në stadin e dytë. Do kaloj tek i dyti. Pra, unë gjej ushqimin që dua, e porosis edhe më vjen. Për veshje, po kështu, i porosis dhe i paguaj, s’kam pas nevojë të marr llokum nga këto gjëra. Kjo është situata. Më fal, prit, prit. Po dale ti se unë… (Dëgjohen reagime nga salla) Ore shok i dashur, unë po flas për veten time. Ore më lër të flas se i di unë. Tani, tani … Prit ore, prit. Do kaloj tani. Këto kushte që janë krijuar për mua, kupton, në këto kushte janë edhe shokët e tjerë të udhëheqjes së Partisë, Byrosë Politike, të Komitetit Qëndror. Domethënë të njëjtën procedurë kanë, paguajnë për ushqimet, paguajnë për qiranë e shtëpisë, edhe ata paguajnë 2500 lekë në muaj. Natyrisht ka që e kanë shtëpinë më të vogël dhe paguajnë me pak se të tjerët, e të gjitha këto që thashë. Tani, ka atë favor pikërisht që thashë. Jo më kot e thashë, që unë gjej ushqim qe s’e gjeni ju, e porosis më vjen, ose për veshjet, ose shërbimin mjekësor. Unë e kam, mua ma kanë siguruar në mënyrë të veçantë, por s’kam nevojë për shërbimin mjekësor. Edhe aspirinë pi ndonjëherë se duhet, me dhëmb koka kupton. Kaq. Të tjerët kanë një shërbim në një klinikë që është speciale, që kanë kartelat, shërbimin shëndetësor, ilaçet etj., etj. Pra, favoret cilat janë? Tani jo për veten, flas për të tjerët. Favoret janë te çështja e ushqimit, gjejmë ushqimin që duam dhe nuk ka kufizime në sasinë që marrim ushqimin. E paguajmë. E dyta, është favor çështja e veshjes. Kërkojnë, marrin, gjejnë, kupton. Jua sjellin, paguajnë, por e gjejnë. E treta, në klinikë sepse edhe çështja e ilaçeve, i marrin atje në klinikë, nuk është siç i paguajnë të tjerët, siç është rregulli. Atje më duket se s’paguajnë. Tani, po flas për rregull. A ka ç’rregull në këtë rregull? Që të mos e quaj, a ka abuzim nga ky rregull? Ka. Nuk jam në gjendje t’ju them një për një se t’ua them sinqerisht është çështja më e mërzitshme, më e bezdisshme që kam pasur dhe kam në jetën time. Jo sot, por gjithnjë. Gjithnjë, kupton? Por, ndonjë gjë kur e kam marr vesh t’ua them sinqerisht nuk kam munguar ta them edhe në udhëheqjen e Partisë. Shokët janë këtu, le ta përgënjeshtrojnë po të duan, kupton. Kur kam marrë vesh që ndonjëri ka ndërtuar diçka në shtëpi që të marr dhe fëmijën e vet, etj.,etj. Tashti konkluzioni. Unë jam i mendjes që këtyre gjërave u duhet dhënë fund, kupton. Do të përjashtohem unë dhe do të përjashtohet Kryeministri, po ua them meqë pate merak se mos më ndodh gjë mua. Medoemos, unë nuk mund të mos kem një shërbim sigurimi të veçantë, kupton, ashtu siç nuk mund të mos kem një shërbim mjekësor, kurrë mos paça nevojë, po jeta është jetë, çdo gjë ndodh në jetë, kupton. Ashtu siç nuk mundem unë në shtëpi shërbimin ta bëj vetë, hë? Pra, do kem nevojë për atë shërbim në shtëpi. Rri në atë shtëpi apo nuk rri në atë shtëpi, unë mendoj që një shtëpi qeveritare duhet ta ketë medoemos, kushdo qoftë. Unë jam, do vdes, do vij tjetërkush në vendin tim, kupton, ose do plakem do vij tjetërkush në vendin tim. Edhe ajo shtëpi do jetë për ata që do vijnë, ai që është kryetari i Presidiumit, i shtetit, ai do të rrijë atje, unë do të iki nga andej. Konkretisht, unë kam dhënë urdhër që menjëherë klinika speciale të likuidohet. Ajo të shndërrohet në kliniken e lagjes dhe të gjithë shokët të shkojnë të mjekohen në atë klinike si të gjithë qytetarët e tjerë. Me të tëra të drejtat e qytetarit e thjeshtë. Klinika speciale do t’i shërbejë shokëve të Byrosë Politike, të Komitetit Qendror siç i shërben çdo qytetari tjetër. Ilaçet paguhen, të tërë t’i paguajnë. Në qoftë se ka nevojë për shtrim, shokët e Byrosë Politike mund të shtrohen në klinikën speciale, por e varur nga pavioni 12 i spitalit nr.1, me të njëjtat kushte që trajtohen të gjithë kuadrot e tjerë. Këtë urdhër kam dhënë, ja ku është shoku Xhelil këtu. Kjo menjëherë duhet të dalë vendim i qeverisë. Ashtu siç kam dhënë urdhër menjëherë, kupton, që të hiqen çështjet e ushqimit të tyre dhe të kufizohet kjo vetëm në familjet e shokëve të udhëheqjes së Partisë. Edhe kjo, jo me atë lloj shërbimi, por duke hapur ose duke marrë në dyqane. Pa asnjë shërbim special për ta. Tashti si do realizohet, se s’realizohet, kur do realizohet, për nder këtë s’mund t’jua them. S’ua them dot se atë vendimin për klinikën e ka në dorë ky, po u bë burokrat e keni në dorë, kapeni. Ai duhet të dalë vendim dhe të firmoset nga Këshilli i Ministrave që të marri fund ajo. Këtë çështjen tjetër po ashtu është duke e parë shoku Adil dhe shoku Xhelil që ta përfundojnë dhe atë çështje. Unë në parim thashë, kam qenë dhe jam që duhet ta likuidojmë këtë çështje. Por, ja u thashë këtë që ta keni idenë edhe se çfarë ka, se ka shumë mister dhe faji është i yni. Sepse këto gjëra nuk janë bërë në rrugë normale. Për shembull, edhe nëse bëhet fjalë për mua dhe Kryeministrin, unë do të propozoj të dalë vendim i qeverisë. Pa vendim të qeverisë, unë nuk do të pranoj as unë për vete”.
Nesër do të lexoni:
Intelektualët ankesa tek Ramiz Alia, se administrata vjedh, për këtë arsye edhe bën qef. 
Ankesa që punonjësit nuk janë në administratë gjatë orarit të punës. 
Sigal