Kongresi i 8-të i Partisë, fundi i konfliktit më të madh në udhëheqjen e Partisë së Punës

1801
Sigal

Përgatiti Albert Zholi

(Vijon nga numri i kaluar)

Arkivi-Dhënë për “Telegraf”, më 13 dhjetor 2008/ Marash Hajati: Konturet e një historie që rrëzohet. Televizioni, furtuna e 1981-shit që çoi Mehmet Shehun në greminë, funerali i një miqësie dhe armiqësie të gjatë politike

Mbështetur në rrjedhën e ngjarjeve që po ndjekim në këtë intervistë, nënkuptohet se konflikti në mes dy udhëheqësve kryesorë të partisë ishte ende pa kryefjalë, pa kokë. Si pasoi situata më vonë?

Është krejt e vërtetë. Gjithçka që po ndodhte në atë vjeshtë të vitit 1981 në kupolën e drejtimit të shtetit shqiptar, fliste për shumë enigma e labirinte. Që E.Hoxha e M. Shehu nuk ishin më në një linjë mendimi, s’kishte as më të voglin dyshim. Por kjo perceptohej ndryshe nga grupet shoqërore. Veç ama, gjithçka ishte si në tehun e shpatës. Megjithatë nuk mungonte shpresa, se po përjetohej një farë zemërimi që do të kapërcehej. Më skeptike tingëllonte ajo mosmarrëveshje në raport me shtypin, ku orientimet jepeshin më të prera e ku çdo gjë dukej si rrugë pa kthim. Megjithatë, parashikimet kurrë nuk mund të dilnin të sakta, sepse edhe shpallja e një konflikti me eliminim të kryeministrit ato ditë, as që mund të pritej. Përpara ishte 40-vjetori i Partisë dhe mbajtja e kongresit të 8-të të saj. Çdo gjë në kundërrymë do të përbënte një ngjarje me rreziqe shumë të mëdha. Duket kjo situatë e ka zgjatur agoninë duke i shtrirë mosmarrëveshjet në një terren më të “butë” e me më pak tronditje.

Ka ndonjë argument tjetër për të vërtetuar atë çfarë pohuat më lart. Pra të zgjatjes së asaj agonie?!

Ngjarja më domethënëse për çfarë përmenda më lart, ishte ceremonia e akordimit të dekoratës së 40-vjetorit të themelimit të Partisë, e cila u zhvillua më së pari në mjediset e udhëheqjes së lartë të partisë e pikërisht vetëm brendapërbrenda Byrosë Politike. Ajo veprimtari shënonte datën 24 tetor 1981. Për ne të televizionit, ngjarja ka pasur mbas vetes skenarin më të detajuar, që shkonte deri në planet më të imta të filmimeve.

Po ku ishte qëllimi i ndërhyrjes kaq në detaje në çështjen e një kronike për një ceremoni qoftë edhe e rëndësishme?

E rëndësishme?! Tepër e rëndësishme, sepse ajo kronikë jepte një mesazh të situatës më të komplikuar në jetën e partisë në atë kohë. Për shembull Dekoratën shokut Enver do ia dorëzonte anëtari i Byrosë Politike, Simon Stefani. Po, pse do thoni ju ai e jo M. Shehu, që ishte numri dy i Partisë, jo vetëm kaq, por edhe Kryeministër. Motivimi: Simon Stefani ishte gjak i ri në radhët e Byrosë, ardhur nga klasa punëtore, dikur kryemekanik në një uzinë të Kuçovës. Në ekran do të tregohej gjithçka e gëzuar dhe e buzëqeshur. Ky ishte detaj që do të mbahej gjatë në filmim. Po qëndronte shumë për t’u besuar ky aspekt, as mish as peshk?! Anëtarët e tjerë të Byrosë do të dekoronin njeri-tjetrin, duke treguar gjithçka në plan të dytë e të tretë televiziv. E gjithë domethënia e kësaj kronike ishte të përçohej ideja, (megjithëqë kishin filluar të zgjeroheshin pëshpëritjet) se në udhëheqjen e Partisë çdo gjë shkon në rregull. Askush s’ka pse të shqetësohet.

Po. sa zgjati ky “mirëkuptim” i sipërfaqshëm, nëse e kuptova kështu dhe si u zhvilluan ngjarjet e mëvonshme?

Po e vazhdoj ligjëratën time aty ku e latë ju fjalën për të ashtuquajturin “mirëkuptim”. Në të vërtetë kulmi i atij “mirëkuptimi” të brishtë e të heshtur, jo shpërthyes arriti në zhvillimet e punimeve të Kongresit të 8-të të Partisë, nga 1-7 nëntor 1981. Ato ngjarje ruhen edhe sot në bobinat e Televizionit Shqiptar të arkivuar këtu e 27 vjet më parë.

Po, çfarë do komentoni nga ajo ngjarje e Kongresit, gjithmonë, nisur nga ajo që ju vetë thoni; me fakte e dokumente përmes filmimeve e transmetimeve televizive?

Katër ditë para fillimit të punimeve të Kongresit të 8-të të Partisë, në një takim të veçantë, në Komitetin Qendror u përpunua mënyra e regjistrimit dhe transmetimit të kësaj ngjarje me rëndësi. Për sa u bisedua në atë takim, s’do të të vihej në dijeni as redaksia e lajmeve, as regjia. Pulti i figurës do të vihej nën komandë të rreptë. Filmimi do të kalonte në tehun e një brisku sa të mbante gjallë unitetin e varur në fije të perit. Për rreth 7 ditë me radhë E. H. dhe M. Sh. nuk do të qëndronin më pranë njeri-tjetrit dhe asnjëherë nuk do të dilnin bashkë në ekran. Filmimet do të bëheshin vetëm në lëvizje të kamerës duke filluar nga njeri krah i rreshtit e duke ndalur në cepin tjetër. Skema, për të lehtësuar këtë situatë, ishte zgjidhur me vendosjen në mes të E. H. dhe M. Sh. të një personi të tretë, që do të drejtonte sipas radhës seancat e punimeve të Kongresit. Sidoqoftë, kjo mënyrë vendosjeje lehtësoi shumë punën e regjistrimeve për televizionin. Kamerat s’do të fiksonin më së bashku kurrë buzëqeshjen e dy të mëdhenjve, pale bisedat kokë më kokë që bënin dikur e që i “gjuanin” me kujdes të veçantë kamerat. S’do të kishte më rrokje duarsh, as përshëndetje. Këto, jo se nuk duheshin për sallën, për televizionin, por sepse ato realisht nuk ekzistonin e nuk do të përjetoheshin asnjëherë më në mes tyre… Kishte javë të tëra që dy kryesorët, bashkëluftëtarët e bashkëpunëtorët e dekadave, me të mirat e me të këqijat, nuk flisnin me njëri-tjetrin. Buka ishte thyer, ajo s’ngjitej më kurrë. Tani vetëm sa luhej “drama”, ndoshta nga ato dramat më spektakolare. Aktorë ishin dy figurat më të larta të shtetit e të partisë. Dhe si për sfidë të artit, “shfaqja” e këtyre veprimeve zhvillohej në Teatrin e Operës dhe Baletit në prani të qindra delegatëve të ardhur nga e gjithë Shqipëria.

Konflikti mund të shpërthente në çdo minutë. Interesat e kohës kërkonin, që kjo mundësisht të mos ngjiste gjatë ditëve të kongresit. Për këtë, loja politike po bëhej tepër e zgjuar dhe finoke, sepse M. Shehu ishte nga ata burra që mund ta bënte bam në çdo seancë. Gjithçka ecte, tërhiq e mos këput. Le të kuptohej e le të mos kuptohej, le të besohej e të mos besohej, se mes udhëheqësve nuk shkonte gjithçka mirë. Punimet e kongresit të shpëtoheshin. Ajo ishte kryesorja.

Siç shihet nga tregimi juaj, situata paska qenë shumë e ndërlikuar, po anëtarët e tjerë të Byrosë, çfarë qëndrimi mbanin?

Në të gjitha rastet e në të gjithë historinë e mbas çlirimit, mendimi e veprimi i E. Hoxhës ka qenë i padiskutueshëm. Edhe në këtë rast komanda ishte e qartë, aq më tepër kur gjithçka zhvillohej në një heshtje të habitshme. Dy herë në ditë në dhomën e kontrollit, apo edhe drejtpërdrejt në studiot e montazhit përcaktonim çfarë do të jepnim nga punimet e kongresit. Gjithçka shkonte mirë. Në ditën e tretë në seancat e paradites, Byroja Politike me sekretarin e parë në krye, erdhën të veshur me kostume bezhë. Një kënaqësi për televizionin. Ngjyrat e çelura zbukuronin ekranin. Veças nga të tjerët kryeministri atë ditë mbante rroba blu të errëta. Mos ishte rastësi apo marrëveshje e qëllimshme për ta lënë ashtu edhe në paraqitje! Deri ku shkonte imagjinata!

Çajupi i dërgoi një copë letër Fiqeretes, që mundësisht mbas darke, shoku Mehmet të ndërronte kostumin, mbasi nuk dilte bukur në televizion. Tri herë e përgëzoi ajo drejtorin për këtë kujdes. Aq ishte e hutuar, sa edhe të tri herët, e pyeti nëse mos atë interesim e kanë pasur edhe shokët lart. Kjo për për Fiqereten do të ishte një shpresë e madhe, do të ishte një lajm i gëzuar. Ato ditë bashkëshortja e numrit dy, e lodhur por jo e lëshuar, mbahej ende. Në pushimin e seancave, kur u takuam me Çajupin, kolegun tim, i shpreha mendimin se kot ia kishte dërguar letrën Fiqeretes për çështjen e kostumit. Ku kishin më rëndësi ngjyrat e veshjet! Mbeti si i habitur. E lamë të takoheshim më vonë.

Po, mirë, sipas informacionit të asaj kohe, raportin për ekonominë e mbajti Mehmet Shehu, si Kryetar i Këshillit të Ministrave, domethënë ai ishte akoma i besuari i partisë.

Është e vërtetë. Në aparencë asgjë s’duhej të kuptohej se diçka do të ndryshonte, ama edhe siç kishte qenë nuk do të ishte. Nga ana jonë e televizionit me kameramanët patëm një “konflikt” të vogël, sepse me gjithë porosinë për të marrë më shumë sallën, gjatë fjalës së Mehmetit, ata e drejtonin objektivin tek portreti i kryeministrit, me arsyetimin, se kur të bëhej montazhi do të kërkoheshin ato plane. Ata nuk mund të dinin se fjalimi, pothuajse tërësisht do të ilustrohej me pamje nga delegatët. Në kongres shumë gjëra u bënë ndryshe nga çdo herë tjetër. Nuk ishte fjala vetëm për entuziazmin e pakët e të zbehtë, as për dyshimet që po shtoheshin, por mungoi fare hapur demonstrimi në televizion i lidhjeve të ngushta mes udhëheqjes e delegatëve.

Ka qenë një zakon i njohur, që në pushimet e seancave, Byroja Politike me Enverin në krye, zbrisnin nga presidiumi në sallë, në fuaje, në mjediset e Teatrit të Operës e Baletit e bënin fotografi me grupe delegatësh. Ato nuk u realizuan. Ishte e qartë. A mund të dilnin bashkë të gëzuar mes përfaqësuesve të partisë E. H. e M. Sh.?

Të vetmet, që vinin tek delegatët në kohën e pushimeve mes seancave, ishin Nexhmija e Fiqeretja. Sa për kureshtje, kësaj të fundit i kishin caktuar në sallë një vend afër dyerve të platesë. Delegatët nga ana e tyre në ato pushime, me avazin e vjetër kërkonin të bënin fotografi. Mbasi grumbulloheshin tek shkallët, ftonin Nexhmijen në mes. Në atë kohë si të ishin lodra fëmijësh vraponte drejt tyre edhe Fiqeretja. Por… Nexhmija linte grupin e largohej në mënyrë demonstrative pa bërë fotografi. A mund të kishte dëshpërim më të madh se aq, për palën që do të linte pushtetin, fronin, e ku dihej më tutje.

Po atëherë, si u mbyllën punimet e Kongresit në atë situatë aq të ndërlikuar e kritike?!

Gjithçka u arrit me sukses. Kongresi i mbylli punimet ashtu siç ishte parashikuar, në dukje me fitore. Asnjë ndryshim thelbësor nuk u bë. Delegatët, të ftuarit dhe punonjësit e tjerë të shërbimit, mbi një mijë vetë bashkë me udhëheqjen u vendosën jashtë, në shkallët e Pallatit të Kulturës për të bërë një fotografi. Në realitet në këtë kongres u mund plotësisht M. Shehu, por as E. Hoxha nuk doli fitimtar. Moralisht, siç do ta tregonte koha, edhe ai doli i humbur.

Mitingu i zakonshëm, mbas punimeve të kongresit, në kryeqytet u organizua në gjendje të tensionuar për udhëheqjen. Fjalën e rastit u ngarkua ta mbante K. Hazbiu. Goditjet kundër Mehmetit vazhdonin. Ne u porositëm t’i jepnim vend të dukshëm folësit, pra Kadriut edhe kjo nuk bëhej pa qëllim. Aq bëri përshtypje mbajtja e atij fjalimi nga Ministri i Punëve të Brendshme, sa u përfol kudo, se ai shumë shpejt do t’i zinte vendin kryeministrit. Për analogji kjo tezë ishte e besueshme, sepse në mitingjet mbas kongreseve të partisë vazhdimisht ka përshëndetur kryeministri. Mirëpo, kësaj radhe puna qëndronte tjetërkund. Atë do ta tregonte koha:

 

Është interesante të dëgjojmë nga ju si erdhi fundi i asaj beteje apo si erdhi fundi i M. Shehut duke u mbështetur gjithnjë në atë, që ju keni sjellë si dëshmi e fakte filmimet e transmetimet e televizionit?

Kësaj pyetjeje e kam më lehtë se asgjë t’i përgjigjem për faktin e thjeshtë se E. Hoxha e M. Shehu nuk dolën asnjëherë më bashkë në televizion në asnjë lloj veprimtarie. Ata me Kongresin e 8-të, i mbyllën paraqitjet së bashku para teleshikuesve. Por megjithatë goditjen e fundit, nëse mund ta quajmë zyrtare, M. Shehu e mori po në televizion e pikërisht në emisionin “Ngjarje dhe data” kushtuar 17 Nëntorit, çlirimit të Tiranës. Në atë dokumentar televiziv, përgatitur disa vite më parë, u bë “masakra” më e madhe po e them në mënyrë figurative. Nga ai emision u hoqën pamje e pasazhe të tëra teksti e figure me pamje nga M. Shehu. Gjithçka deri në atë kohë fliste se çlirimin e Tiranës e kishte udhëhequr ai, jo vetëm si strateg, por edhe si pjesëmarrës barrikadë më barrikadë. Ne, me porosi, M. Shehun e përmendëm vetëm 2 herë dhe peshën më të madhe për çlirimin e Tiranës ia deleguam korparmatës partizane të udhëhequr nga H. Kapo. Në atë grupim të madh bënte pjesë edhe Brigada I, legjendarja e udhëhequr nga M. Shehu.

Të gjitha veprimtaritë e tjera të atij nëntori si Mbledhja Solemne e 28-29 Nëntorit apo hapja e ekspozitës figurative etj, u zhvilluan pa praninë e E. Hoxhës. Kjo do të thoshte edhe pa praninë e M. Shehut. Mesa u duk u pat vendosur që as njeri as tjetri të mos ishin në festimet e këtyre ngjarjeve. Në të kundërt, pothuaj kudo ishte i pranishëm R. Alia si kryesor dhe i shoqëruar nga N. Hoxha. Fiqerete Shehu nuk dukej gjëkundi në ato ceremoni. Televizioni nuk pati probleme me kronikat.

Veprimtaria e fundit publike në televizion e kryeministrit dhe e fundit përgjithmonë, qe një detyrim protokollar pritjeje, që ai i bëri zëvendëskryetarit të Këshillit të Ministrave të Rumanisë, i cili ndodhej për vizitë në vendin tonë.

Në datën 17, duke u gdhirë 18 dhjetori, M. Shehu siç, u tha në njoftim, në një moment krize e nervozizmi pa rrugëdalje, vret veten. Pështjellim në udhëheqjen e partisë. Puna më e vështirë, formulimi i komunikatës. Si fillim u tha se nuk do të mbahej zi, por as nuk do të shpallej armik. Njoftimet në bazë zbritën vonë. Edhe për organet e informacionit njoftimet u bënë në rrugë partie nga Komiteti i Partisë së Tiranës. Në Drejtorinë e Përgjithshme këmbyem mendime, si të vepronim me programet. Vendosëm të mos bënim asnjë ndryshim, përderisa s’kishim orientim të veçantë. Në bisedë e sipër ra zilja e telefonit. Shefi i sektorit të shtypit edhe në atë rast nuk e kurseu humorin:

– Domethënë andej nga ju s’ka ndodhur gjë? Kështu gjithçka do të vazhdojë si më parë. Pa ndryshime. U kuptuam?

Këngët popullore, muzika e lehtë, vallet e meloditë që u transmetuan tërë ditën, ishin mesazhi më i saktë, se partia u nda edhe nga një armik tjetër. Në programacionet e radios e sidomos të televizionit, erdhi një përmbysje e re e programeve. Do të kalonin në arkiv, pa të drejtë transmetimi, dhjetëra emisione. Me to mund të bëhej montazh vetëm me leje të veçantë. Historia dokumentare po cungohej përsëri. Në fotografitë e Luftës çdo 5-6 vjet bëheshin retushe, që të mos dukeshin në ekran fytyra komandantësh e gjeneralësh. Tani do të hiqej edhe M. Shehu me pasuesit e tij. Si vazhdim i spastrimeve u hoqën kaseta e regjistrime, u zbritën nga muret afishe, pllakate, parulla, citate etj. U hoqën shumë këngë e libra, çdo gjë që lidhej me figurën e kryeministrit. Pati edhe nga ata më të devotshmit që propozuan të rishikohej e gjithë krijimtaria e krahinës së Mallakastrës dhe bile, nëse duhej transmetuar më kënga e njohur e “Çelo Mezanit”, mbasi dihej botërisht se e pëlqente M. Shehu.

Vijon nesër…