Suplementi Pena Shqiptare/ Vaso Papaj: Më kot në mesnatë

26
Sigal

 

Më kot në mesnatë të kërkoj Naim bej!

Më kot kalldrëmet i pyes:- A e patë?

Po ngjyra reklamash ngacmojnë gjithandej

dhe veten pa ty ç’e ndiej fillikat.

E shkela me këmbë Stambollin e vjetër,

kalldrëme, hotele dhe prapë s’po të gjej!

Ky vend ka parë sulltanër dhe mbretër,

po unë veç një mbret dua. Ty! Naim bej.

Bares përmes parkut si të isha fajtor.

Bosforit aromën ia thith gjer në fund…

Sa dua të të gjej me qiriun në dorë

dhe flaka e tij ngado të më shkundë,

e shtrihem mbi stolin e vjetër në park.

Kjo mjegull Azie paksa po më ftoh;

buzëqeshur afrohet Pamuku nga larg.

Po ty me qiriun në dorë nuk të shoh,

e ngrihem të ndjek në rruginat pafund.

Këto ngjyra reklamash pa gjum’ po më lenë.

Do të desha që flakë e qiriut t’i mundë,

ndaj malli për ty aq shumë më mbërthen

 

 

Migjenit

Migjen!

Ti sillesh vatrave malësore,

unë kohën kafeneve tjerr.

Ndaj dije!

Pranverë në ditët dimërore,

s’do mund të bëhem asnjëherë…

Migjen!

Ti je një tramundanë,

e unë veç fllad që ledhaton.

Por dije!

Me detin e paanë më ngjan;

sado të pi, kurrë s’më mjafton.