Të tjera detaje zbulohen nga tentativa e përdhunimit të 22-vjeçares në Laç

542
Sigal

 25-vjeçari Henri Talo nga Laçi që është
shpallur në kërkim nga policia e Tiranës pasi tentoi të përdhunonte një
22-vjeçare dje në “Rrugën e Kavajës, rezulton i dënuar me 3 vite burg.

Por rezulton se Talo është emër i njohur për
policinë dhe drejtësinë. Talo është dënuar me 3 vite burg nga Gjykata e Tiranës
në janar të këtij viti pasi bashkë me një të ri tjetër po nga Laçi, morën peng
për disa orë dy studente, raporton BalkanWeb.

Dy djemtë janë cilësuar fajtorë për akuzën e “Heqjes
së paligjshme të lirisë”. Ngjarja për të cilën akuzohen Talo dhe shoku i tij ka
ndodhur në prill të 2015-ës, ku dy djemtë, pasi kanë pasur marrëdhënie intime
me studentet, të cilat kishin refuzuar ta vijonin më tej lidhjen, kanë tentuar
t’i marrin peng, me sa duket me qëllimin që të vazhdonin sërish së bashku.
Gazeta Shqiptare” zbardhi në atë kohë detaje nga ngjarja dhe dosja e
prokurorisë. Nuk dihet nëse Talo e ka kryer dënimin apo ka fituar ndonjë
amnisti që ndodhej sërish i lirë, ku dje ka tentuar të përdhunojë një
22-vjecare, bashkë me 26-vjeçarin Armonel Bruka.

LIDHJA ME STUDENTET
“Dy studentet nga rrethe të ndryshme të vendit banonin së bashku në një banesë
të marrë me qira në kryeqytet. Të dyja vajzat janë paraqitur në prill 2015 në
polici, duke denoncuar dy djemtë, P… dhe Talo.

Vajzat kanë rrëfyer se prej disa kohësh njiheshin me
dy të pandehurit. Pasi janë takuar të katërt në qytetin e Tiranës dhe kanë
frekuentuar disa lokale, ata janë nisur, me kërkesën e të pandehurve, për në
qytetin e Laçit.

Kur kanë arritur në atë qytet, kanë hyrë në një
ambient dhe kanë nisur të pinë pije të ndryshme.
Aty ka ardhur edhe një shtetas që quhej Sokol, dhe pasi kanë ndenjur për disa
kohë, rreth orës 2:00 janë nisur për në Tiranë. Rrugës janë ndalur te hotel
“X…”, i cili ndodhet në Vorë, dhe kanë zbritur nga makina, ku kanë marrë dy
dhoma. Në një dhomë ka hyrë i pandehuri E. P. me K.L., dhe në dhomën tjetër ka
hyrë i pandehuri Henri Talo me R.Sh.

Gjatë qëndrimit aty, i pandehuri E. P. ka kryer
marrëdhënie seksuale me K.L., pa kryer veprime të dhunshme ndaj saj. Edhe i
pandehuri Henri Talo ka kryer marrëdhënie seksuale me shtetasen R.Sh., si dhe
ka kryer veprime të dhunshme ndaj saj. Më pas të pandehurit kanë dalë dhe kanë
shoqëruar vajzat për në banesën e tyre.

Vajzat u thanë hetuesve se ngjarja e mësipërme
ndodhi jashtë dëshirës së tyre. Ata pretendojnë se janë larguar prej tyre, duke
mos u takuar me ta, dhe njëkohësisht duke mos e kallëzuar ngjarjen, për shkak
të ndrojtjes, opinionit si edhe frikës që kishin prej të pandehurve.

MARRJA PENG
Ndonëse K.L. dhe R.Sh. kanë qenë të larguara prej kohësh prej të pandehurve,
ato më datë 8 prill 2015, janë ndodhur përsëri në shoqërinë e tyre në rrethanat
e mëposhtme. Kështu, në këtë datë, të dyja kanë qenë në orët e mbrëmjes në
lokal “T…” në Tiranë kur K.L. e ka marrë në telefon një person, me të cilin
njihej më parë, dhe së bashku me të, pas pak kohe janë nisur për të shkuar në
një lokal tjetër.

Te vendi i quajtur “Zogu i Zi”, kur ato ishin së
bashku me këtë person, në mjetin me targë AA 030 CV, i cili drejtohej nga i
njohur, në një moment mjeti ka ndaluar, dhe aty ka hyrë pa dijeninë dhe
dëshirën e studenteve, i pandehuri Henri Talo, i cili ka marrë drejtimin e
mjetit. Ndërsa, i pandehuri E. P. është ulur në vendin e parë të pasagjerit.

Në këtë moment, K.L. dhe R.Sh., tashmë me mbërritjen
e dy të pandehurve qëndronin në atë mjet jashtë dëshirës së tyre. Ato kanë
tentuar të dalin nga makina dhe të largohen, por ka qenë e pamundur, pasi dyert
ishin të mbyllura dhe mjeti është nisur. Pasi janë nisur në drejtim të Rinasit,
gjatë rrugës dy vajzat kanë debatuar me të pandehurit dhe kanë kërkuar të
ndalojë mjeti dhe të zbresin prej tij.

Duke u ndodhur në kushtet e pamundësisë për t’u
larguar dhe të gjendura në kushtet e heqjes së lirisë, studentet, në momentin
që kanë qenë në afërsi të QTU-së, duke qenë se në rrugë ndodhej një patrullë
policie, kanë kërkuar ndihmën e uniformave blu, me pretendimin se ato po
merreshin pa dëshirën e tyre prej të pandehurve E. P. dhe Henri Talo, të cilët
i kishin kanosur dhe kishin mbyllur edhe dyert e makinës. Në mjet me to ka qenë
edhe i njohur S. K.

Sipas aktit të ekspertimit mjeko-ligjor nr. 377,
datë 14.04.2015, për ekzaminimin e K.L., ka rezultuar se “në trupin e K.L., u
konstatuan dy vrahje (cikatrice) në parakrahun e majtë, të cilat janë
karakteristike për dëmtimet e shkaktuara nga djegia me cigare. K.L. është e
defloruar e vjetër”.

Sipas aktit të
ekspertimit mjeko-ligjor nr. 376, datë 14.04.2015, për ekzaminimin e R.Sh.,
rezulton se “në trupin e shtetases R.Sh. nuk u konstatuan dëmtime trupore.
R.Sh. është e defloruar e vjetër”.