Mazhoranca socialiste është përballur këtë të hënë me akuza për shkelje të Kushtetutës, pas vendimit për të kaluar me procedurë të përshpejtuar marrëveshjen e huasë prej 302 milionë dollarësh me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për modernizimin e Forcave të Armatosura.
Në seancën e paradites, Kuvendi miratoi me 75 vota pro kërkesën për procedurë të përshpejtuar, ndërsa shqyrtimi i marrëveshjes u parashikua të vijonte po brenda së njëjtës ditë.
Pikërisht këtu ngrihet pikëpyetja mbi kushtetutshmërinë e procedurës.
Neni 83, pika 3, i Kushtetutës përcakton se procedura e përshpejtuar nuk mund të përdoret për shqyrtimin e projektligjeve të parashikuara në nenin 81, pika 2, me përjashtim të shkronjës “dh”, ndërsa pika 2 e të njëjtit nen vendos një kufi të qartë kohor: projektligji i shqyrtuar me procedurë të përshpejtuar nuk mund të miratohet pa kaluar një javë nga fillimi i procedurës së shqyrtimit.
Nëse procedura e shqyrtimit ka nisur këtë të hënë dhe mazhoranca synon miratimin përfundimtar po brenda ditës, atëherë lind çështja nëse është respektuar afati minimal kushtetues i përcaktuar nga neni 83.
Opozita e ka cilësuar procedurën antikushtetuese, opozita deklaroi se është pro marrëveshjes dhe huasë amerikane, por nuk mund të votojë një procedurë që, sipas tij, shkel Kushtetutën.
Marrëveshja I ishte dorëzuar qeverisë shqiptare muaj më parë, duke ngritur pyetjen se përse ekzekutivi e solli në Kuvend në momentin e fundit dhe kërkoi procedurë të përshpejtuar.
Situata bëhet edhe më problematike për shkak të aksesit të deputetëve në dokument. Për shkak të elementeve konfidenciale, deputetëve iu vu në dispozicion një kopje për njohjen me përmbajtjen e marrëveshjes përpara seancës së pasdites.
Në këtë mënyrë, debati nuk lidhet me marrëveshjen me SHBA-në, për të cilën edhe opozita është shprehur pro, por me respektimin e Kushtetutës nga vetë Kuvendi.
Nëse provohet se afati i përcaktuar nga neni 83 është anashkaluar, çështja nuk mbetet vetëm një përplasje politike mes mazhorancës dhe opozitës, por ngre pikëpyetje mbi ligjshmërinë kushtetuese të procedurës së ndjekur për miratimin e marrëveshjes.





















