Dhjetra aktivist u mbledhën ditën e sotme para SPAK, për të dëshmuar paraqitjen e ish-zëvëndës kryeministres Belinda Balluku, ku pritej që sot ti komunikoheshin akuzat e reja të ngritura nga Prokuroria e Posacme ndaj saj.
Dhjetra punonjës të Policisë së Shtetit ndërhynë duke i larguar aktivistët nga trotuari që gjendej pranë oborrit të SPAK.
Aktivistët qëndruan për disa orë të rrethuar nga efektivët e policisë.
Balluku mbërriti rreth orës 13:50 në SPAK dhe qëndroi aty për gati gjysmë ore.
E pandehur për veprën penale të shkeljes së barazisë në tendera lidhur me tunelin e Llogarasë, Balluku po hetohet edhe për disa tendera të tjerë, përfshirë ndërtimin e Unazës së Madhe të Tiranës.
Sipas SPAK, ish-zv.kryeministrja Belinda Balluku është thirrur për t’u njohur me akuzën që lidhet me disa procedura prokurimi të reja si dhe për t’u pyetur në lidhje me to.
SPAK nuk bëri me dije se cilat janë procedurat e prokurimit për të cilat po hetohet së fundmi Balluku.
Balluku është nën akuzë për shkelje të barazisë në tendera lidhur me procedurën e prokurimit për ndërtimin e tunelit të Llogarasë në seksionin rrugor Orikum-Himarë dhe ka qenë nën hetim për të njëjtën vepër penale prej dhjetorit të vitit të kaluar, edhe për shtatë raste të procedurave të prokurimit të ndërtimit të Unazës së Jashtme të Tiranës.
Konkretisht për tenderat “Plotësimi, rakordimi dhe vazhdimi i punimeve Sheshi Shqiponja-Lumi i Tiranës, Loti 1 dhe QMT”
“Ndërtimi i segmentit rrugor Sheshi Shqiponja-Bulevardi i Ri, Loti 2”
“Ndërtim i segmentit rrugor Sheshi Shqiponja-Bulevardi i Ri- Shkozë, Urat mbi lumin Tirana Loti 3”
“Ndërtimi i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 4”
“Ndërtim i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 5”
“Ndërtim i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 6”
“Ndërtim i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 7”
Po ashtu, më datë 4 qershor, SPAK njoftoi se Balluku ishte marrë nën hetim për përfitimin e një vile me vlerë 145 mijë euro në Dhërmi nga shoqëria “Eurocol”, në këmbim të favorizimit të kësaj kompanie në një tender.
Mazhoranca socialiste në Kuvend e rrëzoi në muajin mars një kërkesë të SPAK për lejimin e arrestimit të saj, ndërkohë që SPAK nuk i ka shoqëruar akuzat e reja me ndonjë kërkesë shtesë për imunitetin e saj.





















