Gratë me cikël në Mal të Zi, do të marrin dy ditë pushim të paguara

Gratë në Mal të Zi, të diagnostikuara me sëmundje gjinekologjike që shkaktojnë menstruacione të dhimbshme do të përfitojnë nga dy ditë pushim të paguara çdo muaj.

Me këtë ndryshim ligjor, Mali i Zi kthehet në vendin e parë në Ballkan që miraton masa të tilla, duke synuar të mundësojë një balancë më të mirë mes shëndetit të grave dhe angazhimeve të tyre profesionale.

Sigal

Këto ndryshime i përkasin Ligjit të Sigurimeve Shëndetësore.

Përfitimi i ri u dedikohet grave që vuajnë nga cikle menstruale të dhimbshme, të cilat janë pasojë e diagnozave si endometrioza, fibroidet, polipet apo sëmundje të tjera gjinekologjike.

Propozimi për ndryshimin e legjislacionit u dorëzua në mars të këtij viti nga deputetja e pavarur Jevrosima Pejoviç, në prag të Ditës Ndërkombëtare të Gruas.

Spanja është aktualisht vendi i vetëm në Europë që ka aplikuar leje menstruale në legjislacionin e saj.

Diagnoza e sëmundjeve gjinekologjike do të përcaktohet nga një mjek specialist, ndërsa gratë e siguruara do të duhet të rinovojnë certifikatën mjekësore çdo vit deri më 31 dhjetor dhe ta dorëzojnë atë te punëdhënësi deri më 30 janar të vitit pasardhës.