Kush është sekreti? Qarku i Korçës, fshati 132.546 banorë, asnjë me coronavirus

2290
Sigal

Nga Vepror Hasani

Deri më tani banorët e fshatrave të qarkut Korçë rezultojnë të paprekur nga virusi corona, përfshi këtu rrethet Korçë, Pogradec, Devoll dhe Kolonjë; gjithsej 220.357 banorë, nga të cilët 87.811 banojnë në zona urbane dhe 132.546 në zona rurale. Referuar shifrave të mësipërme rezulton se në fshat jetojnë 44.735 banorë më shumë se në qytet. Nisur nga raporti i popullsisë qytet – fshat, logjikisht numri më i madh i të prekurve nga coronavirusi duhet të ishte në zonat rurale, por deri më sot  në këto zona nuk ka qoftë edhe një person të vetëm të infektuar. Ndryshe ka ndodhur në vende të tjera të botës, të infektuar ka patur edhe në fshat, por në Shqipëri krahasimi mes zonave rurale dhe zonave urbane është tejet i dukshëm dhe i pakrahasueshëm. Kush është sekreti?  Shumëkush mendon se ajri i fshatit është më i pastër dhe kjo është e vërtetë,  ashtu siç ka të tjerë që mendojnë se në fshat ka më pak stres, pasi nuk e ndjekin politikën me aq pasion si në qytet, madje edhe lajmeve nuk u kushtojnë ndonjë rëndësi të madhe, thjesht për të mos u mërzitur me ato që dëgjojnë. Në lidhje me lajmet të njëjtën gjë thotë edhe aktori dhe  regjisori Roman Polancki:E shoh të ardhmen me shumë pesimizëm. Sa herë që shoh lajmet do të doja të kisha pranë një psikiatër”.

Jeta në fshat

Sigurisht tashmë jeta në fshat është më e bukur nga sa ishte më parë, jo vetëm ajri i pastër, por edhe gjelbërimi, edhe peisazhet e mrekullueshme i japin kënaqësi shpirtit të njeriut. Numri i familjeve të një fshati është shumë më i vogël në krahasim me qytetin, banorët njihen dhe ndihmojnë njëri-tjetrin në raste vështirësish. Gjithkush merret me bujqësi ose blegtori, perimet i mbjellin vetë, frutat nuk mungojnë, as qumështi, vezët dhe as mishi. Shkojnë në punë çdo ditë, mbjellin, prashitin, ujitin, kositin, presin dru, mbledhin prodhimet e vjeshtës, përgatisin zahiretë e dimrit, nxjerrin rakinë e rrushit të kumbullës apo të manit dhe festojnë sa herë u vijnë mysfarirë. Sigurisht, ka edhe të varfër, jeta askund nuk mund të jetë kaq rozë. Në fakt vite më parë, puna në fshat ishte e mundishmshme pasi gjithçka kryhej me krahë, të ardhurat që siguroheshin ishin të pakta dhe varfëria në krahasim me qytetin ishte më e madhe,  për pasojë edhe jetëgjatësia në fshat ishte më e vogël. Gjithçka nisi të ndryshojë vite më pas kur bujqësia filloi të mekanizohej, dhë shumë procese nisën të kryhen me makineri.

Pleqtë e fshatit dhe të qytetit

Gjithashtu, numri i pleqve në fshat është më i madh se ai i 5 qytetve të marra së bashku: Korçë, Pogradec, Devoll, Kolonjë, Leskovik dhe Maliq. Për qytetet, numri i personave nga 60 vjeç deri në 90 vjeç e lart si qark është 18.380, kurse për fshatrat është 20.869 veta, ose 2.489 më shumë në krahasim me qytetet. Edhe në këtë rast pleqtë e fshatit duhej të ishin shumë më të rrezikuar nga pleqtë e qytetit sepse janë më të shumë në numër, por deri më tani virusi corona nuk ka dhënë asnjë shenjë.

Nëse i referohemi tabelës që e kemi nxjerrë nga të dhënat e censusit të vitit 2011 vërejmë se numri i pleqve të fshatit është më i vogël përsa u përket moshave nga 85 vjeç e sipër. Ka ndodhur kështu sepse këto mosha u përkasin viteve më të vështira të paraviteve ‘90, kur këto breza në moshën më të mirë të tyre u ushqyen me ujë dhe sheqer.  Tashmë banori i fshatit është gjithnjë në lëvizje, gjithnjë në punë dhe në kushte më të favorshme, ndërsa në qytet stresi është më i madh sepse edhe kërkesat për jetën janë më të larta; një pjesë e mirë e banorëve janë të papunë dhe nga sa është vërejtur virusi parapëlqen njerëzit e moshuar dhe ata që e shohin jetën me pesimizëm duke menduar se kanë nevojë për një mjek psikiatër.