Sigal

Sot u nda nga jeta,shkrimtari, skenaristi, intelektuali  dhe  miku fjalë pak dhe gojë ëmbël Kiço Blushi. Vlerat e tij shoqërore, kulturore dhe politike kishin brenda saj dashurinë, ndjeshmërinë, humanizmin dhe të vërtetën. Veprat tuaja do të jetojnë dhe trashëgohen brez pas brezi, po ju miku ynë i rrallë do na mungosh shumë. U prehtë në paqe shpirti yt i ndritur!

Engjëll Musai

Drejtor i Telegraf

Në përkujtim të figurës së Kiço Blushit, ne si redaksi e “Telegraf” po risjellim intervistën e tij të fundit për gazetën, në shenjë nderimi për këtë ikonë të filmit shqiptar.

Kiço Blushi: “Po kthehet përmbys historia!”

Shkrimtari dhe publicisti i shquar, skenaristi i filmit “Nëntori i Dytë” Kiço Blushi flet mbi deformimet e historisë nga politika

Një nga krijimet më të bukura artistike për ngjarjen e madhe të shpalljes së Pavarësisë Kombëtare është padyshim filmi “Nëntori i Dytë”. Në atë film, ndoshta si rrallëkund tjetër kemi një ngjizje të shkëlqyer të vërtetave historike me ato artistike. Ngjarja epokale e shpalljes së Pavarësisë, është monumentalizuar në atë film dhe pikë. Një nga ngjarjet e mëdha të 100-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë ishte kurimi i filmit që përjetëson ngjarjen e madhe. Ishte ky një lajm i bukur në këtë prag të festës së madhe. Besoj se nuk ka ngelur ndonjë shqiptar pa u gëzuar nga ky lajm. Shumë bukur! U përjetësuan aty Sandër Prosi në kryerolin e tij, aq sa sot shqiptarët e identifikojnë atë me Ismail Qemalin. U përjetësuan Reshat Arbana në rolin e Isë Boletinit dhe Robert Ndrenika në rolin e karrocierit që e çoi Ismail Qemalin në Vlorë. Me pak fjalë kemi të bëjmë me një film madhështor, i cili pa pikë dyshimi do të pushtojë ekranet mbarëshqiptare në 28 Nëntor.

Por shumëkush pyet: Mirë artistët, po kush e shkroi atë skenar të mrekullueshëm? Kush janë autorët e vërtetë të atij filmi? Le të kujtojmë atë që shkruhet në Wikipedia: “Nëntori i dytë” është një film shqiptar i prodhuar në Shqipëri në vitin 1982. Regjia: Viktor Gjika, Skenari: Dh. Shuteriqi, K. Blushi, Producent: “Shqipëria e Re”, Muzika: Kujtim Laro. E pra, ndër këta emra që përmenden, me keqardhje e themi se ndër krijuesit, i vetmi i mbetur gjallë është Kiço Blushi, autori i skenarit të famshëm. Ka 30 vjet që është bërë ai film.

Dje, duke pirë një kafe me Kiçon, kujtuam punën e madhe që është bërë për atë film, artistët e mëdhenj që luajnë në të etj., etj. Në këtë rast Kiçoja nuk ngurron të shprehë mirënjohjen e madhe ndaj kuratorëve të filmit që tashmë mund të themi se përfundimisht ai film është i “shpëtuar”. Në këtë vazhdë duhet të ecet dhe me filma të tjerë. Por, pikërisht këtu zbehet entuziazmi i Kiço Blushit. E gjitha kjo është një fasadë, sipas tij. Shtetit aktual nuk i intereson as historia dhe as arti. “Nëntori i Dytë”, një kryevepër artistike po keqpërdoret politikisht.

Kiçoja, ndërsa shpreh mirënjohjen për kuratorët e filmit, thotë se në radhë të parë falënderimi u takon artistëve të mëdhenj të atij filmi. I takon Sandër Prosit, Robert Ndrenikës, Bujar Lakos e të tjerëve. Po të mos ishin ata artistë të mëdhenj, si mund të ishte realizuar ai film?! Dhe të mendosh se kjo ngjarje e madhe artistike ka ndodhur 30 vjet më përpara? Kiço Blushi është përveçse skenarist filmash, edhe një nga shkrimtarët tanë më të njohur dhe një publicist mjaft aktiv. Në këtë kontekst, ai analizon ngjyrimin politik të 100-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë. Në qoftë se do të kishte ndonjë skenar për festimin e 100-vjetorit, ky që po realizohet këtë vit është më i keqi i mundshmi, thotë Kiçoja. Në vend që t’i mëshohet unitetit kombëtar, por trumbetohet përçarja. Kishim rastin më fatlum në histori t’i tregonim botës se jemi një komb me tradita, me histori të pasur, me një gjuhë dhe kulturë të papërsëritshme… Po dëshmojmë pikërisht të kundërtën. Shkurt, po kthehet përmbys historia! Si mund të pranojmë që në këtë 100-vjetor të flitet më shumë për Ahmet Zogun se për Ismail Qemalin? Paradoks më të madh nuk e gjen në faqen e dheut! Kështu dhe me filmin “Nëntori i Dytë”.

Gëzimi që më solli kurimi i filmit, më është kthyer në të kundërt. Si mund të kenë më shumë kontribut për filmin kuratorët (që kanë marrë miliona) se sa autorët dhe aktorët e atij filmi të madh? Filmi po keqpërdoret politikisht. Mbase për të mbuluar edhe shpenzimet marramendëse që janë bërë dhe që nuk dihet se në xhepat e kujt kanë përfunduar. Unë e di që ky është një aksident i momentit, sepse historia është histori, është shkencë dhe me të nuk mund të luhet. Tek historia kanë thyer kokën të gjithë udhëheqësit mendjeprishur të politikës së ditës. Historia është e pamëshirshme në gjykimin e saj. Kështu tha Kiçoja dje. Vetëm tri javë para ngjarjes së madhe të 100-vjetorit të ditës së shpalljes së Pavarësisë Kombëtare.