De Biazi: “E vështirë ta shpjegoj dështimin e Canës në Itali”

225

 Trajneri i Kombëtares shqiptare analizon momentin negativ të kapitenit kuqezi te skuadra e Lacios

Trajneri i Kombëtares shqiptare, Xhani De Biazi, analizoi për mediat italiane, momentin jo të mirë që po kalon në Itali me Lacion, Lorik Cana, kapiteni i kuqezinjve. Loriku, edhe pse ndodhet në sezonin e tij te klubi lacial dhe është lojtari i dytë më i paguar në klub – ka një pagë vjetore prej 1.7 milionë eurosh, – ende nuk ka mundur t’i bindë tifozët bardhekaltër, por as specialistët e futbollit në vendin fqinjë, të cilët në shumë raste e kanë kritikuar ashpër për performancën e dobët të tij.

 LOJTAR POLIVALENT – Cana mund të luajë si mesfushor shkatërrues, roli i tij natyral, por mund të spostohet dhe në mbrojte, gjë që e bën zakonisht me Shqipërinë, por në disa raste edhe te Lacio. “Loriku është një lojtar shumë i zhdërvjellët dhe unë mendoj që, mund të luajë sigurisht si një mbrojtës, ashtu siç po luan edhe në ekipin Kombëtar (shqiptar). Gjatë ndeshjes së fundit kundër Kamerunit (0-0, në Zvicër), Cana luajti në pjesën e parë si mbrojtës, ndërkohë që në të dytën u zhvendos përpara mbrojtjes, duke luajtur paska siç bën Ledezma te Lacio”, – tha De Biazi për “RadioSei” në Itali.

 LIDER NË KOMBËTARE – Te Shqipëria, Lorik Cana është një lojtar me eksperiencë të madhe dhe me personalitet të fortë. Kapiteni arrin t’ua transmetojë këto cilësi dhe shokëve të skuadrës, duke ruajtur vazhdimësinë. “Kështu, – citohet De Biazi, – ai (Cana) u imponohet si një lider dhe sigurisht që ai është, pasi ai di se kur duhet të flasë dhe është shumë inteligjent. As unë nuk arrij ta shpjegoj plotësisht se përse në Itali ai nuk arrin të imponohet”.

PROJEKTI I LACIOS – Trajneri italian i Kombëtares sonë përdor disa argumente në mbrojtje të Canës. “Megjithatë, duhet thënë se, Lacio ka një organikë të kolauduar dhe, kur një lojtar nuk ndihet pjesë e projektit nga fillimi i tij, atëherë ndjen më shumë vështirësi. Nëse nuk je protagonist, atëherë të mungon dhe ai motivim dhe përqendrim për të dhënë më shumë nga vetvetja. E përsëris, është normale që të jetë edhe një çështje vlerash në fushë, pasi Lacio ka vlera të jashtëzakonshme, me një identitet tashmë të përcaktuar qartë”, – përfundon De Biazi.

 Loja e pisët e  Migjen Bashës, tani do Zvicrën

 Mesfushori shqiptaro-zviceran i Torinos, Migjen Basha, mund të veshë fanellën e Kombëtares helvete, nëse kjo e fundit do ta ftojë atë zyrtarisht te veshë fanellën e kuqe me kryq të bardhë, për t’u bashkuar me shqiptarët e tjerë Xherdan Shaqiri, Valon Behrami, Granit Xhaka, Blerim Xhemajli e Admir Mehmedi.  Lojtari aq i dëshiruar nga trajneri Xhani De Biazi është vëzhguar edhe në derbin Juventus–Torino, ku Basha luajti titullar dhe shkaktoi një 11 metërsh në pjesën e parë. Mesfushori gjigant 25-vjeçar, që i ka folur me shumë dashuri përfaqësueses kuqezi në daljet e fundit publike, ka bërë një kthesë 180 gradëshe dhe  është i gatshëm ta pranojë ftesën e Otmar Hitzfeldit. Pas paraqitjeve të shkëlqyera që po bën me skuadrën e Torinos në Serinë A, Migjen Basha ka rënë në sytë e trajnerit të Zvicrës, Otmar Hitcfeld. Ky i fundit të shtunën ka dërguar në Itali, respektivisht në derbin e qytetit Juventus–Torino, asistentin e tij Mikael Bont, që ta ndjekë nga afër mesfushorin kosovar, i cili posedon pasaportë zvicerane dhe shqiptare. Bont ka qenë i kënaqur me paraqitjen e Bashës dhe i ka premtuar atij se në të ardhmen e afërt mund ta ftojë në përfaqësuesen helvete. Takimin me Bont e konfirmoi edhe vetë Migjen Basha:  “Pas ndeshjes Juventus –Torino kam takuar asistentin e trajnerit të Zvicrës, Mikel Bont, i cili kishte qenë në tribunë për të më vëzhguar. Gjatë bisedës ai më tha se stafi i Zvicrës është I interesuar për mua, por më porositi që të vazhdoj të luaj me këtë ritëm për të marrë një ftesë nga Otmar Hitcfeld”. Ish-mesfushori i Atalantas pohoi se, nëse merr një ftesë nga përfaqësuesja e Zvicrës, do të detyrohet ta pranojë, pasi Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF) ende nuk ka mundur ta zgjidhë problemin me FIFA-n, për ta angazhuar me ekipin kuqezi. “Jam lodhur duke pritur një përgjigje nga FIFA nëse do të më lejojë të luaj me Shqipërinë apo jo. Nëse ftohem nga Hitzfeld, duhet ta pranoj atë, edhe pse dëshira ime është që të vesh fanellën kuqezi”, theksoi Basha.

  KATEGORIA E PARË

 Elbasani, në rënie të lirë; drejtuesit heshtin

 Elbasani i këtij sezoni të Kategorisë së Parë është shumë larg objektivit madhor, rikthimit në Kategorinë Superiore, kompeticionin elitar futbollistik shqiptar. Verdheblutë kanë zhgënjyer në këto 14 javë të fazës së parë, duke u renditur në vendin e 10-të nga 16 skuadra, me vetëm 17 pikë, gati sa gjysma e atyre që ka grumbulluar fqinji i saj, Lushnja, 33, e që kryeson bindshëm Kategorinë e Parë. Barazimi pa gola me Gramshin (në javën e 14-të), dëshmoi edhe njëherë pafuqinë e Elbasanit, dikur një nga skuadrat jo vetëm më të vjetra në Shqipëri, por dhe dy herë kampion i vendit (në sezonet 1983-1984 dhe 2005-2006). Ecuria e Elbasanit në këto javë, ku ka “shijuar” më shumë humbje (7) sesa fitore (5), lë shumë për të dëshiruar, por drejtuesit e klubit verdheblu nuk janë bashkuar me shqetësimin e sportdashësve elbasanas. Tri humbje në katër ndeshjet e fundit janë shumë për një ekip tradite, por që për fat të keq po përjeton një neglizhencë totale nga administruesit e klubit, përfshirë dhe Bashkinë e qytetit. Duket paradoksale “qetësia” e tyre, kur “fortuna” është duke rrëzuar një ekip të madh. Drejtuesit kanë kohë që, jo vetëm heshtin, por nuk denjojnë as të kryejnë as analizat e rastin, të paktën për të përcaktuar përgjegjësitë. Nga faza e parë ka mbetur vetëm një javë, dhe të gjithë presin kthesën e shumëpritur në ballafaqimin e Elbasanit në Himarë. Dje, drejtuesit e klubit bënë një mininalizë, por edhe pse u premtua kthesa, në qytet e kanë të vështirë të besojnë se ajo do të ndodhë.

Era Çela

KATEGORIA E PARË

JAVA 15

E shtunë, 8 dhjetor 2012

 Iliria-Besëlidhja

Pogradeci-Dinamo

Mamurrasi-Burreli

Gramshi-Tërbuni

Himara-Elbasani

Naftëtari-Butrinti

Kamza-Ada

Partizani-Lushnja

 RENDITJA

1    Lushnja         14   +15  33

2    Partizani       14   +1   27

3    Mamurrasi       14   +8   26

4    Tërbuni         14   +11  24

5    Pogradeci       14   +2   23

6    Iliria          14   +4   20

7    Dinamo          14   +2   20

8    Burreli         14   +2   20

9    Butrinti        14   +1   19

10   Elbasani        14   -5   17

11   Besëlidhja      14   -2   14

12   Kamza           14   -6   14

13   Gramshi         14   -8   14

14   Ada             14   -5   12

15   Himara          14   -6   12

16   Naftëtari       14   -14  7

Tafaj: “Vuajtëm fillimin e sezonit”

 Tirana u rendit në vendin e tretë, në përfundim të fazës së parë të Superligës, por fakti që është 11 piikë larg “kampionit të dimrit”, Skënderbeut (33 pikë) është shumë i trishtueshëm. Edhe pse synimi kryesor i kryeqytetasve ka qenë, si gjithmonë, titulli kampion, për trajnerin Alban Tafaj, duke marrë parasysh problematikat e shumta që ka kaluar klubi kryeqytetas, ai sërish është brenda objektivave, pasi të paktën ai konsideron të mundshëm zonën e Europës. “Për momentin jemi të kënaqur me këtë vend, pasi dihet problematika e skuadrës sesi e ka nisur stërvitje, si kemi qenë organizuar dhe atë çka kemi treguar në javët e para të kampionatit. Megjithatë unë kam besuar tek ky grup lojtarësh dhe them se me fitoren e fundit me Laçin jemi brenda objektivave. Kemi edhe ne pengjet tona për pikë të lëna rrugës, por megjithatë për momentin meqë jemi vetëm një pikë larg vendit të dytë, pavarësisht diferencës së madhe që kemi me Skënderbeun”.

 Liga e Kampioneve

Sot, priten biletat e fundit

 Liga e Kampioneve preu biletat e tjera për fazën e një të tetave. Kështu, pas Portos, Paris Sën Zhermenit (grupi A); Shalkes dhe Arsenalit (grupi B), Malagës dhe Milanit (grupi C); Borusias Dortmund dhe Real Madrid (grupi C), sot do të përcaktohen edhe biletat e fundit, ku në lojë janë ende Shahktar Dontesk, Juventus dhe Çelsi (nga grupi E). Në grupin F, Bajerni dhe Valencia e kanë siguruar, por do të luftojnë midis tyre vetëm për vendin e parë. Në grupin G, Barcelona e ka siguruar, por për vendin e dytë luftojnë Benfika dhe Sëlltiku. Në grupin G, Mançester Junaitid e ka siguruar, ndërsa për vendin e dytë luftojnë Gallatasaraji dhe Kluzhi.

GRUPI E – Juventusi do të përballet me skuadrën kampione të Ukrainës në një ndeshje që nuk duhet ta humbasë. Shakhtar është kualifikuar për në fazën tjetër dhe sot luan për të siguruar vendin e parë. Në Londër skuadra e Rafael Benitez do të përballet me Nordsjaelland. Një takim që Çelsi duhet ta fitojë dhe të shpresojë që Juventusi të mposhtet në Donetsk. Skuadrës së Antonio Kontes i mjafton 1 pikë për të siguruar kualifikimin për në 16 skuadrat më të mira të Ligës së Kampioneve.

GRUPI F – Në grupin F ka mbetur vetëm për tu përcaktuar se kush do të jetë skuadra e vendit të parë. Bajerni dhe Valencia kanë siguruar kualifikimin që në ndeshjet e 2 javëve më parë. BATE do të luajë në Europa League pasi skuadrën franceze të Lilë vetëm një mrekulli do ta ndihmonte të kualifikohej. “Nuk dëshiroj një fitore me rezultatin 1-0”, ka deklaruar presidenti i Bayern Uli Hoeness përpara takimit kundër BATE Borisovit.

GRUPI G – Barcelona ka siguruar vendin e parë në grup dhe sot të gjithë pyesin se kë do të ndihmojë skuadra katalanase, Benfikën apo Sëlltik që janë në garë për vendin e dytë dhe kanë grumbulluar nga 7 pikë. Skocezët janë shumë pranë realizimit të ëndrrës së tyre për të qenë pjesë e 16 skuadrave më të mira të Ligës së Kampioneve. Sot i duhet një fitore përballë skuadrës ruse të Spartak dhe skuadra e Sëlltikut shpreson që Benfika të mos fitojë kundër Barcelonës.

GRUPI H – Skuadra e Mançester Junaitid e ka siguruar vendin e parë dhe sot mund të luajë me shumë lojtarë rezervë si titullarë. Cluj synon të bëjë mrekullinë në fushën e Manchester dhe shpreson që skuadra turke e Gallatasary të mos fitojë kundër Braga. Gallatasaray synon fitoren në Portugali kundër Braga e clia është skualifikuar nga çdo kompeticion.

LIGA E KAMPIONEVE

DITA 6

(Ndeshjet e fundit në grupe)

Dje, 4 dhjetor 2012

GRUPI A

Dinamo Zagreb-Dinamo Kiev

Paris S.G.-Porto

GRUPI B

Monpelje-Shalke

Olimpiakos-Arsenal

GRUPI C

Milan -Zenit St. Petërsburg

Malaga-Anderleht

GRUPI D

B.Dortmund-Mançester Siti

Real Madrid-Ajaks Amsterdam

Sot, 5 dhjetor 2012

GRUPI E

Çelsi-Nordsjaelland

Shakhtar Donetsk-Juventus

GRUPI F

Bajern Munih-BATE Borisov

Lilë-Valencia

GRUPI G

Barcelona-Benfika

Sëltik-Spartak Moskë

GRUPI H

Braga-Gallatasaraj

Mançester Junaitid-Kluzh