Ada, “princesha” e futbollit të femrave

805
Sigal

Velipojaket janë kampionët e dimrit. Tetë skuadra i japin jetë kampionatit të katërt kombëtar

Ekipi i futbollit për meshkuj i Adës luan në Kategorinë e Parë, pra jo në atë kryesore të kampionatit shqiptar, Kategoria Superiore, por qyteza e Velipojës mund të ndihet plotësisht krenare me skuadrën e femrave: kampione në fuqi (madje për të dytin vit rresht), por dhe kampione e dimrit. Ky është kampionati i katër i futbollit për femra.

 Futbolli i bukur

Në fakt, kemi të bëjmë me vajza të reja pasionante ndaj futbollit, pasi nuk janë lojtare profesioniste. Pra, vajza që mund të jenë në shkollë të mesme, studente, apo të kenë profesionet të ndryshme, por që i bashkon fusha e blertë. Gjeografia e ekipeve është ende e kufizuar, pasi skuadrat janë nga Tirana, Shkodra, Kamza, Durrësi, por dhe nga një qytezë simpatike si Velipoja. Është shumë argëtuese të shohësh një ndeshje futbolli femra, ka një bukuri të veçantë, nga mënyra si luajnë, pasojnë, gjuajnë, apo i gëzohen golit. Shkurt, një futboll i bukur.

 Dominimi i velipojakeve

Ada e Velipojës e ruajti si skuadrën kampione të kampionatit të kaluar, ashtu dhe traditën e fitoreve. Velipojaket dominuan bindshëm thuajse në të gjitha takimet, me përjashtim të barazimit 1-1 me Juban Danjën, skuadrën e vendit të dytë. Ada regjistroi gjashtë fitore, duke mos humbur asnjë takim dhe grumbulluar 19 pikë, dy më shumë se Juban Danja. Ndër tri më të mirat është dhe Tirana AS, kampionia e parë e vendit, që në këtë fazë grumbulloi 14 pikë. Të vetmen humbje ia shkaktoi Ada, 1-3, në kryeqytet (më saktë në Kamëz).

 “Bombardimet” e Adës

Kështu mund të quhen rezultatet dhe golat që ka realizuar skuadra e drejtuar nga dyshja e trajnerëve Xhanari. Goleada pa fund, të pranishme në çdo ndeshje: 6-1 me Kinostudion, 9-0 me Shkëndijën e Durrësit, 9-0 me Kamzën dhe 11-0 me Dardaninë. Janë disa emra që, spikasin, madje vajza vërtet të talentuara, si 16-vjeçaret Arlinda Gruda dhe Jesmire Tufa, golashënuese të rregullta, madje shënuese edhe të tre apo katër golave në një ndeshje të vetme. Te Ada luan dhe kosovarja Fitore Govori, por dhe lojtara më përvojë e ekipit Kombëtar, Ana Baro. Nuk duhen harruar edhe lojtaret malazeze Suzana Vujosheviç dhe Natasha Rnkoviç.

 Një “thes” me gola

Dardania mund të konsiderohet edhe si një ekip me portë, por “pa” portier. Në shtatë ndeshje ka pësuar 63 gola, pra me një mesatare të frikshme prej nëntë golash për ndeshje, teksa ka mundur të realizojë vetëm dy, pra me një golaverazh negativ prej 61 golash. Dardania është mundur 12-1 nga Kinostudio, 11-0 nga Ada e Velipojës, 13-0 nga The Door, 11-0 nga Tirana AS, etj. Ekipi i dytë, me më shumë gola të pësuar është Shkëndija e Durrësit, 33 gola në shtatë ndeshje. Më pak gola ka pësuar Ada e Velipijë, vetëm 6 gola.

 KAMPIONATI I 4-t KOMBËTAR

Sezoni 2012-2013

Java 1

Shkëndija D.-Dardania      5-0

FC Kamza-The Door          0-0

Ada Velipojë-Kinostudio    6-1

Juban Danja-Tirana AS      1-1

Java 2

Ada Velipojë-Shkëndija D   9-0

The Door-Juban Danja       1-4

Dardania-FC Kamza          1-8

Kinostudio-Tirana AS       2-2

Java 3

FC Kamza-Ada Velipojë      0-9

Shkëndija D.-Kinostudio    1-5

Juban Danja-Dardania       3-0

Tirana AS-The Door         8-0

Java 4

Ada Velipojë-Juban Danja   1-1

Shkëndija D.-FC Kamza      0-2

Dardania-Tirana AS         0-11

Kinostudio-The Door        4-1

Java 5

The Door-Dardania          13-0

FC Kamza-Kinostudio        0-2

Juban Danja-Shkëndija D.   9-0

Tirana AS-Ada Velipojë     1-3

Java 6

Shkëndija D.-Tirana AS     0-7

Kinostudio-Dardania        12-1

FC Kamza-Juban Danja       0-2

Ada Velipojë-The Door      4-0

Java 7

Tirana AS- FC Kamza        3-0

Juban Danja-Kinostudio     5-1

Dardania-Ada Velipojë      0-11

The Door-Shkëndija D.      1-1

RENDITJA

 1. Ada Velipojë      6    1    0    19

2. Juban Danja       5    2    0    17

3. Tirana AS         4    2    1    14

4. Kinostudio        4    1    2    13

5. FC Kamza          2    1    4    7

6. The Door          1    2    4    5

7. Shkëndija D       1    1    5    4

8. Dardania          0    0    7    0

Ada, edhe kampione në fuqi

 Ada e Velipojës është skuadra më e titulluar në futbollin e femrave, duke fituar dy nga tre kampionatet e përfunduara deri tani. Titullin e parë kampion e fitoi Tirana AS (2009-2010), me trajner Altin Rrakllin, sot trajneri i Kombëtares së femrave. Një meritë kjo e trajnerëve Fatmir dhe Hava Axhani, por edhe presidentit Lazër Matija. Në grupin e lojtareve të Adës ishin portieria dhe kapitenia Brilanda Kokiçi e pastaj me Greta Lazri, Denisa Proto, Dorjan Kolgjini, Donilda Sufaj, Franja, Desara Shpuza, Megi Doçi, Tina Malesia, Abazaj, Glerisa Gruda, Tula, Matilda Matija, E.Matija, Erida Bajrakurtaj, Muja, Mirjeta Qershija e shumë vajza të tjera që kanë kontribuar dhe kontribuojnë për këtë skuadër. Nuk duhen harruar edhe lojtaret malazeze Vujosheviç dhe Rnkoviç. Edhe kryekomunari e Velipojës, Z.Pashk Ujkaj ka dhenë për mbështetjen që i kanë dhënë kësaj skuadre.

 Juban Danja, fituesja e Kupës së Shqipërisë

 Juban Danja është fituesja e Kupës së Shqipërisë në futboll për femra për sezonin 2011-2012. Skuadra e Juban Danjës fitoi me meritë në finale përballë kryeqytetaseve të Kinostudios me rezultatin 4-1. Ndeshja u luajt në Kamzë, më 12 shkurt 2012. Për Juban Danjën e drejtuar nga Kreshnik Krepi shënuan Avdije Veliu 3′ (11-m), 40+1′, Emanuela Jaku 70′ dhe Klaudia Rrotani 74′. Për Kinostudion e drejtuar nga Gëzim Gjonapalaj, golin e nderit e realizoi Lulaj. Trofeun e kupës e dorëzoi shefi i garave në FSHF në atë kohë, Ilir Shulku (aktualisht me detyrën e Sekretarit të Përgjithshëm), ndërsa medaljet për ekipin fitues u shpërndanë nga shefi i futbollit të femrave në FSHF, Endri Hyka. President i Juban Danjës është Ferdinand Jaku, njëherësh dhe i ati i lojtares Emanuela Jaku.

 REKORDI NEGATIV

Ada, 80 gola të pësuar në Ligën e Kampioneve

 Në fakt, ndryshe nga dominimi i Adës në skenën shqiptare, aventura e saj në Ligën e Kampioneve mund të konsiderohet si një skandal i vërtetë. Ada është mundur 21-0 nga homologia qipriote, Apollon, duke nënshkruar kështu rezultatin më të thellë në histori në këtë kompeticion në futbollin e femrave. Ndeshja ishte e vlefshme për Grupin 6 kualifikues. Në dy takimet e tjera, Ada humbi 14-1 me Kharkiv të Ukrainës dhe 11-1 me Klasvik e Ishujve Faroe. Pra tri humbje në po aq ndeshje, duke pësuar 46 gola dhe shënuar vetëm dy. Edhe në debutimin Ligës së Kampioneve sezonin e kaluar bilanci ka qenë për “Guinnes” 0-34. Humbitnin 10-0 me finlandezet e PK-35 Vantas, 16-0 me sllovaket e Sllovan Bratisllavës dhe 8-0 me polaket e Unia Raçibor. Në pjesëmarrjen e deritanishme, në dy sezonet, pra në gjashtë ndeshje, velipojaket regjistrojnë 80 gola të pësuar e vetëm 2 të shënuar, pra me një mesatare 13.3 gola/ndeshje, e thënë ndryshe 1 gol çdo 4.5 minuta.

 Shqipëria, për herë të parë në Kampionatin Europian

 E shumëpritur nga të gjithë, tashmë edhe Shqipëria e femrave do të marrë pjesë në një eveniment kontinental. Dhe premiera kuqezi starton në kampionatin evropian të sezonit 2013-2014 të U-19-ës, finalet e të cilit do të mbahen në Norvegji. Në shortin e hedhur në Nion të Zvicrës u vendos që Shqipëria – një nga tre kombëtaret debutuese në një kompeticion të tillë së bashku me Maltën dhe Malin e Zi – do të jetë në Grupin 7 (nga 11 në total) me Italinë, kampionen e Europës në 2008-n, Poloninë dhe Slloveninë. Ky është

Kampionati i 13-të Europian për femra. Shorti u drejtua nga kryetarja e komitetit të UEFA-s për futbollin për femra, Karen Espelund, dhe Mikael Salzer, kryetari i UEFA-s për femrat dhe në futbollin e sallës. 11 fitueset e 11 grupeve, si dhe dhjetë skuadrat e dyta të renditura më mirë, kualifikohen për finalet e kampionatit evropian të korrikut 2014 në Norvegji. Kjo e fundit është rreshtuar mes kualifikueseve në vazon elitare së bashku me Gjermaninë, Anglinë dhe Spanjën dhe do të futen në lojë në raundin e dytë, i cili do zhvillojë ndeshjet nga 5 deri 10 prilli 2014.

 Kombëtarja e Femrave Pesë ndeshje, pesë fitore

 Kombëtarja shqiptare në futboll për femra deri tani ka arritur pesë fitore në po kaq miqësore të zhvilluara. E fundit mban datën e 22 majit, pasi mundën Maqedoninë me rezultat të pastër 2-0 në miqësoren e luajtur në stadiumin “Gjorgji Kyçyku” në Pogradec. Dy “perla” të Suada Jasharit. Kjo ishte fitorja e tretë në po aq ndeshje me Maqedoninë, pas dy të parave 1-0 (në Pogradec) dhe 4-1 (në Ohër). Këtë sezon vajzat e trajnerit Altin Rraklli fituan fillimisht në transfertën malazeze në Bar 4-2 me skuadrën vendëse, vijuan serinë pozitive në Shkodër ndaj të njëjtës rivale 4-3.

 Gjyqtaret femra

Jemi mësuar të shohim vetëm “xhaketa të zeza” meshkujsh, por në fakt nuk mungojnë as gjyqtaret femra. Kështu, në kolegjiumin e Shkodrës janë Fatjon Borova dhe Griselda Krumi. Në Durrës është Klesta Gjyli, Mirela Çemeri dhe Xhuana Boja.