Memush Habilaj: Në do paqen, përgatitu për luftë

Nga Memush Habilaj

Ish-drejtori i Laboratorit Qendror të Kimisë 

Sigal

Në Samitin e NATO-s, Evropa pranoi pa kushte kërkesën reale të amerikanëve që të rrisë buxhetet për mbrojtjen, në masën 5% të GDP deri në vitin 2035 .

– Natyrisht, edhe Shqipëria do ecë në këtë drejtim, ndoshta në një masë më të moderuar deri në 3% të GDP, por që për ne është e mjaftueshme për të forcuar mbrojtjen.

– Në sistemin monist Mbrojtja jonë dispononte 21 divizione gjitharmëshe, që përmbanin 185 njësi ushtarake që arrinte shifrën deri 585 mijë ushtarë, si dhe 265 mijë forca vullnetare.

– Ushtria kishte një kompletim prej 2,2 milionë pushkë dhe automatikë, 500 mijë pistoleta dhe 14 mijë automjete.

– Mbrojtja e vendit i kostonte buxhetit të shtetit 12 – 14 % të tij, ose, e konvertuar sipas GDP së sotme, në shifrën prej 5 %, aq sa kërkohet sot nga vendet e NATO-s.

Pranimi ynë në NATO në 2 prill 2009 na paraqiti në këtë organizatë me një forcë të armatosur 7- 8 mijë vetë ushtarë e civilë.

– Në 2009 kishim një konsum financiar prej 0,9 % të GDP, pa armatim të rëndë, pa artileri, pa aviacion, pa flotë luftarake detare, pa mjete të blinduara

– Pas vitit 1990, u ndoq një politikë thellësisht e gabuar që e çarmatosi totalisht vendin, duke e katandisur Shqipërinë në vendin e tretë nga fundi të listës prej 175 shtetesh në botë

Sapo u mbyll samiti i NATO-s, i cili bëri konkluzionet e stërvitjes “Deffender Europe-25” dhe analizoi gjëndjen aktuale të forcave të armatosura të kësaj organizate. Si një nga pjesëmarrësit e organizatës, ishte e pranishme edhe Shqipëria, pavarësisht nga mundësitë dhe kapacitetet pothuajse të papërfillshme si vend, në fushën e mbrojtjes. Pranimi ynë në NATO në 2 prill 2009 na paraqiti në këtë organizatë me një forcë të armatosur 7- 8 mijë vetë ushtarë e civilë (praktikisht deri në 3500 vetë), dhe me një konsum financiar prej 0,9 % të GDP, pa armatim të rëndë, pa artileri, pa aviacion, pa flotë luftarake detare, pa mjete të blinduara, pa një plan organizativ e mobilizimi, pra një vend komplet i çarmatosur dhe i pambrojtur.

Por ne nuk kemi qenë gjithmonë kështu. I paraqisim lexuesit disa të dhëna për forcat tona të armatosura që ekzistonin para vitit 1990:

Mbrojtja jonë dispononte 21 divizione gjitharmëshe që përmbanin 185 njësi ushtarake (74 brigada gjitharmëshe,19 brigada sulmuese, etj ) me kompletim, me efektiv rezervist që arrinte shifrën deri 585 mijë ushtarë, si dhe 265 mijë forca vullnetare (110 grupe vullnetare dhe 680 batalione vullnetare ) duke e çuar numrin e përgjithshëm të efektivit të ushtrisë deri në 850 mijë vetë, duke krijuar mundësi për një mbrojtje të sigurtë të të gjithë vendit. Në forcat aktive merrnin pjesë 61 mijë ushtarë, 13.500 oficerë, 9000 nënoficerë, 8000 civilë. Kjo forcë e armatosur mbështetej me një armatim të fuqishëm: me një artileri prej 4000 topash fushorë, 12.600 mortaja, 7600 topa kundra-tank, 1200 tanke, 175 avionë luftarakë, 36 helikopterë, 105 anije luftarake, duke përfshirë 4 nëndetëse. Ushtria kishte një kompletim prej 2,2 milionë pushkë dhe automatikë, 500 mijë pistoleta dhe 14 mijë automjete. Një industri prej pothuaj 20 lloj uzinash siguronte prodhimin e municioneve dhe armatimin e nevojshëm për forcat e armatosura. Një rezervë municionesh, ushqimesh dhe artikujsh të tjerë, garantonin zhvillimin e një lufte frontale për një periudhe deri në 5 vjet. Kjo ushtri bëhej gati për luftëbrenda 3 deri 6 orë pas marrjes së sinjalit, ndërsa Komanda e Përgjithshme merrte drejtimin pas 12 orësh. Mbrojtja e vendit i kostonte buxhetit të shtetit mesatarisht një vlerë prej 12 – 14 % të tij, ose, e konvertuar sipas GDP së sotme, në shifrën prej 5 %, aqsa kërkohet sot nga vendet e NATO-s që të investojnë për mbrojtjen. Duhet të mbahet parasysh se një pjesë e madhe e armatimit dhe teknikës luftarake të asaj kohe, ka qenë dhuratë e vendeve mike të Shqipërisë dhe nuk është paguar drejtpërdrejt (duke filluar nga armatimet trofe të Luftës së Dytë Botërore, ndihma nga vendet e Traktatit të Varshavës dhe Kina).

Pas vitit 1990, me ndryshimin e sistemit politik në Shqipëri, u ndoq një politikë thellësisht e gabuar që çoi në çarmatosjen totale të vendit, duke e katandisur Shqipërinë në vendin e tretë nga fundi të listës prej 175 shtetesh në botë ( Butani në vendin e fundit, me një ushtri prej 500 vetësh që ruajnë mbretin, dhe në vendin e parafundit, Maqedonia e Veriut me 2-3 mijë ushtarë ). Një politikë analoge e çarmatimit të përgjithshëm u zbatua edhe në Ukrainë dhe po e shohim gjëndjen në të cilën ndodhet ajo. Shkatërrimi i aftësisë mbrojtëse të vendit, u udhëhoq nga një politikë injorante, grabitëse dhe antikombetare! Dëmi i shkaktuar është i pallogaritshëm dhe për ta ringritur aftësinë mbrojtëse, duhet kohë e gjatë, punë dhe investime të mëdha financiare. Por mbi të gjitha duhet të ekzistojë një vullnet i fortë dhe real politik, gjë që ka munguar plotësisht që pas vitit 1990. Një politikë e tillë detante, ireale, pa kuptim e pa bazë, përfshiu të gjithë Evropën, por ata ruajtën të paktën një shpenzim mesatar për mbrojtjen, deri në 2 % të GDP, dhe natyrisht, nuk dëmtuan asgjë nga ato që dispononin dhe mendonin se e ndjenin veten të sigurtë nën ombrellën amerikane. Praktikisht për vitin 2025 NATO llogarit një shpenzim të përgjithshëm deri 1,5 trilion dollarë, nga të cilat pothuajse 1 trilion dollarë përballohen nga SHBA. Me administratën e re të presidentit Donald Tramp, u përshtat një politikë e re e mbrojtjes së NATO-s, dhe ky president ua bëri të qartë vendeve anëtare se duhet të ndryshojnë idetë, politikën dhe shpenzimet e mbrojtjes, në mënyrë që komuniteti Evropian të jetë në gjëndje të sigurojë vetë mbrojtjen e tij dhe të mos presë çdo gjë nga SHBA. Kjo kërkesë e Presidentit Trump kërkon që Evropa të zgjohet nga gjumi letargjik 30 – 40 vjeçar dhe të fillojë të mendojë që të jetë në gjëndje të përballojë situatat emergjente me të cilat mund të përballet. E vënë përpara një fakti të kryer, Evropa pranoi pa kushte këtë kërkesë reale të amerikanëve dhe do të rrisë buxhetet për mbrojtjen, deri në vitin 2035 në masën 5% të GDP, njëkohësisht, duke lehtësuar pjesën e SHBA-së.

Natyrisht, edhe Shqipëria do ecë në këtë drejtim, ndoshta në një masë më të moderuar deri në 3% të GDP, por që për ne është e mjaftueshme për të forcuar mbrojtjen. Qeveria shqiptare ka pothuajse një vit që po përpiqet të lëvizë diçka në këtë drejtim. Po shohim një shtesë në buxhetin e mbrojtjes, përpjekja për të hartuar ligjin për përgatitjen e kontigjentit rezervist në një shifër modeste prej 2000 vetësh, ideja e një shërbimi ushtarak të detyrueshëm, si dhe hapat e para për rivitalizimin e industrisë ushtarake, u ringrit baza ajrore e Kuçovës me një investim prej 53 milionë eurosh nga amerikanët, prodhimi i makinës së parë të blinduar SHOTA, nga kompania KAYO, që është vlerësuar maksimalisht nga partnerët evropianë. Kjo u shoqërua edhe me financimet përkatëse. Për vitin 2024 mbrojtja u mbështet me një buxhet prej 520 milionë eurosh. Në planin ndërkombëtar Shqipëria hodhi hapat e para për krijimin e aleancave mbrojtëse midis Kosovës, Kroacisë dhe në perspektivë, edhe me vende të tjera të Ballkanit, duke ndezur xhelozinë e Serbisë e Greqisë. Në buxhetin e mbrojtjes për ringritjen e industrisë ushtarake, u investuan 13 milionë euro, shumë relativisht e vogël për këtë industri të kushtueshme. Në qoftë se do ndiqet linja e përgjithshme që në vitin 2035 të investohet për mbrojtjen 3 %e GDP, duhet të arrihet vlera prej 1,5-2 miliardë eurosh, gjë që do t’i japë mundësi vendit të mbajë një kontigjent aktiv prej 15-20 mijë vetësh dhe rezervistë deri 10 mijë vetë, shifra këto, larg sigurimit të një mbrojtjeje të plotë e të sigurtë. Por, nën ombrellën amerikane, është e mjaftueshme. Një pjesë të rëndësishme të financimit do ta marrë industria ushtarake, e cila duke trashëguar atë që ka mundur të ruhet dhe me investim të ri, do të prodhojë armatimin e lehtë dhe municionin përkatës për vete dhe për shitje partnerëve, do të ndërtojë mjete transporti e të blinduara, drona të ndryshëm, anije të lehta për mbrojtje e turizëm, si dhe pjesë artilerie për vendet e NATO-s. Të gjitha këto janë të mundshme, mbi të gjitha kërkohet vullnet serioz dhe këmbëngulës politik për të cilin vendi ka vuajtur një kohë të gjatë. Duke arsyetuar shifrat e pritshme në këtë drejtim, duhet të mbajmë parasysh faktin real se çdo gjë te ne realizohet nëpërmjet tenderave, nga të cilët shoqëria shqiptare ka një përvojë tepër të hidhur, shpërdorimet e vjedhjet e fondeve publike kanë qenë skandaloze në çdo fushë të ekonomisë. Në fushën e mbrojtjes u kthye në histori anekdotike çmimi i orizit me shumicë, më i lartë se çmimi me pakicë në tregun e lirë, ose çmimi i uniformës së një polici – më i lartë sesa një kostum Armani në dyqanet e modës aristokratike në Paris! Shpresojmë të mos vijohet kështu me këtë veprimtari korruptive, sepse nuk do ngelet gjë për të investuar në mbrojtje, pavarësisht sloganeve politike që lëshohen pa përgjegjësi. Politika, shteti, shoqëria, duhet ta ngulin mirë në kokë ligjin e thjeshtë dhe themelor të luftës: Në do të jetosh në paqe, përgatitu për luftë!