Dilaver Goxhaj: Operacioni i Parë Luftarak i shkallës operative të LANÇ-it

Luftimet e forcave partizane për përballimin e dy operacioneve armike të Qershorit dhe korrikut, 1943

– Ky sukses ndaj armikut dëshmoi për lidhjen e fortë midis forcave të çetave e batalioneve partizane dhe popullit kryengritës,

Sigal

Viti 1943 shënoi kthesën rrënjësore në zhvillimin e Luftës së Dytë Botërore. Kjo kthesë u kushtëzua para së gjithash nga fitorja e madhe e Ushtrisë së Kuqe në Stalingrad (shkurt 1943), dhe më pas me shkatërrimin e plotë e përfundimtar të mësymjes gjermane në rajonin e Kurskut (korrik 1943), e cila shënoi perëndimin e ushtrisë naziste gjermane.

Luftimet e forcave partizane për përballimin e dy operacioneve armike të Qershorit 1943, që filluan, i pari me një efektiv prej 14.000 forcash kundër forcave partizane në Pezë, (13-18 Qershor 1943); dhe i dyti, me dy faza, gjatë fazës së parë me një efektiv prej 8.000 forcash kundër forcave partizane të krahinës së Mallakastrës, Shpiragut dhe Tepelenës, (25-29 Qershor 1943), dhe faza e dytë (14-25 Korrik 1943) me 20.000 forca, dëshmuan ngaqë armiku nuk mundi t’i mposhtte ato forca partizane të krahinave që ai sulmoi; por, përkundrazi, u shumuan forcat prtizane, të cilat i detyruan forcat armike të ktheheshin nga kishin ardhur, më 19 qershor në Tiranë, dhe më 29 qershor në Berat, Fier e Tepelenë, në bazat e tij të nisjes, ku u përgatitën të ri-sulmonin po ato krahina më 14 korrik 1943.

Ky sukses dëshmoi për lidhjen e fortë midis forcave të çetave e batalioneve partizane dhe popullit kryengritës, në përgjigje të thirrjes të muajin prill 1943 të Këshillit të Përgjithshëm Nacional-Çlirimtar: “Forco, shto dhe shumëzo çetat partizane dhe vullnetare, që me luftën e tyre i zbardhën faqen Shqipërisë para botës mbarë!”.

Këto fitore partizane i treguan armikut se kishte të bënte me një popull që kish vendosur të vdiste për të mbrojtur interesat e veta, nderin, atdheun dhe gjithçka tjetër. Disfatat që pësuan pushtuesit italianë në Pezë, Shpirag, Mallakastër dhe Tepelenë përbënin në radhë të parë fitore të rëndësishme politike, ku u vërtetua se lufta çlirimtare e një populli nuk mund të mposhtet nga cilado ushtri pushtuese. Ato suksese ishin njëkohësisht edhe fitore të mëdha ushtarake, që e pasuruan edhe më shumë përvojën e kryengritjes sonë të armatosur, e cila po merrte gjithnjë e më shumë përpjestime të gjera.

Më 28 Qershor 1943, udhëheqësi i kryengritjes së armatosur (LANC-it), Enver Hoxha, udhëzon Komitetet qarkore të PKSH dhe komandat partizane të qarqeve të Korçës, Beratit dhe Gjirokastrës, të udhëhequra përkohësisht nga Komitetet qarkore të PKSH, që të përgatiteshin për eleminimin e garnizonëve të ushtrisë fashiste në Kuqar të Përmetit, dhe në qytetin e Përmetit. Qëllimi i këtij operacioni ishte për krijimin e kushteve për kalimin nga kryengritjet e armatosur, në luftë çlirimtare.

Për drejtimin e këtyre forcave u ngrit një Shtab i përbashkët Operativ, i cili u vendos në fshatin Lupckë. Ky Shtab Operativ filloi menjëherë nga puna për përgatitjen dhe grumbullimin e forcave të nevojshme për të ndërmarë këtë operacion luftarak.

Në fshatin Kuqar armiku mbante në mënyrë të përhershme 400 forca, ndërsa në garnizonin e qytetit të Përmetit mbante përherë jo më pak 300 forca.

Bazuar në sasinë e batalioneve dhe çetave partizane, territoriale dhe vullnetare, që morën pjesë në këtë operacion; në hapësirën e ngushtë kohore të afrimit dhe marrjen e detyrave luftarake nga ato forca; në sasinë e drejtimeve ku u zhvilluan luftimet, si dhe në kohëzgjatjen 5 ditore të atyre luftimeve, duke luftuar ditë-natë, ky operacion ishte operacioni i parë në shkallë operative i Luftës Nacional-Çlirimtare Shqiptare (LANÇ). Por, duke qenë se forcat pjesëmarrëse në këtë operacion përfaqësojnë popullsinë e një hapësire gjeografike në mbi 7.000 km2 (të mbi 15 krahinave) të pjesës Lindore të Shqipërisë Jugore, këtë operacion mund ta vlerësojmë edhe operacion të nivelit strategjik.

Forcat partizane që u caktuan të merrnin pjesë në këtë operacion qenë: batalioni “Hakmarrja” i Kolonjës, batalioni “Ali Kelmendi” i Gorës, batalioni “Themistokli Gërmenji” i Voskopojës, një pjesë e batalionit “Fuat Babani” i Devollit, si dhe çeta e Dëshnicës. Këto forca do të vepronin kundër garnizonit të Kuqarit.

Ndërsa, pjesa tjetër e batalionit “Fuat Babani”, bashkë me një pjesë të batalionit “Riza Cerova” i Skraparit do të bllokonin Përmetin, duke parashikuar kështu likuidimin me radhë të dy garnizoneve armike.

Forcat e këtyre dy batalioneve do të jepnin goditje nga krahu i djathtë e rrjedhjes së lumit Vjosa, ndërsa nga krahu i majtë i rrjedhjes së lumit Vjosë u caktuan të godisnin garnizonin e Përmetit çeta territoriale e Përmetit, çeta partizane e Rrëzës dhe ajo partizane e Oparit.

Sipas planit operativ, repartet sulmuese në Kuqar dhe Përmet u siguruan nga prita të fuqishme partizanë në Grykën e Mezhgoranit, në Qafën e Kiçokut dhe afër Urës së Beratit.

Në prita, si dhe për të dhënë goditje ndihmues, muarën pjesë: pjesa tjetër e batalionit “Riza Cerova”, në Qafën e Kiçokut, për të ndaluar afrimin e forcave fashiste që mund të vinin nga Berati në ndihmë të garnizonit të Kuqarit.

Në grykën e Mezhgoranit caktohen: çeta “Hajredin Tremishti” e Kurveleshit, çeta “Koto Hoxhi” e Lunxhëri-Zagori, çeta partizane e Çamërisë dhe ajo territoriale e Zagorisë, për ndalimin e ardhjes së forcave fashiste nga Gjirokastra dhe Tepelena në ndihmë të garnizonit të Kuqarit.

 

Forcat e tjera partizane të qarkut të Gjirokastrës e të Korçës u vunë në gatishmëri që të priteshin rrugët e afrimit të mundshëm të forcave armike nga Erseka (në Barmash dhe te Ura e Shalsit), si dhe nga jashtë Shqipërisë, nga Konica dhe Janina.

Numuri i forcave partizane arrinte në 1.250 (Korça 600, Gjirokastra 300 dhe Berati 350). Sikundër shihet, plani operacionit ishte që forcat kryesore partizane do të godisnin garnizonin e Kuqarit, i cili kishte më shumë forca armike.

Afrimi dhë zënia e bazës së nisjes për sulm e forcave partizanë u bë në fshehtësi dhe befasi të plotë, me fillimin e errësirës në datën 29 qershor dhe gjatë natës së datës 30 Qershor u vendosën në vijat e sulmit. Çeta “Hajredin Tremishti”, çeta territoriale e Zagorisë dhe ajo partizane e Çamërisë mbritën në paraditën e datës 2 Korrik, për shkak të largësisë dhe afatit të shkurtër kohor.

Pa aguar ende dita e datës 1 korrik 1943 forcat kryesore partizane filluan goditjen kundër dy garnizoneve fashiste.

Farcat armike e kishin përgatitur me kohë mbrojtjen e fortifikuar të garnizoneve të tyre. Në fillim mbrojtja e armikut u çorganizua, ngaqë u kap në befasi, por shumë shpejtë e mori situatën në dorë, duke shfrytëzuar fortifikimin. Duke shpresuar në ndihmën e shpejtë, armiku rezistonte me egërsi, që të mos dorëzohej. Shumë shpejt nga qytetet e Beratit, Gjirokastrës dhe Tepelenës filluan të vinin autokolona fashiste në drejtim të forcave të rrethuara. Por rrugët e ndihmës ishin të bllokuara.

Luftime jashtëzakonisht të ashpra u zhvilluan në pritat e ngritura në Grykën e Mezhgoranit dhë në Qafën e Kiçokut.

LUFTA NË GRYKËN E MEZHGORANIT.

Në ora 04.00 të datës 1 korrik një varg i gjatë prej më shumë se 40 makinash luftarake të garnizonit armik i Tepelenës mbërin te Luadhi i Mezhgoranit, ku makina e parë bie në mina dhe kollona ndalon, sikundër tregon veterani Nevruz Kalo. Dhe tashti ia lëmë fjalën veteranit:

“Fashistët zbresin nga makinat dhe pasi pozicionohen në anë të rrugës, hapin zjarr me automatikë, mitraloza dhe murtaja. Armiku tenton të kalojë duke përdorur autoblinda, por me të rënë në minë autoblinda e parë hidhet në erë. Autokolona ndalon përsëri. Gjëmon Gryka e Mezhgoranit. Pas një orë e gjysëm – dy, mbërin një autokolonë e re. Lufta ashpërsohet edhe më shumë.

Zjarri i forcave partizane të çetës “Koto Hoxhi”, e komanduar nga Misto Çipi dhe komisar Themo Vasi, i detyron të ndalen. Muzgu i mbrëmjes së datës 1 korrik i gjen të dy palët në të njëjtat pozicione. Epërsia e kundërshtarit në forca e mjete i detyron forcat e çetës “Koto Hoxhi” të tërhiqemi pak më lartë rrugës automobilistike, duke zënë pozicione nën fshatin Mezhgoran.

2 Korrik 1943. Një fuqi e re armike prej 700-800 forca hapet në formacion luftimi, duke sulmuar nga poshtë-lart, në tre drejtime. Luftimet zhvillohen në distancë shumë të afërt, duke përdorur edhe granatat e dorës.

Në kohën që armiku po përparonte edhe më shumë, vrojtuesi ynë partizan njofton: “Një kolonë tjetër po drejtohet nga Damsi Por dale, dale  Janë partizanë! Po, po, është çeta e Kurveleshit! Urraaa!”

Entusiazmi revolucionar shkëlqen në sytë e gjithë partizanëve. Mendimi se ata do të përlesheshin me forcat fashiste na mbush të gjithëve me gëzim. Mbritën komisari çetës dhe komandanti i saj, Asim Zeneli me Xheladin Beqirin, kosovar. U shpjegohet situata. Asimi propozon sulm. Të gjithëve na vjen po ai mendim, çeta e Kurveleshit ndahet në tre grupe sulmi, dy prej tyre udhëhiqen nga komisari dhe komandanti i çetës. Ato hidhen në sulm nga lart-poshtë drejt armikut, i cili ishte tërhequr pak më parë dhe qëndronte në pozicione mbrojtjeje. Terreni i mundëson partizanët që t’i afrohen armikut pa u diktuar dhe mbërijnë deri në 50 metra afër pozicioneve të armikut. Në këtë moment buria bie për sulm: “Përpara partizanë! Në sulm!”

Asimi dhe Xheladini janë në krye të grupeve të sulmit duke mbjellë vdekjen në radhët e armikut me bomba dore, duke i flakur ato në pozicionet e fashistëve, duke u pasuarr nga e gjithë çeta. Ushton Gryka e Mezhgoranit nga granatat e dorës që bien si breshër nga të dy palët. Partizanët hidhen përpara. Të duket sikur duan ta zënë me duar gjithë atë mori ushtarësh. Në reshtat e armikut hyn frika dhe nuk zgjat shumë qëndresa e tyre, dhe vjen një çast që forcat armike hedhin çanta, pushkë, mitraloza dhe gjithçka tjetër për t’u lehtësuar. Ndjekja vazhdon këmba-këmbës.

Në krahun tjetër të Vjosës, një zjarr i ri armësh shfaqet papritur! Janë çeta partizane e Çamërisë dhe çeta territoriale e Zagorisë, që porsa kanë arritur, dhe hyjnë në luftim. Armiku tërhiqet, dhe pozicionohet në të dy anët e xhadesë. Asimi, që duke sulmuar kish mundur të shkëputej përpara shokëve, arrin i pari në Harmothë (kodra mbi rrugë). Partizanët vijojnë të qëllojnë xhadenë në distancë të afërt, nga të dy anët e saj.

Në këtë kohë, një mitraloz i rëndë armik godet pa pushim nga krahu i djathtë i forcave tona. Para tij jemi të zbuluar. Kur ja, Asimi, që kish mbëritur i pari, çohet në këmbë dhe si një petrit sulmon përpara për të neutralizuar mitralozin armik, ashtu sikundër e thotë edhe kënga: “Shoku Asim del jashtë nga istikami, / Dhe si dragua sulet mbi armiqtë”. Por, një plumb armik e merr në ballë. Komisari trim bie në tokë pa jetë.

Tmerri i fashistëve në xhade arrin kulmin. Ata ikin, por pa ditur se ku venë, duke mbajtur në duar shami të bardha, duke shkuar drejt Grykës së Këlcyrës, duke braktisur edhe automjetet.

Një orë më vonë, disa makina, mbasi u janë hequr gomat dhe sendet e nevojshme, shkatërrohen dalëngadalë nën flakët e zjarrit.

 

LUFTA NË QAFËN E KIÇOKUT

Për luftimet e kryera në Qafën e Kiçokut po ia lëmë fjalën njërit prej drejtuesve të atyre luftimeve, Neshat Hysit:

“Ishte ora 04.30, e 3 Korrikut 1943. Tri autoblindat e një kolone armike mbëritën para pozicioneve tona. Ne mundohemi me dylbi të mësojmë numurin e makinave, por tymi, reja e pluhurit dhe kthesat e shpeshta na pengonin. Njërën prej autoblindave e lamë të futej në thellësi të pritës sonë, e cila gati po mbërinte në Qafë të Kiçokut. Partizanët presin në heshtje urdhërin për të hapur zjarr. Po afrohej autoblinda e dytë. Pas saj futen brenda pritës sonë edhe tre kamjonë të ngarkuar me trupa, kurse reshti i kolonave që përbëhej prej 55 kamjonë, të cilët transportonin dy batalione bersaljerësh italianë dhe një batalion këmishëzinj (fashistë), ishin ende jashtë pritës, kur autoblinda e parë mbëriti 10 -12 metra para Qafës. U hap zjarr me granata dore. Autoblinda qëndroi në vend, por po hapte zjarr me mitralozë. Artileria dhe një bateri mortajash të rënda, që dispononte armiku, nuk mund të godisnin forcat tona, për shkak se ndodheshim shumë afër forcave të tij, prandaj dëndësuan zjarrin me mitraloza e automatikë. Por, pa sukses, ngaqë forcat partizane ishin vendosur në pozicionet që kishin përgatitur vetë ushtarët italianë gjatë Luftës Italo-Greke.

Lufta vazhdon në të gjithë pritën e batalionit. Ndërkaq armiku saktëson pozicionet tona dhe vë në lëvizje forcat e tij për të na rrethuar. Krahu ynë i majtë, që përbëhet vetëm prej 16 partizanë, gjëndet në mes tre zjarresh. Gjashtë shokë mbeten të vrarë, të gjithë komunistë, dhe tre të plagosur. Të tjerët detyrohen të tërhiqen me luftim në drejtim të fshatit Arrëz, duke mbartur me vete edhe të vrarët: Taip Çela, Sabri Kacidhja dhe Tajar Hysi nga Vërzhezha, Shefik Mbaja nga Korça, Sulejman Polena dhe Xhevahir Cerrova.

Si rrjedhojë e zbulimit që armiku pat bërë gjatë datës 1 dhe 2 korrik me aviacion, armiku nuk e futi të gjithë kolonën brenda pritës sonë të gjatë. Madje, për të mos rënë në kurth, autokolona, përveç që shoqërohej nga aeroplanë e autoblinda, mbante largësi të madhe mes mjeteve të saj të transportit.

Në ora 14.30 ne jemi gjithnjë në pozicionet tona, përveç krahut të majtë. Bersalierët sulmojnë me guxim, por pa sukses. Në krahun e djathtë të rrugës automobilistike, në luginën e fshatit Arrëz, armiku, duke përfituar nga terreni i veshur me pyll të shkurtër, por të dendur, futet në thellësi. Përleshja filloi e ashpër. Ndërkohë, një forcë e madhe bersalierësh avancon drejt kodrave të pyllëzuara, për të mbyllur rrethimin e plotë të Qafës së Kiçokut ku ne kishim organizuar pritën. Armiku kish vendosur të na asgjësonte në një kohë sa më të shkurtër.

Këtu armiku gaboi rëndë. Ia kuptuam qëllimin kur ai u fut në pyll. Ne menjëherë vendosëm në atë drejtim një mitraloz të rëndë në një pozicion të përgatitur po prej italianëve gjatë luftës së tyre me ushtrinë greke. Mitralozi i përdorur nga Ferit Radovicka filloi të kositë armiqtë. Partizanët qëllojnë pa mëshirë çdo armik, pasi e lënë të afrohet 30-40 metra.

Mbi 100 bersalierë, të cilët kishin vendosur edhe bajonetat në tytat e armëve të përgatitur për luftë trup me trup, i drejtohen skuadrës që luftonte me Feritin. Njëkohësishtë një aeroplan vijon të mitralojë këtë sektor. Kështu që skuadrës së Feritit iu desh të luftonte edhe kundër forcave tokësore edhe asaj ajrore të armikut. Mitralozi i rëndë nuk na turpëroi, punonte shumë mirë.

Forcat tona të krahut të djathtë që ndodheshin mes tri zjarresh, dy nga toka dhe një nga ajri, u hodhën në kundërsulm dhe u lehtësua mbrojtja jonë e krahut të djathtë.

Por ndërkaq lagjia Bregas e Arrëzës është rrethuar keq prej forcave të mëdha fashiste. Pesë partizanë me në krye Arifin luftojnë në rrethim brenda një shtëpie. Ata janë të vendosur të luftojnë deri në pikën e fundit të gjakut të tyre. Këta partizanë nuk dinë asgjë mbi forcat e batalionit.

Në drejtim të xhadesë përparon autoblinda e dytë dhe fillon të mënjanoi autoblindën e parë që është nxjerrë nga ne jashtë luftimit, dhe shkon përpara. Duke përfituar nga terreni i favorshëm, ne e godasim autoblindën me tre granata anti-tanke të njëpasnjëshme dhe e asgjësojmë. Megjithatë ajo vazhdon zjarr me mitraloz, por pa efekt.