Masakra e Manastirit më 09.08.1830 . Vrasja e kapedanëve Veliko Jaçe e Asllan Kuca

Pas vdekjes së Ali Pashë Tepelenës (1822) duke përfituar nga gjendja e krijuar, Porta e Lartë, në të gjithë vilajetet shqiptare vendosi administratorë turq. Kjo zemëroi pa masë krerët shqiptarë, të mësuar për qindra vjet, që krahinat e tyre të administroheshin nga vetë ata, duke paguar disa taksa ose detyrime minimale. Gjashtë vjet më vonë, më 1828, do të kemi përpjekjet e para të bashkimit të shqiptarëve, që kërkonin me forcë të administroheshin nga krerë vendës dhe, sidomos, të mos jepnin nizamë. Kuvendi i parë u bë në fshatin Senicë. Qëllimi i tij ishte bashkimi dhe pajtimi i shqiptarëve dhe dhënia fund e vëllavrasjeve. Në librin e Thimi Mitkos “Bleta Shqiptare”, midis shumë xhevaireve gjejmë dhe këto vargje për Kuvendin e Senicës:
Kazatë të gjitha u mbëluadhë
Gjithë shqipëtarëtë,
Turqit e të kështerë,
Të gjithë të parëtë,
Bejërat e agallarët,
Të gjithë bujarëtë…
Në Senicë u mbëluadhë
Për të pajtsuarë.
Në vargjet e mëtejshme jepen emrat e të gjithë pjesëmarrësve në atë mbledhje si: Idriz Zhulati, Sheh Sejkati nga Filati, Kallapodhi nga Delvina, Hajdini nga Kalasa, Kumiu nga Nivica, Stefan Prifti nga Shën- Vasia, Jano Milua nga Himara, Spiro Gjika nga Qeparoi, Zoto Mahmuti nga Smokthina, etj. Një mesazh i fuqishëm për bashkimin e shqiptarëve që po vriteshin me njëri-tjetrin jepet në fjalët e Idriz Zhulatit, që drejtonte kuvendin e krerëve të Labërisë. Ja si shprehet ai:
Mbani vesh o kapedanë,
Dhe ju bejëra e agallarë,
Të madhe ua bëj rixhanë …
Vritemi shok’ e vëllamë,
Gjithë miq e fshatarë,
Gjithë fis e gjithë farë.
Dhe ja përfundimi i këtij Kuvendi të krerëve të Labërisë:
Dhe të gjithë besën dhanë,
Të qëndrojnë të pandarë,
Si vëllezër që janë,
Gjak e gjuhë shqipëtarë.
Kuvendi i Senicës do të pasohej në nëntor të po atij viti, nga një tjetër shumë më i fuqishëm dhe me qëllime më të avancuara. Tashmë shqiptarët do të kërkonin me forcë të administroheshin nga krerët vendës dhe të mos jepnin nizamë për Turqinë. Kuvendi që njihet dhe si “Besëlidhja e Beratit” u mblodh në qytetin e Beratit me nismën e Ismail Bej Vlorës, Zylyftar Podës dhe Shahin Delvinës me pjesëmarrjen e kapedanëve më të fuqishëm të Labërisë.
Kjo “Besëlidhje,” si dhe të tjera, pas rënies së pashallëkut të Janinës, do ta shqetësonin shumë Portën e Lartë. Kurrsesi ajo nuk mund të pranonte një organizim të tillë, që nënkuptonte një qeverisje tërësisht shqiptare pa pjesëmarrjen e Turqisë. Ndërkohë shqiptarët kishin arritur t’i dëbonin administratorët turq. Shahin Bej Delvina kishte arritur të merrte çifligun e Delvinës, Iljaz Poda komandonte Shqipërinë Qendrore dhe kishte mbledhur rreth vetes trupat, që kishin mbetur nga Ali Pasha,Vlora e rrethinat e saj qeveriseshin nga Beqir bej Vlora, vëllai i Ismail Beut. Asllan Kuca , i përkrahur dhe nga vjehrri i tij Zylyftar Poda, me një sulm të guximshëm zboi pashanë turk dhe u shpall sundimtar i një pjese të Thesalisë.
Porta e Lartë menjëherë e shpalli Asllan Kucën të paligjshëm (fermanli), ashtu si dhe Beqir Vlorën, Zylyftar Podën e Shahin Delvinën. Veliko Jaçe Goroshjani, së bashku me djalin e xhaxhait të vet, luftëtarin e njohur Çelo Picarin, sulmuan Janinën por nuk e morën dot. Në kala i rrethuar gjendej sundimtari i Janinës, një nga figurat më të zeza të kohës, Emin Pasha. Asllan Kuca ishte i biri i Ago Myhyrdarit, një nga sekretarët personalë të Ali Pashës. Ai përmendet jo vetëm si trim, por edhe si njeri i ditur dhe i arsimuar në perëndim.
Asllan e Veliu di,
Bo-bo ç’janë të këqi’,
Veten e bëjnë beli’
Luftojnë me një vali,
Me një goxha Rumeli.
Sapo Greqia shpalli pavarësinë, më 1830. Porta e Lartë iu vërsul pashallarëve shqiptarë me zjarr e hekur. Sadrazemi , Mehmet Reshit Pasha, u ofroi krerëve të pabindur shqiptarë një amnisti të përgjithshme, e cila do të shoqërohej me një paradë madhështore të trupave turke, me shpërblime dhe me dhënien e rrogave të prapambetura krerëve dhe ushtarëve shqiptarë. Mjaft nga udhëheqësit kryesorë si Tafil Buzi, Zylyftar Poda, Çelo Picari, Hodo Nivica, Abdyl Koka, etj., duke njohur mirë kurthet dhe pabesitë e Portës së Lartë (ose ndoshta u informuan nga njerëzit e vet, brenda Portës së Lartë) nuk shkuan, madje paralajmëruan dhe krerët e tjerë, duke përfshirë Veliko Jaçen e Asllan Kucën. Këta të fundit, ashtu trima të çartur dhe sedërqarë, për siguri morën me vete disa shoqërues të armatosur. Ishin aq të bindur e të sigurt në vendimin e tyre sa:
Asllan beu, me Veli benë,
Në Mecov’ e bënë benë:
Në Manastir do të venë,
Të kërkojnë ylefenë .
Po s’na e dhanë me të mirë,
Do të djegëm Manastirë!
Mirëpo të tjera llogari kishte bërë bimbashi me oficerët turq. Më 9 gusht 1830, mbi 500 shqiptarë, bashkë me shumë komandantë të krahinave të Jugut, veshur me rrobat e tyre plot ngjyra e pajisur me armë të stolisura me ar e argjend, u nisën drejt kazermave të Manastirit, ku do të organizohej pritja. Ka një ngjashmëri gati matematike midis vargjeve që na vijnë nga Epika Historike dhe ajo çka shkruan Ami Boue , për ngjarjen. Duke parë ushtarët të rreshtuar për nder armë vetëm nga njëri krah, Asllan Kuca dyshon se mund të ishte një kurth. Ai i shpreh shqetësimin shokut të vet:
Bimbashi bëri gostinë,
Thirri Asllanë e Velinë.
Tek i thirri mbë të parë,
Asllan beu foli një fjalë:
Veli bej o mendjehollë,
Mos na shpjerë në taborë!…
Madje në fshatrat e Jugut, tregojnë se i ka thënë: “O Veli! Më duket se hëngrëm mut, që erdhëm deri këtu. Na e hodhën. Të gatitemi për luftë se trimat me vete i kemi!” Po Veli beu, duke patur parasysh mardhëniet e afërta me sulltanin, duke e konsideruar atë si baba, i sigurt dhe duke bëzëqeshur hidhur ia pret:
Veli beut i erdhi rëndë,
Tha: O Asllan mos u trëmbë,
Asllan bej mendonu mirë,
Nuk e vret babaj të birë!
Asllan Kuca megjithatë qëndroi pas Veli beut, i tërhequr dhe gjithonë me mëdyshje. Sapo u futën në kazermë, trimat i Shqipërisë dhe shoqëruesit as që mundën të bënin qëndresë. Pabesia dhe tradhtia turke triumfuan si zakonisht dhe shoqëruesit, që Veliu kishte me vete nuk mundën as të nxirrnin armët:
Kur ra batareja parë,
Veli beu ra i vrarë.
Veliko, Veli ku je?
Të ra palla mbë dhe
Dot kumandë nukë dhe
Koka tënde në hejbe .
Asllan Kuca së bashku me dy luftëtarë të tjerë Abaz Thanën dhe Karafil Sinanin, duke qenë prapa tyre arritën të largohen.
O Asllan kë kishje pranë?
Nja di lebër kapedanë,
Karafil e AbazThanë.
Memet Reshit Pasha, i jep urdhër Qorr Pashait të ndjekë Asllan Kucën e plagosur, të cilin pas një përleshje të egër e vret dhe i pret kokën:
Sadrazemit vanë i thanë:
Asllan beu shpëtoi gjallë.
Shpejtoni mbë Qorr pashanë
Asllan ben’ e dua gjallë!
Dhe më tej sqarohet:
Dil’ të shihni Qorr Pashanë,
Sesi ka përveshur krahnë,
Për të qëlluar Asllanë!
Kokat e tyre u nisën për në Stamboll. Asllan Kuca ishte mik i Çelo PicaritndërsaVeliko Jaçe, djal xhaxhai i tij, prandaj ky sulmon rrugës tartarin dhe u rrëmben kokat e prera, që bashkë me trupat të varrosen në Kurvelesh.
Çelo të pimë dollinë,
Tartarit ç’ja bëtë mirë…
Çelua ynë me mustaqe
Mori hak e zbardhi faqe!
Dhimbja dhe vaji për trimat nuk ka të sosur:
O Asllan, o Veli,
Ç’ju qan nëna në shtëpi!
O të zestë djemt e mi,
Ç’ju erdh kuka në sini!
Vargjet e vajit të motrës së Abaz Thanës, koka e të cilit me shumë koka të tjera fisnikësh shqiptarë u dërgua në Stamboll, shprehin njëkohësisht dhimbje dhe krenari të rrallë:
Kush të mor të shkretat armë,
Pisqollat e jataganë,
Dhe atë dyfekn’ e larë?
Kush ta zhveshi fermelenë
Edhe kukënë ta prenë?
Kurmi të mbet’ në Bitolë ,
Koka të mori Stambollë.
Abaz Thana luleja
Trim si Asllan Kuceja
Vlla a derëzeza!
Në mesditën e 9 gushtit të vitit 1830, në një kohë të shkurtër, u vranë me pabesi rreth 500 fisnikë feudalë shqiptarë (të dhëna të tjera thonë 1300) së bashku me trimat e tyre, në vendin e quajtur Dovlexhik, në afërsi të urës, që lidh rrugën e vjetër të Manastirit me rrugën e re, që vjen nga Përlepi. Lëndina u skuq me gjak të pastër fisnikësh shqiptarë, ashtu si qindra vjet me rradhë toka shqiptare, nën sundimin turk. Po në të njëjtën ditë, i biri i Mehmet Reshit Pashës, valiu i Janinës, Emin Pasha, organizoi në Janinë një kurth tjetër; u vranë një numër më i vogël bejlerësh shqiptarë, kundërshtarë të Portës së Lartë.
Tetëdhjetë vjet më vonë në Selan të Çamërisë, afër Përroit të Selanit (Në Selan të shkretë/ Këllon gjak shqiptari/klani more shokë/Se na zu dushmani) historia përsëritet. Këtu u thirrën gjoja për bisedime dhe u therrën pabesisht nga andartët grekë 72 krerë nga fisnikëria e Çamërisë. Nuk ka një lapidar apo një pllakatë, për të përkujtuar masakrën e Manastirit dhe atë të Selanit. Ajo që të bën përshtypje, veç egërsisë dhe pabesisë turke, është se si arrinte të ripërtërihej (po të kemi parasysh edhe masakrën mbi shqiptarët pas rënies së Ali Pashë Tepelenës) e të nxirrte pareshtur komandantë e luftëtarë kjo racë e pamposhtur e shqiptarëve!? Masakra e Manastirit me shfarosjen e një numri aq të madh kapedanësh të shquar shqiptarë ndikoi në vonesën e themelimit të një Shqipërie të pavarur, shumë më herët se viti 1912. Megjithatë luftërat e shqiptarëve do të vazhdonin, do të merrnin hov me kryengritjet e famshme gjatë viteve 1833-1847, të drejtuara nga Tafil Buzi, Zylyftar Poda, Balil Nezha, Abdyl Bej Koka, Shahin bej Delvina, Çelo Picari, Zenel Gjoleka, Rrapo Hekali, Hodo Aliu, Cane Myftari, etj., e do të kulmonin me Lidhjen e Prizrenit, e Shpalljen e Pavarësisë.

 1. Kuka – Dialekt- koka.                                                                                               2. Vilajet – Ndarje administrative.                                                                                   3. Rixha– Lutje për pajtim.                                                                                                                                                                                                                                   1. Në raportin e tij, konsulli frances, në Selanik, më 14.07.1830, disa javë para Masakrës së Manastirit shkruante: “…Shqiptarët, me në krye Asllan Kucën, morën Kozhanin, u dukën në Vodenë në Niousta, Jenxhe, dhe nuk bëjnë dëme. Lëvizjet kryengritëse në Shqipëri dhe jashtë saj nga popullsia e armatosur e gjithë kësaj krahine nuk janë shkaktuar nga disa çeta kusarësh, por janë shfaqje e një plani të gjerë, që ka për qëllim të dëbojë nga Shqipëria reformat e Sulltanit sidomos ato që janë lidhur me rekrutimin ushtarak. Popullsia turke e Thesalisë dhe e Maqedonisë i sheh ato me kënaqësi dhe i inkurajon…”

Sigal

Në një nga raportet që Veziri i Madh, i drejtonte Portës së Lartë më 23.09.1830, pas Masakrës së Manastirit, thuhej: ”… Sikurse e kam thënë dhe herët e tjera ky popull i mallkuar nuk mund të krahasohet në burrëri dhe trimëri me asnjë popull tjetër. Kur shohin se mbi atë popull bie ndonjë peshë e madhe është aq vetëmohues sa asnjë komb tjetër. Pra është një komb luftëtar…. Futja e tij në zap dhe nën nizamë është konsideruar nga të gjithë si çështje jo vetëm e vështirë por edhe e pamundur…”

1. Beli’ – E bëjnë beli’- e vënë në provë, janë të provuar.

2. Sadrazem – Gradë e lartë në perandorinë osmane.

3. Ylyfenë – Rrogën, pagesën.                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                               1. Ami Boue në librin e tij “Shqipëria. Në Turqinë Europiane”, botuar në Paris, më 1840. shkruan: “…Bejlerët të përkëdhelur nga bashkatdhetarët si dhe nga Veziri i Madh i tërhoqën shqiptarët në Manastir me pretekstin e një feste ushtarake. Të shoqëruar nga 500 luftëtarë ata u pritën dhe u trajtuan në mënyrë të shkëlqyer ; por ditën e festës ata i gjetën trupat ushtarake të rradhitura në kuadrat, ku aty nuk gjendej askush për t’i pritur. Asllan beu e kuptoi menjëherë se ishin të humbur dhe thirri: “Kaq e patëm!” Këtyre fjalëve Veli Beu iu përgjigj: “Kjo është mënyra e rregullt për të përshëndetur; ti mund t’ia mbathësh veçse për turpin tënd dhe timin”. Megjithatë Asllan Beu e shkëmbeu vendin me Veli Beun para se të hynte në kuadrat. Sapo arritën, sinjali për të hapur zjarr u dha dhe, nga kthina e vezirit dhe kuadratet e ushtarëve  shpërtheu  një breshëri armësh, i pasuar nga një sulm me bajoneta. Të gjithë u vranë me përjashtim të Veli Beut, i cili mundi të shpëtonte; por e ndoqi dhe e kapi në një farë largësie nga Manstiri, Chior (Qorr)-Ibrahim Pasha, i cili e vrau. Kësht përfundoi në vitin 1830 në një mënyrë mizore ajka e fisnikëve shqiptarë…” (faqe 64.) 

 

1. Hejbe – Trastë prej shajaku të fortë.                                                                                                                                                                                                             2. Qorr pashaj – Oficer turk.

3. Tartar – Postier, por që çon jo vetëm postën.

4. Fermele – Jelek.

5 .Bitolje – Manastiri i sotëm.